FIFA “ngatërron” sfidën Shqipëri-Hungari
Shqipëri-Hungari, ndeshja e gjashtë ndërkombëtare e kuqezinjve në eliminatoret e Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut”, është e tëra një sfidë “portokalli”. Qeveria e futbollit botëror, FIFA, për ta intriguar edhe më shumë sfidën midis dy teknikëve holandezë, Ari Hanit (Shqipëri) dhe Ervin Koemanit (Hungari) ka përcaktuar si “bilbil” një tjetër holandez, Bjorn Kuipers, për ndeshjen e 28 marsit në “Qemal Stafa”. Lajmi është zyrtarizuar edhe nga faqja e Federatës Holandeze të Futbollit, e ngacmuar nga ky detaj interesant. Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Budapest, Shqipëria humbi 2-0, njëherësh edhe humbja e vetme në katër ndeshjet e zhvilluara. Në katër takimet e para Shqipëria ka fituar me Maltën (3-0) dhe barazuar me Suedinë (0-0, në Tiranë) dhe Portugalinë (0-0, në Braga), duke grumbulluar 5 pikë, po aq sa Portugalia e Suedia. Shqipëria do të përballet me Maltën (11 shkurt) dhe një fitore në “Ta’Qali” do t’i jepte kryesimin e përkohshëm Shqipërisë, dhe ndeshja me Hungarinë është shumë e rëndësishme për Kombëtaren tonë, pasi edhe një fitore me skuadrën e Ervin Koemanit do ta çonte skuadrën tonë në kuotën e 11 pikëve, përpara se të përballej më pas me Danimarkën (2 herë), Portugalinë (në Tiranë) dhe Suedinë (në Stokholm).
Sebino Plaku, zyrtarisht i Dinamos
Sebino Plaku është zyrtarisht lojtar i Dinamos. Lajmi u konfirmua si nga klubi blu, ashtu dhe nga menaxheri i sulmuesit, Gëzim Mançe. Presidenti Besnik Sulaj pagoi shumën e kërkuar nga skuadra norvegjeze HamKam. 23-vjeçari Plaku ka luajtur vetëm një ndeshje me skuadrën norvegjeze në sezonin 2008. Karriera e Sebino Plakut përfshin Partizanin (10 ndeshje), Besëlidhjen (4 ndeshje), Laçin (5 ndeshje), Apoloninë (26 ndeshje, 15 gola) dhe së fundi Dinamon (32 ndeshje, 16 gola). Plaku është shënuesi më i mirë sezonal i Dinamos (8 gola) në 17 javët e para të Kampionatit të 70-të Kombëtar të Futbollit. Pas tij renditen Artion Poçi (3), Fatjon Sefa (2), Pape Diop (2), Frane Petricevic (1), Pllumb Jusufi (1), Nertil Ferraj (1). Plaku do të bashkohet me skuadrën në Antalia të Turqisë, atje ku Dinamo po zhvillon edhe fazën përgatitore. Dinamo do të zhvillojë një ndeshje miqësore me ukrainasit e Cernemorets të Odesës. Dinamo barazoi 1-1 në miqësoren e parë me Taraz, skuadër e Kategorisë së Parë nga Kazakistani dhe që synon ngjitjen në Premier Ligë. Golin për Dinamon e shënoi argjentinasi Ruben Oscar Çeko. Ky ishte goli i tij i parë me fanellën blu. Për Dinamon edhe Elis Bakaj bëri debutimin e tij të parë me 17-herë kampionët.
21 Janar 2009