E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË KONFERENCËN “Reformimi i sistemeve të imuniteteve në Shqipëri: Rruga përpara

18 tetor 2011

Të nderuar zotërinj e zonja deputete,
I nderuar zoti Ministër,
E nderuar zonja Prokurore e Përgjithshme,
I nderuar Ambasador Sekui,
Shkëlqesi Ambasadorë!

Është kënaqësi e veçantë për mua të marr pjesë dhe të përshëndes këtë konferencë që i dedikohet një teme të rëndësishme dhe themelore për funksionimin efiçent të shtetit të së drejtës dhe demokracisë, sistemit të imuniteteve dhe reformimit të tij. Gjej rastin të shpreh falenderimet e mia për “PACA” dhe “EURALIUS”, për rekomandimet profesionale dhe të drejtpërdrejta që ata kanë pregatitur dhe prezantuar para nesh, si dhe për organizimin e këtij takimi, ku politikanë, ekspertë dhe të ftuar të tjerë, të vendit dhe të huaj, do të njihen dhe japin mendimet e tyre për mundësitë e reformimit të sistemit të imuniteteve në Shqipëri!

Kjo konferencë organizohet shumë pak ditë pas daljes së Raportit të Bashkimit Evropian për zhvillimet në Shqipëri dhe si President i Republikës kam mirëpritur përmbajtjen realiste të tij dhe analizën e detajuar dhe të paanshme rreth zhvillimit dhe funksionimit të shtetit të së drejtës në vendin tonë.

Një pjesë e mirë e këtij dokumenti i është kushtuar korrupsionit dhe problematikës që shoqëron luftën ndaj këtij fenomeni. Në lexim institucional, konstatoj se Raporti konfirmon shqetësimin tim publik, se sistemi i imuniteteve është kthyer në pengesë për rritjen e forcës goditëse të luftës ndaj fenomeneve korruptive. Politikanë, gjyqtarë dhe zyrtarë të lartë, për shkak edhe të kësaj mbrojtjeje kushtetuese të tyre, ndihen të pakapshëm nga forca e ligjit.

Imuniteti, nga një institut i vendosur për të siguruar ushtrimin e lirë të detyrës dhe mandatit të dhënë, shpeshherë është kthyer në koracë mbrojtëse të papërgjeshmërisë dhe të korrupsionit. Zyrtarët e lartë, shpesh e kanë përdorur imunitetin jo si një mjet të dhënë nga Kushtetuta për të garantuar kontributin e tyre në shoqëri, por si një mburojë ndaj hetimit dhe ndjekjes penale për shkeljet e kryera prej tyre.

Gjithashtu, imuniteti nuk është vetëm pengesë për fillimin e ndjekjes penale dhe hetimin e një zyrtari. Por, kërkesa kushtetuese për dhënien e autorizimit nga insitucionet përkatëse për hetimin e një zyrtari, bën që sekretet hetimore të vihen në dizpozicion të shumë individëve. Në momentin kur zyrtari për të cilin kërkohet heqja e imunitetit vihet në dijeni, pa filluar ndjekja penale, për të gjitha provat në ngarkim të tij, kjo padyshim, do të cënonte dhe dobësonte hetimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar të këtij zyrtari.

Tashmë është e qartë për të gjithë se zhvillimet e shoqërisë dhe dinamika e institucioneve e bëjnë të domosdoshme diskutimin për reformimin e sistemit të imuniteteve. Ka ardhur koha që barazia para ligjit të mos jetë thjesht një parim i vendosur në Kushtetutë, por edhe një parim i realizuar dhe sa më i prekshëm. Vende të tjera evropiane e kanë bërë këtë vite përpara. Le t’u bashkohemi këtyre zhvillimeve pozitive europiane, duke e parë reformimin e imuniteteve jo si një detyrim në procesin e integrimit të Shqipërisë, por si nevojë për zhvillimin e vendit, si synim që i shërben një qeverisjeje demokratike dhe transparente.

