E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT TË LARTË TË DREJTËSISË NË PESHKOPI.

24 tetor 2008

Përshëndetje!

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë,
Të nderuar deputetë të pranishëm në këtë takim të hapur të KLD-së,
Të nderuar autoritete të pushtetit vendor,
Të nderuar qytetarë të qytetit të Peshkopisë,
Të nderuar qytetarë të Dibrës,

Është një kënaqësi e veçantë, ne sot ndodhemi këtu në Peshkopi si dëshmi e një premtimi të bërë në mënyrë publike në një mbledhje të radhës të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që mbledhjet e KLD-së do t’i bëjmë jo vetëm të hapura, do t’i bëjmë të alternuara, por e rëndësishme është që në filozofinë e re të KLD-së do të jenë si prioritet takimet e hapura, takimet kudo në të gjithë territorin shqiptar, për të bërë të mundur pikërisht atë që unë pashë duke ardhur në Pallatin e Kulturës: një banderolë ku shkruhej në mënyrë shumë elokuente, që një qytetar i informuar është një qytetar i lirë. Kështu që, nga kjo pikëpamje duke marrë në konsideratë gjithë atë ndershmëri qytetare të opinionit publik për domosdoshmërinë e një sistemi drejtësie, profesional, të pakorruptuar, i cili operon sipas standardeve, është pikërisht dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me publikun. E kam thënë dhe herë tjetër që çdokush kërkon që të jetë qytetar i një shteti të së drejtës. Padyshim që çështjet e drejtësisë nuk janë vetëm në Tiranë, çështja e drejtësisë diskutohet kudo në çdo qelizë të shtetit shqiptar dhe kjo është arsyeja që jo thjesh si një ekzibicion, por për të marrë substancën e kësaj filozofie, ne dëshirojmë të jemi pranë qytetarëve dhe të jemi shumë pranë shqetësimit të qytetarëve.

