E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfehen të dyshuarit

Dyshimet për kurdisje kanë bërë që Federata e Futbollit e Kosovës të vendosë që të paktën deri të premten të mos regjistrojë rezultatet e javës së 30-të të Superligës. Para Komisionit hetues të FFK-së të martën përfaqësuesit e Hysit, të Prishtinës, të Lepencit, të KEK-ut e të Trepçës janë deklaruar se nuk kanë gisht në kurdisje, derisa hetimet rreth dyshimeve po vazhdojnë.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka vendosur që rezultatet e ndeshjeve të xhiros së 30-të të Superligës të mos i regjistrojë me rezultatet e arritura në fushë, të paktën deri të premten e ardhshme.

Kjo pasi kanë lind dyshime të mëdha që disa ndeshje të fundjavës që lamë pas të kenë qenë të kurdisura. Madje, tri nga ato takime tashmë janë duke u hetuar nga një komision, i cili u themelua ekskluzivisht për këtë punë të hënën nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së.

Këtë e ka konfirmuar një anëtar i atij komisioni për Gazetën Express në kushte anonimiteti. Sipas këtij burimi, ky komision është duke i hetuar këto duele: Hysi – Prishtina (2:3), KEK-u – Lepenci (5:6) dhe Gjilani – Trepça (0:4). Madje, zyrtarët e të tria këtyre klubeve të martën i kanë dhënë deklaratat para këtij komisioni hetues me urdhër të këtij të fundit.

“Prej këtyre gjashtë skuadrave kanë munguar vetëm zyrtarët e Gjilanit. Kurse përfaqësuesit e klubeve tjera, nëpërmjet deklaratave që u janë kërkuar, kanë mohuar t’i kenë kurdisur ndeshjet e ndërsjella. Tani komisioni ka kërkuar deklarata edhe nga akterët tjerë të atyre ndeshjeve, si nga trajnerët, lojtarët, gjyqtarët, kontrollorët e vëzhguesit”, ka thënë ky burim.

“Deri të premten nuk do të regjistrohen rezultatet e kësaj jave, pasi deri atëherë komisioni pritet të vjen në përfundim se a kanë qenë të kurdisura apo jo ato ndeshje, ose çështjen do ta kalojë në Prokurorinë e Shtetit për t’i vazhduar hetimet”, theksoi ky burim, sipas të cilit kësaj radhe FFK-ja intensivisht po përpiqet të sigurohet nëse kanë qenë apo jo të kurdisura tri ndeshjet e lartpërmendura.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›