Bazuar në këtë, sot është bërë imperative dhe mendoj se ka ardhur momenti të dalim nga frazeologjitë, deklaratat e njëanshme apo qoftë edhe nga vendimmarrjet e njëanshme. Unë mendoj se i gjithë ky proces duhet parë dhe duhet konsideruar si një sfidë e përbashkët e të gjitha partive parlamentare dhe për këtë kërkohet një vullnet i përbashkët që në planin politik të përkthehej në një konsensus per realizimin e kesaj reforme te domosdoshme. E konsideroj shumë të rendësishme që të gjendet sa më parë gjuha e përbashkët për të evituar që mosmarrëveshjet politike të pengojnë apo të ngadalësojnë diskutimet për reformimin e imuniteteve. Në pikëpamje praktike, vlerësoj se është e nevojshme që Kuvendi, nëpërmjet Komisionit të Ligjeve apo çfarëdo tjetër forme organizimi, të fillojë menjëherë nga puna që nën dritën e reformave kushtetuese që kanë kryer vende të tjera në këtë drejtim si dhe të rekomandimeve të paraqitura, të propozojë ndryshimet e nevojshme për reformimin e imuniteteve në Shqipëri.

Të nderuar pjesëmarrës,

Problematika që ngre raporti i Bashkimit Evropian për zhvillimet në Shqipëri është e gjerë dhe kërkon përpjekje të mëdha për ta përballuar. Jo vetëm çështja e korrupsionit dhe reformimi i imuniteteve, por analizimi i thellë dhe me paanshmëri i situatës politike, duhet të na bëjë të reflektojmë thellë, me qetësi dhe pa pasione politike.

Sot, Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për më tepër etikë komunikimi, më tepër dialog, më tepër bashkëpunim. Sot vendi ka më shumë nevojë për ngrohtësi dhe respekt ndaj njëri-tjetrit. Sot ka nevojë të ndërgjegjësohemi se sfida evropiane e Shqipërisë kërkon punë, përkushtim ndaj vlerave të zhvilluara evropiane, kërkon seriozitet dhe bashkëpunim.

Aspirata evropiane e Shqipërisë duhet të jetë një sfidë e përditshme për të gjithë shoqërinë tonë, për të gjitha institucionet, zyrtarët, politikanët, për ta bërë integrimin në familjen evropiane një bashkim real, një vlerë të rëndësishme që duam të arrijmë dhe jo thjesht një detyrim ndaj demokracive, natyrisht aty ku dëshirojmë të integrohemi. Modeli i shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike që duam të ndërtojmë nuk mund të jetë i suksesshëm nëse nuk ka bashkëpunim, nuk ka vlera qytetare dhe dialog të bazuar në argumenta dhe jo në mllefe politike dhe personale. Është momenti të ndërgjegjësohemi më shumë se kurrë se nga rezultati i kësaj sfide, nga suksesi apo mossuksesi në këtë luftë për zhvillimin e Shqipërisë evropiane, jemi të tërë të fituar ose të tërë të humbur.

Unë kam besim dhe jam optimist që të gjitha partitë politike, të gjithë individët profesionistë të fushës së drejtësisë, dhe ju siguroj që Shqipëria nuk ka pak, ka mjaft personalitete, që kanë mbi supet e tyre një trashëgimi të vyer, ka mjaft specialistë të cilët janë trajnuar gjatë këtyre viteve në shkollat më të mira, në institucionet më prestigjioze të Bashkimit Evropian, dhe do të dinë së bashku që të shkëmbejnë eksperiencën me vendimmarrjen politike për të arritur pikërisht në atë që ne së bashku jemi mbledhur për ta diskutuar dhe natyrisht për t’i hapur rrugë pastaj vendimmarrjes që vjen nga Parlamenti, për ta bërë atë një gjë konkrete dhe të zbatueshme, në funksion të demokracisë të shtetit të së drejtës, dhe të aspiratës që kanë të gjithë shqiptarët për t’iu bashkuar familjes evropiane.

Edhe njëherë, Ju faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›