FIFA “mbush” me talente Shqipërinë
Jetmir Halilaj
Falë rregullit të ri të vendosur nga FIFA, më tre qershor të këtij viti, Shqipëria mund të përfitojë lojtarë të rinj në Kombëtare, të cilët për motive nga më të ndryshmet në të kaluarën janë aktivizuar me përfaqësueset U-21 të vendeve të tjera. Janë të shumtë lojtarët shqiptarë apo edhe ata nga trojet e Kosovës që gjatë viteve të fundit kanë provuar shanset e tyre për të luajtur me Kombëtare të tjera, të cilët ndonëse janë aktivizuar në ekipet e të rinjve, nuk kanë mundur të mbërrijnë asnjëherë në përfaqësueset “A”. Gjergji Kone (AEK), Elin Dhimuço (Panathinaikos), Jurgen Gjasula (Bazel), Migjen Basha (Rimini), Faton Toski (Frankfurt), Mërgim Mavraj (Bohum), Labinot Harbuzi (Elfsborg), Emir Bajrami (Elfsborg), Rijat Shala (Foxhia), Albert Bunjaku (Nurnberg), Beg Ferhati (Bazel), Shkodran Metaj (Groningen), Orhan Mustafi (Bazel), Bajram Sadrijaj (Borusia Dortmund), Shaban Ismaili (Shtutgart) etj, nëse dëshirojnë do të kenë mundësi të provojnë shanset e tyre për një fanellë kuqezi.
Vendimi
FIFA ka hequr limitin për futbollistët që dëshirojnë të ndërrojnë përfaqësuesen. Sipas rregullit të vjetër një futbollist që kishte luajtur për një përfaqësuese të të rinjve ka pasur të drejtë të vendoste deri në moshën 21-vjeçare. Nëse nuk e kishte bërë këtë brenda këtij afati, ai konsiderohej më pas një lojtar i Përfaqësueses për të cilën kishte luajtur në ekipet Shpresa. Por, me ndryshimin e këtij rregulli, futbollistët edhe nëse janë më të mëdhenj se 21 vjeç, kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre në Përfaqësuese, me kushtin që ata të mos kenë luajtur asnjë ndeshje zyrtare me një Përfaqësueset “A”. Kongresi i FIFA-s ka aprovuar me 58 për qind të votave këtë kërkesë që ishte iniciuar nga Federata e Futbollit të Algjerisë. Algjeria dëshironte që të kthente mesfushorin e Lacios, Murad Megnin, që në të kaluarën kishte luajtur për Përfaqësuesen U-21 të Francës.
Kosova
Me këtë rregull edhe Kosova tani mund të përfitojë. Mesfushori kosovar i Malmos, Labinot Harbuzi, ka luajtur për U-21 e Suedisë, ndërsa tani është 23 vjeç. Ai, por edhe shumë të tjerë që janë në pozita të ngjashme me të, tani mund të vendosin që të luajë për Kosovën. Kjo vlen vetëm nëse ai nuk do të pranojë në të ardhmen që të luajë për Përfaqësuesen A të Suedisë. Të njëjtën gjë mund të bëjë edhe Emir Bajrami që po ashtu luan për Shpresat e Suedisë. Edhe dy ish-futbollistët e Përfaqësueses Shpresa të Zvicrës, Rijat Shala dhe Albert Bunjaku, kanë të drejtë të luajnë për Kosovën. Shala, tani 25-vjeçar, në të kaluarën kishte bërë mbi 20 paraqitje me U-21 e Zvicrës. Të njëjtën moshë ka edhe Albert Bunjaku tani pjesëtar i skuadrës së Bundesligës gjermane Nurnberg. Në këtë listë nuk mund të llogariten dy vëllezërit Hetemaj, Përparimi dhe Mehmeti. Të dy këta kanë luajtur për Përfaqësuesen U-21 të Finlandës, por kanë zhvilluar miqësore edhe me Përfaqësuesen A dhe kjo u prish punë që të vendosin për Kosovën. Në këtë listë Kosova mund të fusë edhe dy mbrojtësit Mërgim Mavraj dhe Beg Ferati. Mavraj 23-vjeçar ka zhvilluar ndeshje me U-21 e Gjermanisë, ndërsa edhe Ferati 22-vjeçar është pjesë e U-21 të Zvicrës.
Të tjerat
Rregullin e ri të aprovuar nga FIFA kanë nisur ta shfrytëzojnë menjëherë futbollistët e huaj. I pari që ka vendosur të përdorë këtë rregull është sulmuesi gjerman, Zhermen Xhons. Xhons ndonëse 27-vjeçar dhe ka tri paraqitje në miqësore me Gjermaninë ka marrë vendim të luajë për SHBA-në. “Zhermen Xhons ka informuar DFB-në se ka vendosur të luajë për SHBA-në”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga faqja zyrtare e Federatës së Futbollit të Gjermanisë.