E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranojeni Kosovën

Futbollistët kosovarë të Zvicrës dhe të Shqipërisë nuk janë të përqendruar vetëm në përballjen që do ta kenë të martën ndërmjet veti. Ata në mendje e kanë edhe vendlindjen e tyre, Kosovën. Andaj, ata janë pajtuar që takimin që do ta zhvillojnë në Zvicër – ku gjendet selia e FIFA-s – ta shfrytëzojnë që nëpërmjet një letre të përbashkët, t’i kërkojnë kësaj organizate ta pranojë sa më shpejt Kosovën si anëtare të re të saj.

Shqipëria e Zvicra, thuajse futbollistët kryesorë të tyre i kanë me prejardhje nga Kosova. Të dyja ato ekipe do të përballen mes veti të martën në Luzern, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin ‘Brazili 2014’.

Por, të gjithë futbollistët e Shqipërisë dhe pesë shqiptarët e Zvicrës janë pajtuar që ta shfrytëzojnë këtë takim të tyre që zhvillohet në Zvicër, ku gjendet selia e FIFA-s, për t’iu drejtuar kësaj organizate me një letër të përbashkët, nëpërmjet së cilës do të kërkojnë ta pranojë sa më shpejt Kosovën si anëtare të re të saj.

Andaj, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri ka udhëtuar drejt Zvicrës për ta përcjellë ndeshjen Zvicër-Shqipëri dhe për t’i falënderuar futbollistët shqiptarë për këtë veprim të përbashkët të tyre.

“Krerët e FFK-së do ta takohen me futbollistët shqiptarë, veçmas ata të Kosovës që luajnë për Zvicrën e Shqipërinë, të cilët kanë paralajmëruar se me një letër të përbashkët do t’i drejtohen UEFA-s dhe FIFA-s që sa më parë të pranojë FFK-në, si e drejt universale e të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Gjatë qëndrimit në Zvicër, Vokrri do të lobojë edhe në Federatën zvicerane, por edhe te zyrtarët e FIFA-s, që Komiteti Ekzekutiv i kësaj të fundit, në fund të shtatorit ta aprovojë në mënyrën më të mirë kërkesën e kosovarëve për të zhvilluar ndeshje miqësore.

Vokrri drejt Zvicrës ka udhëtuar nga Gjermania, ku po ashtu ka lobuar rreth ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar. Për këtë, Vokrri ka marrë premtime nga udhëheqësit e futbollit gjerman se do ta mbështesin fuqishëm Kosovën në këtë drejtim.

Gjatë qëndrimit në Gjermani, Vokrri është takuar me futbollistë që luajnë nëpër skuadrat gjermane, duke përfshirë reprezentuesen gjermane, Fatmire Bajramaj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›