Ndeshja e parë kualifikon Teutën në gjysmëfinale
është Teuta e kualifikuara e fundit, e cila i është bashkuar grupit, Vllaznia, Besa e Shkumbini, që formojnë gjysmëfinalet e Kupës së 58 të Shqipërisë. Durrsakët kanë barazuar 0-0 në ndeshjen e kthimit dje me Gramozin në “Niko Dovana”. Bëhet fjalë për një ndeshje pa shumë ritëm, ku vendasit duket se më shumë rëndësi i kishin kushtuar lojës mbrojtëse, përballë një kundërshtari më këmbëngulës për të rrezikuar portën e Teutës. Dos Santos, Ngjela dhe Semir Haxhibuliç kanë pasur disa raste të mira për të shënuar. Rastet, edhe pse më të pakta, nuk munguan edhe për durrsakët, të cilët iu afruan avantazhit me anë të Miles dhe çotës, por të cilët nuk u treguan të saktë para portës së skuadrës nga Erseka. Teuta, tri herë fituese e Kupës së Shqipërisë, u kualifikua për në gjysmëfinale, falë golit të realizuar në transfertë (në fushën asnjanëse, “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit) nga Hodo në takimin e parë, i cili përfundoi me rezultatin 1-1. Kjo ndodhi për shkak se takimi i parë mes dy skuadrave në Ersekë u ndërpre në minutën e 32, për arsye të kushteve atmosferike dhe ai i përsëritur u zhvillua në Elbasan, pasi fusha e kolonjarëve ishte pezulluar. Në sfidën e parë në “Ruzhdi Bizhuta”, pjesa e parë ishte mbyllur pa gola, ndërkohë që vetëm dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë, ishte Hoti, ai që i dha avantazhin e përkohshëm Gramozit. Ky avantazh rezistoi deri në minutën e 66, kur Hodo barazoi 1-1, duke shndërruar në gol një penallti të dhënë nga gjyqtari Ervis Peza, e cila u kontestua shumë gjatë nga stafi i Gramozit. Po ashtu, në këtë ndeshje, ndodhi edhe incidenti i dhunimit të një prej gjyqtarëve anësorë, i cili ishte protagonist në anulimin e një goli të parregullt të ekipit kolonjar. Për Teutën, që eliminoi në këtë edicion rekordmenin absolut të kupës, Partizanin, 15 herë fitues, kjo është hera e 17 që merr pjesë në gjysmëfinale, ndërkohë që ka qenë 9 herë në finale, nga këto 3 herë fituese përkatësisht në vitin 1995, 2000 dhe 2005. “Para ndeshjes, objektivi ynë ishte ta kalonim me sukses këtë përballje për të fituar të drejtën për të shkuar në gjysmëfinale dhe në përfundim të 90 minutave të dyta ia arritëm qëllimit, nënvizoi trajneri i durrsakëve, Ylli Shehu. Ndeshjet e Kupës kanë vështirësitë e tyre dhe tjetër specifikë nga ato të kampionatit. Takimin mund ta kishim zgjidhur, por lojtarët e mi hezituan dhe si për rrjedhojë nuk shënuam, megjithëse ishim në epërsi numerike ndaj lojtarëve kundërshtarë. Skuadra e Ersekës na rrezikoi në disa raste, por duhet t’i bëj komplimente mbrojtjes, e cila nuk e vuri për asnjë moment në dyshim kualifikimin për në turin tjetër. Tashmë mendojmë për ndeshjen e kampionatit, që e kemi sërish kundër Gramozit”, përfundoi tekniku i Teutës.
#