E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA nuk tërhiqetmbron gafat e arbitrave

FIFA ka hedhur edhe njëherë poshtë mundësinë e përdorimit të teknologjisë në futboll, madje ka shkuar edhe më tej duke kritikuar transmetimin e aksioneve në stadiumin e Johanesburgut gjatë ndeshjes Argjentinë-Meksikë. Pas gafave të rënda të gjyqtarëve në ndeshjet e së dielës, sidomos mohimi i një goli të Anglisë përballë Gjermanisë, zëdhënësi i shtypit i FIFA-s Nikolas Maingot ka dalë sot përpara mediave, duke mos pranuar kurrsesi të flasë për gabime arbitrale, edhe pse Anglisë iu anulua një gol mëse i rregullt i Lampard, ndërsa goli i parë i Argjentinës ndaj Meksikës erdhi nga një pozicion jashtë loje i Tevez. Maingot ka refuzuar çdo lloj pyetje që lidhej me gafat e gjyqtarëve, të akuzuar botërisht për atë çfarë ndodhi në dy takimet e luajtura të dielën. “Nuk kemi ndërmend të hapim një debat në lidhje me mënyrën sesi do të veprojnë gjyqtarët në fushë, sepse nuk është momenti”, tha Maingot. Edhe pse i bombarduar me pyetjet për këto gabime, ai është shprehur se “ajo çfarë ndodhi në ndeshjen mes Argjentinës dhe Meksikës, ku imazhet e golit të Tevez u transmetuan në ekranin gjigand të pranishëm në stadium, është një gjë që nuk duhet të ndodhë më kurrë”. I pyetur në lidhje me përdorimin e moviolës në fushë, Maingot ka deklaruar se kjo i takon bordit drejtues të FIFA-s të vendosë. Ndonëse gabimet e gjyqtarëve nuk kanë munguar, ato dolën më në pah në dy ndeshjet e së dielës, Gjermani-Angli dhe Argjentinë-Meksikë. Tek e para, anësori uruguajan Espinoza nuk akordoi një gol të rregullt të Lampard, ndërsa tek e dyta, anësori italian lejoi një gol të parregullt të shënuar nga Karlos Tevez. Gabimet ishin aq trashanike sa në gjithë botën është ngritur një pikëpyetje e madhe në lidhje me besueshmërinë e arbitrave.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›