E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA procedim disiplinor për Maradonën

ARGJENTINE- FIFA ka vendosur të hapë një hetim në lidhje me sharjet e trajnerit të Argjentinës Diego Armando Maradona, drejtuar gazetarëve në fund të ndeshjes me Uruguajn. Presidenti Sep Blater në një konferencë shtypi në Kairo është shprehur se FIFA është e detyruar të hapë një procedim në këtë rast, pasi bëhet fjalë për ofendime të rënda. “Nga dosjet dhe informacionet që kam marrë, FIFA nuk ka çfarë të bëjë përveçse të hapë një proces disiplinor karshi Maradonës, - tha Blater. – Kjo përcaktohet nga neni 58 i rregullores sonë, që dënon këdo që ofendon me fjalë të tilla persona apo grupe personash”, u shpreh më tej ai. Blater tha gjithashtu se çështja do t’i takojë Komisionit Disiplinor dhe në fakt, Maradona rrezikon të pezullohet deri në 5 ndeshje. Kreu i FIFA-s dhe trajneri i Argjentinës njihen edhe për polemikat e tyre në të shkuarën, pasi Maradona ka qenë gjithnjë një kundërshtar i zvicerianit. Pas ndeshjes me Uruguajn, ai lëshoi sharje të rënda në adresë të gazetarëve dhe kritikëve të tij, duke përdorur fjalët më të ulta dhe vulgare, ç’ka detyroi edhe televizionet që ishin direkt, të kërkonin publikisht falje. Një ditë pas këtij skandali, Maradona ka kërkuar falje për mënyrën e rëndë, por vetëm për ata që sipas tij janë argjentinas të vërtetë dhe jo për anti-argjentinasit. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›