Kryeministri Berisha uron Kryetarin e Partisë Konservatore të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, për fitoren në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare
Në urimin e tij, Kryeministri Berisha shprehet:
“I nderuar Zoti Cameron,
Kam kënaqësinë e veçantë, që me rastin e fitores së Partisë Konservatore në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Mbretërinë e Bashkuar, t’ju dërgoj, në emrin tim, të qeverisë shqiptare dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë përshëndetjet dhe urimet e mia më të përzemërta e miqësore.
Me votën e tyre të lirë, qytetarët e vendit tuaj të madh, mik të Shqipërisë e shqiptarëve, përzgjodhën ju dhe platformën politike të Partisë Konservatore si alternativën më të mirë për adresimin e sfidave me të cilat përballet vendi juaj, në një kohë zhvillimesh të rëndësishme për Bashkimin Europian pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës dhe të rivitalizimit të ekonomisë botërore pas krizës së fundit financiare globale.
Kam ndjekur me vëmendje dhe kënaqësi vizionin dhe përkushtimin që ju keni dëshmuar gjatë kësaj periudhe dhe mbetem me bindjen e thellë se koalicioni që ju do të ndërtoni do të përligjë plotësisht aspiratat e qytetarëve britanikë për të ardhmen e tyre më të mirë.
Partia Demokratike e Shqipërisë, që në fillimet e saj, ka gjetur tek Partia Konservatore një aleate dhe mbështetëse shumë të fuqishme në përpjekjet e saj për demokraci e integrimin euroatlantik të Shqipërisë. Ne mbetemi të vendosur vendosur ta thellojmë e zgjerojmë edhe më tej këtë miqësi e bashkëpunim dobi të të mirës reciproke të të dy vendeve e popujve.
Ndaj shfrytëzoj rastin t’ju përcjell urimet më të mira për sukses të plotë në projektin dhe misionin tuaj fisnik së bashku me sigurimet e konsideratës sime më të lartë,
Juaji
SALI BERISHA
08/05/2010