E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo, tifozët polemika pas eliminimit

Pakënaqësi mes mbështetësve blu: Kampionatin po e fitojmë se na ka mbetur në dorë

Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë ka sjellë krisjen e parë në atë që deri më tani dukej sezoni perfekt. Paraqitja e dobët e Dinamos përballë Shkumbinit ka shkaktuar pakënaqësi të dukshme te mbështetësit e skuadrës kryeqytetase. Tifozët e pakët “ultras” të pranishëm në stërvitjen e djeshme të bluve, nuk i kanë kursyer kritikat për skuadrën, lojtarët, por edhe për trajnerin Shkëlqim Muça. Ata nuk pajtohen me faktin se ekipi po paraqitet nën nivelin e kërkuar, madje duke ironizuar edhe me ecurinë në kampionat, ku dinamovitët kanë dominuar dhe po ecin të sigurt drejt titullit. “Na keni mërzitur duke e fituar çdo ndeshje me lojë të dobët. Kampionati na ka mbetur në dorë si ‘dopjo gjashta’, sepse nuk ka asnjë skuadër tjetër që mund ta marrë”, ishin thirrjet e tifozëve.

Tensioni në kampin blu ishte i dukshëm, pavarësisht faktit se në seancën e djeshme stërvitore kanë marrë pjesë vetëm lojtarët që nuk u aktivizuan në Kupë dhe dy të dëmtuarit Bekim Kuli e Gentian Muça. Pesha e eliminimit në çerekfinalet e trofeut të dytë për nga rëndësia në vend bënte që atmosfera të ishte mjaft e ftohtë: të shumtë ishin ata që kishin besuar se Dinamo e këtij sezoni i plotësonte të gjitha kriteret për të triumfuar në Superiore dhe në Kupë, një “dopietë” që nuk regjistrohet prej një dekade në Shqipëri. Nervoz dukej edhe drejtuesi i stolit, i cili ka bërë të pamundurën për ta fshehur zhgënjimin dhe për të vazhduar punën normalisht. Objektivi madhor i Muçës ishte t’i fitonte të dy trofetë gjatë këtij sezoni, një rezultat të cilin nuk e ka arritur më parë në karrierën si trajner. “Shkumbini na ka mposhtur në të dyja ndeshjet. E merituam që të eliminoheshim nga Kupa. Dëshironim të shkonim sa më larg dhe pse jo ta fitonim këtë kompeticion, por nuk ditëm të shfrytëzonim faktin se në ndeshjen e dytë luanim në shtëpi”, ishin disa prej fjalëve të tij.

Ndërkohë, humbja që shkaktoi krisjen me tifozët, duket se i ka dhënë fund ëndrrës se Dinamo ishte një skuadër pa rivale në vend dhe e ndërtuar për të konkurruar si e denjë në arenën ndërkombëtare. Forma e dobët që po kalon skuadra, i tremb “ultrasit” për vazhdimësinë në kampionat, pavarësisht diferencës prej 17 pikësh nga Besa e vendit të dytë. Në dy javët e fundit dinamovitët kanë regjistruar një humbje me Apoloninë (3-0 në fushën e fierakëve) dhe një fitore minimale përballë Gramozit, që mbyll klasifikimin në elitë. Por, rreziku më i madh është mungesa e stimujve, në një moment kur sezoni ka hyrë në fazën vendimtare: lufta është bërë shumë e fortë, si për një “biletë” në Europë, ashtu edhe në garën për mbijetesë dhe nëse nuk ndryshojnë mënyrë loje, blutë mund të vënë në diskutim edhe kampionatin.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›