Padyshim që Këshilli i Lartë e Drejtësisë është jo vetëm i ndërgjegjshëm, por është edhe shumë i ndjeshëm edhe ndaj debatit publik, edhe ndaj debatit politik, por sidomos është i ndjeshëm ndaj kërkesave të kohës. Dhe kërkesat e kohës kërkojnë që sistemi i drejtësisë të jetë i konformizuar me të gjitha këto që kërkohen nga sistemi i drejtësisë dhe në të gjitha vendet kryesore të Shqipërisë, sepse jemi vërtet para sfidave të rëndësishme, ku politikisht kemi zgjidhur çështjen e integrimit në NATO dhe BE, por në këtë rrugë do të thoja mjaft të rëndësishme, të vështirë, kërkohet realizimi i standardeve. Dhe për sistemin e drejtësisë kërkohet një luftë pa kompromis për të rritur standardet, një luftë pa kompromis i ndërtimit ekonomik, krimit ordiner, por dhe kundër çdo simptome të korrupsionit. Besoj se një nga momentet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë sot, që ka të bëjë me standardet, është padiskutim përsosja e legjislacionit që natyrisht bëhet në parlamentin shqiptar. Është çështja e vullnetit politik të partive që domosdoshmërisht e bën kompatibël dhe profesional misionin kur politika bashkëpunon me profesionistët. Ne dëshirojmë, jo vetëm Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por të gjitha institucionet, së pari duhet filluar nga institucioni prej nga burojnë dy prej institucioneve të tjera, aty ku fillojnë ligjet, që të ketë një bashkëpunim shumë efiçent, sepse në një shtet demokratik, në një shtet të së drejtës është jetik bashkëpunimi mes institucioneve. Unë nuk mendoj që gjërat realizohen në një kohë kur bëhet aparente, kur po bëhet e hapur, kur po bëhet publike, kur kjo po bëhet mbi bazën e një bashkëpunimi të plotë dhe multifunksional, unë nuk mendoj që gjërat realizohen me peticion kur nuk ka bashkëpunim. Unë mendoj që ky është momenti më i rëndësishëm, prandaj edhe mesazhi im sot është që institucionet e kanë të domosdoshme jo vetëm nga fryma e Kushtetutës, po si domosdoshmëri e vendosjes së atyre direktivave të rëndësishme institucionale që të gjithë së bashku, në mënyrë sistematike të punojmë që të vendosim standardet dhe standardet fillojnë me shprehjen e vullnetit politik dhe pas shprehjes së vullnetit politik vjen patjetër një ligj i mirë, një ligj profesional, një ligj që nuk mund të ndërtohet në mënyrë metafizike vetëm nga një segment, por realizohet me standardet më të mira të mundshme duke patur një bashkëpunim të plotë mes të gjitha institucioneve. Unë dëshiroj patjetër që sot t’ju jap edhe një herë tjetër atë mesazh që kam dhënë edhe në takime të tjera: Ne kemi nevojë që të gjithë së bashku të ndërtojmë institucione të forta, institucione që nuk shërbejnë thjesht për momentin, por që janë institucione që do t’i shërbejnë perspektivës së një shteti të fortë shqiptar, i cili do të jetë nesër anëtar me të drejta të plota të NATO-s dhe anëtar i familjes së madhe europiane. Dhe në këtë mënyrë ne duhet të ravijëzojmë, pra të jemi koshient që të gjitha institucionet duhet të kenë fizionominë e tyre sipas kushtetutës dhe ligjit. Ne dëshirojmë që institucionet e drejtësisë çdo ditë e më shumë të bëhen të pavarura. Mos mendoni se institucionet e pavarura mund të realizohen brenda një dite, brenda një jave apo brenda një muaji. E rëndësishme është që mentaliteti i të gjithë intelektualëve, i të gjithë politikave dhe në mënyrë të veçantë i profesionistëve, të projektojë që institucionet e pavaruara janë një domosdoshmëri për të pasur një shtet demokratik, për të pasur një shtet të fortë, një shtet i cili do të garantojë atë që është lejtmotivi dhe besoj bazamenti i punës së të gjithë juristëve: qytetari të gëzojë të drejtën e tij legjitime për të gjitha problemet, për të gjitha çështjet, me të cilat ai përballet, qoftë në prokurori, qoftë në gjykatë. Ne dëshirojmë që në Shqipëri të mos ketë më procese politike, por ta kthejmë Shqipërinë në çdo qelizë të saj një shtet të së drejtës dhe nga ana tjetër nuk dëshirojmë që të ketë kontroll politik mbi institucionet e pavaruara. Pra kjo është një betejë demokratike, e cila nuk realizohet nga individë të veçantë, përkundrazi duhet krijuar një frymë ku gjykatësi, prokurori, politikani, përfaqësuesi i institucioneve, duhet të jenë koshient që kjo është një betejë për demokraci. Secili duhet të bëjë transparencën e vet tek vetvetja dhe në radhë të parë, ne ta kërkojmë tek sistemi i drejtësisë. Ju e dini shumë mirë që është krijuar një imazh, do të thoja mbi bazën e një vlerësimi afatgjatë për institucionet e drejtësisë dhe këtë imazh ne duhet ta ndryshojmë patjetër.

