E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA e hapë një derë për Kosovën

FIFA më në fund ka konfirmuar se e ka aprovuar kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës për të zhvilluar ndeshje miqësore me përfaqësuesen. Me këtë rast, shtëpia e futbollit kosovar u hodh në festë të martën. Krerët e saj tani e shohin vetën veç një hap larg inkuadrimit të plotë në FIFA e UEFA.

Gëzim më të madh në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) sesa që pati të martën, prej vitesh nuk ka pasur.

Kjo pasi Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s, pas shumë zvarritjeve, më në fund e aprovoi kërkesën e FFK-së që të lejohet për t’i organizuar ndeshje miqësore ndërkombëtare përfaqësueses së Kosovës dhe klubeve të saj.

Ky lajm u konfirmua edhe në ueb faqen zyrtare të shtëpisë së futbollit botëror. “Komiteti Ekzekutiv e ka aprovuar kërkesën e FFK-së që përfaqësuesja e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore në përputhje me artikullin 79 të Statutit të FIFA-s”, shkruhet në fifa.com.

Kjo i është kumtuar edhe kreut të FFK-së, Fadil Vokrri, nëpërmjet telefonit nga një koleg shumë i afërt i presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter. Menjëherë pas kësaj, Vokrri e organizoi një konferencë për media dhe në fund të saj festoi me kolegët e tij dhe gazetarët e ftuar.

Në konferencë Vokrri potencoi se FIFA thuajse përfundimisht e njohu Kosovën. Sipas tij, aprovimi i kësaj kërkese të FFK-së është akti i parafundit i anëtarësimit të plotë të saj në FIFA e UEFA.

“Ky është hapi tjetër shumë i madh drejt anëtarësimit të FFK-së në FIFA e UEFA. Definitivisht, ky është akti i parafundit i pranimit të plotë të FFK-së. Jam i bindur se ndërkombëtarizimi i plotë i yni do të ndodhë shumë shpejt”, u shpreh Vokrri i emocionuar.

Sipas tij, kjo është një fitore e madhe e gjithë shtetit të Kosovës, pasi vendi ynë tash e tutje do të ketë mundësi që të bëjë emër nëpër botë posa ekipi kosovar ta zhvillojë ndonjë miqësore ndaj ndonjë kombëtareje të njohur botërore.

Një ndeshje të fundit të tillë përfaqësuesja e Kosovës e pati zhvilluar ndaj Arabisë Saudite, të cilën e pati mposhtur me rezultat 1:0 në vitin 2009 në Turqi. Por, kur dhe ku do ta zhvillojë ndeshjen e radhës, respektivisht të parën pas marrjes së lejes nga FIFA?

“Tani për tani nuk mund të them asgjë. Por, dëshira e imja është që sa më shpejt ta zhvillojmë një ndeshje atraktive ndaj ndonjë kombëtareje të njohur, edhe atë në vendin tonë, pasi të gjithë jemi të etur për kësi ndeshjeje”, tha Vokrri.

Vendimi i FIFA-së është mirëpritur edhe nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ministri i Sportit, Memli Krasniqi. Sipas tyre, tash e tutje Kosova do të mund t’i paraqet vlerat e vërteta të saj në futboll, derisa nëpërmjet përfaqësueses kosovare ata besojnë se vendi ynë do t’i bind shtetet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.

Vokrri vs Pacolli, kush më meritor?

Kreu i FFK-së, Fadil Vokrri, tha se ka punuar shumë për ta arritur këtë sukses. Kështu, meritat për këtë Vokrri ia atribuoi vetes dhe kolegëve të tij të FFK-së.

Por, tha se ishte ndihmuar shumë edhe nga ministri i Sportit, Memli Krasniqi, me të cilin kishin qëndruar disa herë në selinë e FIFA-s, duke u takuar me njerëz me ndikim, përfshirë edhe Blatterin.

Madje, Vokrri e Krasniqi e kishin angazhuar edhe një këshilltar të Blatterit që t’ia mbushë mendjen këtij të fundit për ta aprovuar kërkesën e FFK-së.

Më në fund, Blatter nëpërmjet telefonit e kishte siguruar Vokrrin se kësaj radhe do ta ‘detyrojë’ Komitetin Ekzekutiv të FIFA-s ta aprovojë kërkesën e FFK-së. Ai kujtoi se një rol të rëndësishëm e ka luajtur edhe ish kryetari i Fenerbahçes me ndikim në FIFA, Ali Sen.

Por, Vokrri nuk e përmendi zëvendëskryeministrin e Kosovës, Behxhet Pacolli, i cili po të martën plasoi komunikatë se FIFA lejoi Kosovën të luajë ndeshje miqësore. Pacolli pretendon se gjatë javës së fundit ka punuar shumë në këtë drejtim.

Ai falënderoi Ali Sen dhe Franc Beckenbauer, për të cilët tha se e kanë shfrytëzuar ndikimin e tyre, siç u kishte kërkuar. Por, Pacolli e ka lavdëruar edhe angazhimin e Vokrrit.

Por, ky i fundit tha se nuk ka qenë në dijeni që Pacolli të jetë angazhuar në këtë drejtim. E nëse ai e ka bërë një gjë të tillë, Vokrri tha se duhet të falënderohet dhe të respektohet mundi i tij.

Valcke: Është meritë e Blatterit

Sekretari gjeneral i FIFA-s, Jerome Valcke, ka zbuluar se presidenti i këtij institucioni, Sepp Blatter, ishte njeriu më meritor që Kosovës iu lejua tash e tutje zhvillimi i ndeshjeve miqësore.

Zvicerani kishte propozuar ndryshimin e politikës nga Komiteti Ekzekutiv në takimin e së hënës. “Ishte Blatteri ai i cili kërkoi nga Komiteti Ekzekutiv për këtë ndryshim dhe ishte vetëm një konfederatë që kundërshtoi”, deklaroi Valcke për agjencinë ‘The Associated Press’.

“Ky nuk është pranim i Kosovës si shtet, por është pranim se ky është një vend ku luhet futbolli. Kjo u jep atyre besueshmëri. Ata ishin të shqetësuar për faktin se lojtarët e tyre po shkonin jashtë, duke zgjedhur kombëtare tjera”, theksoi në vazhdim Valcke.

Reagon Serbia

Federata e Futbollit të Serbisë (FSS) ka protestuar ndaj vendimit të FIFA-s për t’ia lejuar Kosovës zhvillimin e ndeshjeve miqësore me përfaqësuese. Drejtuesit e futbollit serb kanë takuar takim urgjent me presidentin e UEFA-së, Michel Platini dhe atë të FIFA-s, Sepp Blatter.

“Vendimi i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s dhe takimi me dyer të mbyllura, pa konsultim me UEFA-n dhe Federatën e Futbollit të Serbisë, është kundër çdo rregulle të Statutit të FIFA-s. Ne kërkojmë që të rishqyrtohet edhe një herë ky vendim, sepse mund të sjell pasoja në tërë rajonin”, shkruan në uebfaqen e FSS-së.

Federata e Futbollit të Serbisë e ka kundërshtuar fuqishëm vazhdimisht çdo përpjekje të Federatës së Futbollit të Kosovës për pranim në FIFA e UEFA.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›