E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA refuzon anëtarësimin e futbollit kosovar

Nga Altin Latifi
FIFA ka refuzuar anëtarësimin e Kosovës, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të mbajtur të premten në Zyrih. Mosqënia pjesë e OKB-së duket faktori kryesor në këtë vendim, që është një goditje e rëndë për futbollin kosovar. Vendimi i sotëm i ka dhënë një goditje të rëndë sportit kosovar. Ndërkohë, presidenti Blater ka folur edhe për krizën ekonomike, duke sqaruar se ajo nuk ka prekur FIFA-n. 

ZYRIH- Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s ka hedhur poshtë kërkesën për anëtarësim në këtë organizëm të Federatës së Kosovës. Vendimi i institucionit kryesor të futbollit në botë u mor në mbledhjen e zhvilluar të premten në Zyrih dhe i jep një goditje të rëndë sportit kosovar, ndonëse një gjë e tillë ishte e pritshme nisur nga kërkesa që një Federatë duhet të jetë fillimisht anëtare e OKB-së.
Në vendim thuhet se Kosova nuk mund të zhvillojë as ndeshje miqësore me një anëtar që bën pjesë në FIFA. Në Kosovë shpresonin shumë tek precedenti i Ishujve Faroe, që edhe pse nuk ishte pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kishte mundur të anëtarësohej në organizmat qendrore të futbollit botëror.
Ndërkohë, ndër çështjet e tjera të diskutuara në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, ishte ajo e krizës ekonomike botërore. Presidenti Sep Blater tha se ajo nuk e ka prekur aspak FIFA-n.
“Jemi të privilegjuar nga ajo që po ndodh aktualisht, por jemi të përgatitur edhe për të ardhmen”, tha Blater. Ai tha gjithashtu se janë siguruar 650 milionë dollarë për Botërorët 2010 dhe 2014, në rast të ndonjë katastrofe natyrore apo të ndonjë lloji tjetër. Veç kësaj, ai konfirmoi vazhdimin e bisedimeve në lidhje me aplikimin e sistemit 6+5, pra 6 lojtarë vendas dhe 5 të huaj që duhet të jenë patjetër në një skuadër.(a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›