E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, çfarë katastrofe! Besa bën "ligjin" në fushë

TIRANE- Një Tiranë mendje madhe dhe pa ide ka rrezikuar disfatën në ndeshjen e djeshme përballë Besës, duke mos shkuar më shumë se një barazim 1-1 në fushën e saj. Takimi i mbrëmshëm në "Qemal Stafa" ka qenë një nga më të dobtit e viteve të fundit për skuadrën kryeqytetase, e cila është dukur konfuze dhe tërësisht e ç'orientuar në fushën e lojës. Trajneri Artur Lekbello ka qëndruar për 90 minuta në këmbë duke parë lojtarët e tij teksa vuanin edhe për një pasim elementar, duke mos qenë fare me "mendje në fushë". Besa për çudi ka bërë një futboll të bukur, duke mos menduar vetëm të mbrohet, por edhe të arrijë rezultat. Për këto dy ekipeve ishte një ritakim pas atij të majit 2011, kur ekipit kavajas i duhej një goleadë për të mos rënë nga kategoria dhe bardheblutë nuk toleruan. Verdhezinjtë kishin një formacion të plotë, veç mungesës së Artion Poçit të dëmtuar. Besa ka qenë tërësisht e paparashikueshme në lojën e saj, duke patur në vijën e parë emra si Fation Sefa apo Parid Xhihani, të aftë për të bërë diferencën në ndeshje të mëdha. Megjithatë, ajo që ra në sy ishte një Tiranë që e kishur nisur ndeshjen sikur e kishte të fituar, duke shfaqur shenja mendjemadhësie dhe shpesh duke treguar diferenca të mëdha në aspektin fizik. 

NDESHJA 
Besa ka patur iniciativën në minutat e para të ndeshjes, duke i dhënë një mesazh të qartë Tiranës se nuk kishte ardhur në kryeqytet thjesht për shëtitje. Kjo këmbëngulje e miqve u shpërblye në minutën e 39-të, kur Sefa, pasi mori një top të bukur nga Mihani, arriti të thyejë portierin Iljon Lika me një goditje tokazi. Pas vetëm dy minutash, Abraham doli me karton të kuq për skuadrën kavajase, duke ia lehtësuar disi punën Tiranës. Pas kësaj, momentet e vështira në portën e portierit Hoxha kanë nisur të shtohen, megjithatë bardheblutë kanë qenë tërësisht të paqartë në sulmin e tyre edhe pse Çota ka vënë disa herë në vështirësi miqtë. Trajneri Lekbello ka nxjerrë nga loja edhe Duron, zhgënjyes si gjithë pjesa tjetër e skuadrës, ndërsa ndërrimet sollën një lojë disi më të mirë. Portieri Hoxha ka ndaluar rastet e Likës e të Çotës, ndërsa më pas mbrojtësi Arjan Pisha barazon gjithçka. Minutat e mbetura kanë treguar një ngritje në lojën e Tiranës, por Çota ka qenë protagonist negativ, duke humbur edhe një rast 3 metra larg portierit Hoxha. Minutat e mbetura flasin për një lojë sakrifice të Besës, e cila e ka mbrojtur barazimin deri në fund. Tirana mund të humbasë kreun e renditjes, në rast se Skënderbeu fiton sot në Berat ndaj Tomorit.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›