Skela, oferta nga Kaljari dhe Torino
Mesfushori i Kombëtares, Ervin Skela, mund të rikthehet të luajë në Serinë A. Lajmi bëhet i ditur nga burime të sigurta pranë lojtarit, i cili gjithashtu nga ana e tij, ka konfirmuar në një bisedë për “Panorama”, ofertat e shumta, menjëherë pas largimit nga Energi Kotbus. Duket se do të jetë Kaljari, destinacioni i ardhshëm i vlonjatit, por gjithsesi ende nuk ka asgjë të sigurt. Për fantazistin, interesimi është shumë i madh, e sidomos nga klube të Bundesligës. Pikërisht, ekipi që mbylli një sezon të suksesshëm në Serinë A, Kaljari, kërkon me insistim 32-vjeçarin. Por në Itali nuk është vetëm skuadra sarde që do Skelën. Mësohet se Torino, ekipi që zbriti në Serinë B këtë sezon, ka kërkuar shërbimet e lojtarit. Në këtë moment të karrierës vlonjati nuk kërkon të nxitohet, edhe pse dëshiron që të vazhdojë të luajë në nivele të larta. Nëse Torino nuk është ndonjë mundësi e madhe, për faktin se nuk është më në Serinë A, për Kaljarin nuk mund të thuhet kështu. Mesfushori ka qenë pjesë e Askolit në periudhën korrik 2006 – janar 2007 dhe natyrisht që e ëndërron një rikthim në një nga kampionatet më të forta në botë. Por duke lënë pas emrat e Kaljarit dhe Torinos, thuajse gjysma e skuadrave të Bundesligës dëshirojnë të kenë Ervin Skelën në skuadër për sezonin e ardhshëm. Nëse para pak ditësh mediat gjermane publikuan lajmin se për shqiptarin interesohet Mainzi (këtu aktivizohet edhe Jahmir Hyka), në ditët e fundit lista e skuadrave është zgjeruar shumë. Me menaxherin e Skelës kanë kontaktuar përfaqësuesit e klubeve të Freiburgut, Nurnbergut dhe Borusias së Mynshengladabhut.