E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulaj: Me këtë Partizan, fitorja është e sigurt

Nga Altin Latifi
 

TIRANE- Më 17 maj Dinamo e tij arriti të fitonte me 9 futbollistë, ndërsa këtë herë do të ketë përballë një Partizan në një gjendje vërtetë të vështirë. Presidenti i bluve Besnik Sulaj nuk e diskuton fitoren në derbin e sotëm, duke besuar jo vetëm tek forca e ekipit të tij, por edhe te momenti jo shumë i mirë i kundërshtarit. Dinamo ndodhet 7 pikë larg kreut, megjithatë sipas kreut të saj, trajneri Daliç nuk rrezikon aspak. "Sepse ekipi po prodhon lojë", thotë Sulaj për "Gazetën Shqiptare". Dhe sipas tij, nëse arrin të prodhosh lojë, rezultatet nuk do të mungojnë. Ndoshta duke nisur që nga derbi i sotëm, ku Sulaj nuk pret asgjë tjetër përveç fitores.
President, përballja e parë me Partizanin pas asaj ndeshje të 17 majit...Çfarë prisni nga skuadra në këtë ndeshje?
Është një ndeshje e fortë, si çdo derbi, por nuk ka shumë ngjashmëri me atë të 17 majit. Atëherë luhej për titullin kampion, ishte një ndeshje shumë herë më ndryshe. Lojtarët futeshin në fushë për një ndeshje shumë herë më të rëndësishme dhe në fund arritëm të merrnim titullin. Ndërsa tani është thjeshtë një ndeshje e radhës, të cilën skuadra duhet ta fitojë patjetër që të vazhdojmë rrugën tonë.
Po nëse nuk fitoni...?
Nëse nuk fitojmë? Atëherë nuk jemi pretendentë, çfarë mund të them. Por, për mua fitorja është e sigurt në këtë ndeshje. Duke parë edhe motivimin e ekipit, por edhe gjendjen e kundërshtari. Ndaj këtij Partizani, për mua është një fitore e sigurt. Nuk kam fare dyshime për këtë.
Derbi është gjithnjë i vështirë, prisni të njëjtin shpirt gare si në "finalen" e 17 majit?
Mendoj se skuadra do të ketë patjetër shpirt gare. Derbi është derbi dhe nuk ka nevojë shumë për motivime të tjera. Futbollistët e ndjejnë vetë, e dinë që është një ndeshje ndryshe dhe futen në fushë më të motivuar.
Dinamo është një nga skuadrat me organikën më të pasur në Shqipëri, por 7 pikë larg vendit të parë. A rrezikon trajneri Daliç në rast se nuk fitohet ndaj Partizanit?
Trajneri Daliç ka një kontratë dy vjeçare me ne dhe do ta respektojmë deri në fund. Ai nuk rrezikon sepse ekipi është duke prodhuar lojë, pavarësisht se rezultatet nuk kanë qenë ato të priturat. Edhe në ndeshjen me Tiranën po ta shihni, skuadra luajti shumë mirë dhe në pjesën e dytë pati një mbyllje të Tiranës në portën e saj. Përderisa po prodhohet lojë, nuk ka dyshime që edhe rezultatet do të vijnë.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›