E Diel, 1 Nëntor 2026

FIFA e UEFA, afat dymujor për privatizimin e klubeve

Takimet Eva Paskuer e Marsel Benz japin direktivat për të mirën e futbollit shqiptar

Privatizimi i klubeve në futbollin shqiptar është një nga direktivat imediate të dhëna nga UEFA dhe FIFA. Të dyja organizatat më të mëdha të futbollit, përkatësisht në kontinent dhe në botë, kanë tentuar të ushtrojnë presion në lidhje me këtë çështje mbi protagonistët e sportit më popullor në Shqipëri, Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Federatën Shqiptare të Futbollit. Për ta përçuar më qartë këtë mesazh të dhënë nga organizmat e njohur ndërkombëtarë, dje në Tiranë ishin të pranishëm përfaqësuesit juridikë të FIFA-s dhe UEFA-s, Eva Pasquer dhe Marsel Benz. Gjatë vizitës së tyre në vendin tonë, dy personalitetet e njohura tashmë (pasi vijnë për të disatën herë në vendin tonë, më saktë sa herë që ka mosmarrëveshje mes shtetit dhe FSHF-së), kanë zhvilluar takime në drejtuesit e federatës dhe ata të Ministrisë së Sporteve. Në këto takime kanë bërë të njohur kërkesat e UEFA-s dhe FIFA-s. Pika kryesore ka qenë ajo e gjetjes së formave të privatizimit të klubeve, e shtruar mbi tavolinë në takimin me ekipin teknik të MTKRS-së. Si forma privatizimi janë parashtruar dy, shoqëri anonime ose shoqatë. Privatizimi i klubeve konsiderohet si një pikë kyçe e zhvillimit të futbollit shqiptar e si rrjedhojë përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë lënë një afat dymujor për MTKRS dhe FSHF, që të përcaktojnë kriteret mbi të cilat duhet mbështetur ky proces. Por kjo nuk ishte direktiva e vetme e dhënë. Mes kërkesave të tjera ishte edhe informimi i FIFA-s e UEFA-s për statusin e legjislacionit shqiptar për përfitimet e sportit nga kompanitë e basteve, ashtu si edhe për dispozitat e legjislacionit tonë për trukimin e ndeshjeve. Gjykata e arbitrazhit sportiv, përmirësimi i ligjit të sportit, apo futja e futbollit në shkolla, janë detyrat e tjera të shtëpisë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›