E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT TË LARTË TË DREJTËSISË.

30 gusht 2007

Është një kënaqësi e veçantë që sot takohemi në funksion të mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, unë me një cilësi të re, me cilësinë e Kryetarit të KLD-së. Sigurisht, ky Këshill, si një forum kushtetues dhe ligjor për vetë natyrën dhe pozicionin që ka, me pjesëmarrjen në të të përfaqësuesve nga të tre pushtetet, por edhe më gjerë, çka i jep këtij forumi një status të veçantë, pikërisht për funksionimin e njërit prej elementeve më të rëndësishëm, atij të pushtetit gjyqësor, pushtet i cili ka nevojë natyrisht të përmirësohet më tej, të kualifikohet, ka nevojë t’i ngjajë më shumë asaj për të cilën është ndërtuar.

Ky forum është mjaft i rëndësishëm për t’i dhënë zgjidhje në vazhdimësi mjaft problemeve me të cilat përballet pushteti gjyqësor, në radhë të parë në zbatim me rigorozitet të Kushtetutës dhe të ligjeve për krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për realizimin e këtij funksioni kaq të rëndësishëm. Ne jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që problemet në drejtësi dhe në mënyrë specifike në pushtetin gjyqësor janë probleme me të cilat më shumë se kushdo tjetër ju jeni përballur çdo ditë. Të gjithë sot jemi të koshient që problemet jo vetëm ekzistojnë, ato nuk është se nuk dihen, por problemet duhet të shikohen me transparencë të plotë, problemet duhet të trajtohen me ndershmëri, duhet të trajtohen me shumë profesionalizëm, për të garantuar në radhë të parë pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe pushteteve të tjera.

Kjo sigurisht që nuk mund të merret në mënyrë të ndarë, por krahas saj të garantohet përmbushja e një detyre tjetër e pushtetit gjyqësor, e cila ka të bëjë drejtpërdrejt me figurën e gjyqtarit, ka të bëjë me figurën e gjithësecilit, duke filluar nga figura e Kryetarit të Shtetit dhe e gjithë personave që mbulojë strukturat e pushtetit gjyqësor, si dhe të gjithë personat që plotësojnë vendet në forumet e rëndësishme të këtij sistemi.

Natyrisht, për shkak të detyrave shtetërore dhe politike që kam pasur, jam koshient që vështirësitë janë të dukshme, por nuk janë të parealizueshme. E theksova dhe pak më parë dhe kjo është shumë e rëndësishme që, për të garantuar një pushtet gjyqësor të pavarur, në radhë të parë duhet të jesh i ndershëm. Në radhë të dytë është edhe një kusht tjetër - duhet të jesh profesionist! Në rast se realizojmë një kombimin të frytshëm të këtyre dy momenteve ne atëherë do të japim një imazh tjetër, për një mundësi tjetër të funksionimit të sistemit të drejtësisë, për të dhënë drejtësi dhe jo për të dhënë padrejtësi, për të dhënë drejtësi në funksion të shoqërisë dhe në funksion të popullit.

Problemet janë të shumta, janë probleme të akumuluara ditë pas dite dhe ajo që unë po them sot si Kryetar i Shtetit nuk është gjë tjetër veçse një përsëritje, apo një ripërsëritje e asaj që thonë qytetarët çdo ditë. Ky është vetëm një ekstrakt i asaj që thuhet çdo ditë, pra një ripërsëritje e asaj që thonë qytetarët, që thuhet nëpër ambjentet e institucioneve, që thuhet në rrugë dhe në mikrofonin e hapur. Është shumë e rëndësishmë që të gjithë së bashku të përballojmë sfidat që janë në vazhdimësi. Asgjë nuk do të ndërtohet nga e para. Unë sot këtu jam pasues i një Presidenti i cili është larguar brenda afateve kushtetuese. Jam në vijueshmëri të takimeve që ka Këshilli i Lartë e Drejtësisë, i krijuar dhe i formatuar, sipas Kushtetutës dhe ligjeve. Por, jemi këtu në një moment kur të gjithë së bashku duhet të motivohemi thellë ne menyre që të gjitha ato probleme që kanë të bëjnë me çfarë unë shpreha gjithësecili duhet t’i shikojë si motivim te punës së vet të përditshme.

Mbledhja e sotme, sipas rendit të ditës, është pjesë e kësaj veprimtarie kushtetuese dhe ligjore të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe që lidhet me hapat që ndërmerren për reformimin e pushtetit gjyqësor, ku në veçanti është diskutimi i propozimeve të Ministrit të Drejtësisë përsa i përket mënyrës si do të vihet në ekzekutim dekreti i Presidentit të Republikës për riorganizimin e shkallëve të para.

Çmoj se vendimmarrja jonë është e rëndësishmë për të garantuar që në fillim suksesin e këtij hapi të ndërmarrë. Prandaj, do të kërkoja nga të gjithë ju që të diskutoni hapur për të gjitha problemet, për të marrë vendime të matura dhe për t’i dhënë jetë atij procesi reformimi, i cili, ashtu sikurse thashë më parë, është në vijueshmëri të një dekreti të muajit qershor të këtij viti. Jo më pak të rëndësishme do të gjykoja çështje të tjera të rendit të ditës si verifikimin e anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe në veçanti prurjet e reja në Gjykata nga Shkolla e Magjistraturës, ku nga informacionet që kam kualiteti i këtyre individëve është për tu vlerësuar duke i dhënë kështu edhe një shans më shumë, edhe një mundësi më tepër që të rritet kualiteti i punës në strukturat e gjyqësorit.

Unë dëshiroj edhe një herë t’ju falenderoj dhe t’ju uroj të gjithëve punë të mbarë!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›