Ne sot jemi këtu me një axhendë konkrete. Jemi në Dibër për të demonstruar para autoriteteve të këtij qyteti të nderuar, të këtij qarku të nderuar dhe këtij komuniteti të nderuar, që ne jemi këtu për të qenë përkrah juristëve, të cilët e kanë mirëpritur ardhjen tonë në Dibër. Jemi përkrah autoriteteve, të cilët administrojnë jetën e qytetit dhe jemi përkrah komunitetit, i cili kërkon patjetër transparencë. Publiku ka nevojë të informohet. Kjo është e drejtë kushtetuese. Publiku nuk ka nevojë të çorientohet. Më duhet të bëj një apel për të gjithë, për të gjithë institucionet: kanë një përgjegjësi të drejtpërdrejtë për informimin e publikut. I njëjti apel i bëhet të gjitha institucioneve që e kanë të detyrueshëm operimin mbi bazën e komunikimit civil, e komunikimit qytetar, e komunikimit zyrtar dhe të detyrueshëm ligjor. Çdo gjë duhet të ezaurohet fillimisht nëpër zyra, pastaj të bëhet pjesë e një debati publik, sepse sikurse e thashë, është e domosdoshme që komuniteti duhet të informohet.
Por ne jemi zyrtarë, secili okupon mbi bazën e përgjegjësive të veta të profesionalizmit të tij një pozicion të nderuar, legjitim për gjithësecilin, por institucionet, individët që janë nëpër institucione, sidomos në sistemin e drejtësisë, duhet të gjejnë gjuhën e komunikimit, gjuhën e bashkëpunimit dhe pastaj të japin një imazh pozitiv në mjediset publike, sepse do ishte e pakëndshme që gjërat fillimisht të hidhen në mjedis publik dhe pastaj të kalohen në fazën bazale të diskutimit nëpër zyra. Fillimisht duhet të diskutohet mbi bazën e vullneteve nëpër zyra, të diskutohet në komunitete, të diskutojë politika me profesionistët, sikurse e kanë pranuar të gjithë, - nuk po e them unë për herë të parë, - në mënyrë që procesi të dalë i maturuar dhe nuk ka gjë më të dëshiruar që problemet që lidhen me drejtësinë, duhet patjetër që baza e legjislacionit të jetë e shëndoshë. Pra, nuk mjafton shprehja e një vullneti politik, por duhet që dhe ligjet për drejtësinë të jenë ligje të miratuara me një konsensus sa më të gjerë dhe kam parasysh këtu jo thjesht konsensuse politike, të cilat mund të realizohen dhe brenda ditës, por konsensus të gjerë. Që ligji të jetë patjetër sipas standardit, duhet të jetë patjetër komunikimi me juristët. Jemi mësuar t’i quajmë “grupe interesi”, por ka një konotacion jo fort të këndshëm “grup interesi”, por me njerëz që punojnë në institucione. Ne duam që të vendosim kollona të forta në sistemin e drejtësisë, në mënyrë që ky sistem të ketë një lloj vetëpastrimi. Duhet të kemi kurajon të themi që ky sistem e ka jetike të vetëpastrohet. Vetëpastrimi vjen pikërisht nga njerëzit më cilësorë, nga njerëzit më kurajozë, të cilët janë në pozicione të rëndësishme dhe kjo është shumë e vlefshme edhe për KLD-në, i cili nuk është një institucion që merret vetëm me dënimet, por që është një institucion që ka një gamë të gjerë të administrimit të problemeve dhe qeverisjes së pushtetit gjyqësor. Ne, edhe në shkurt të vitit 2008, jemi marrë me problemet e gjykimit dhe të rasteve të shkeljeve abuzive nga gjyqtarët, por sot axhenda është shumë eksplicite në këtë sens, sepse kërkohet që sistemi i drejtësisë të mos reformohet thjesht mbi bazën e deklaratave verbale, por të ketë patjetër dhe një vështrim shumë transparent të të gjitha gjërave dhe shkeljeve në mënyrë që gjyqtarët dhe prokurorët të dinë që sot ka një ambient tjetër edhe në sistemin e drejtësisë: kërkohet drejtësi, drejtësi dhe vetëm drejtësi. Dhe drejtësia, sikurse thashë nuk është një gjë që lidhet thjesht me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Drejtësia lidhet me një vullnet të plotë dhe me një angazhim multiinstitucional. Dhe unë e shikoj që kjo dëshirë është kudo. E rëndësishme është që të forcojmë bashkëpunimin dhe secili nga ju, që ka një personalitet të vlerësuar, duhet ta forcojë personalitetin e tij për të qenë më autonom. Pra, autonomia fillon në momentin kur njeriu e ndjen veten të ndershëm, sepse nuk është objekt intimidimi dhe e dyta kur e ndjen veten profesionist. Kështu që punoni në këto dy drejtime, sepse atëherë do të jeni realisht të pavarur. Dhe këtë pavarësi nuk do ta konsumoni për vehte, por këtë pavarësi do ta transmetoni tek të gjithë, sepse para se të jetë një induksion psikologjik,çështja e autonomisë, e seriozitetit dhe autoritetit të pushtetit gjyqësor është një çështje e perceptimit publik. Një njeri që ka probleme me drejtësinë, që fillon me çështjet e pronësisë dhe me shumë çështje të tjera, që është i detyruar të shkojë në prokurori apo në gjykatë, ai e shikon situatën në mënyrë shumë realiste. Shpesh herë zyrtarët largohen nga terreni, mbyllen nëpër zyra, merren me çështje. Nuk dua të bëj komente për ato që fliten në publik, por edhe ato janë pjesë shumë të rëndësishme të simptomave patologjike që ka në momente të caktuara ky sistem, pra duhet të bëjmë atë që kemi thënë dhe që kemi deklaruar: nuk ka gjë më të rëndësishme, sidomos për sistemin e drejtësisë, gjë që nuk vlen për politikën, sepse politika shkon shpeshherë edhe me konjuktura politike, mund ta ndryshojë pozicionin sipas interesave politike, por për drejtësinë shinat janë të përcaktuara. Për drejtësinë ka kushtetutë, për drejtësinë ka ligj, për drejtësinë ka ndershmëri dhe për drejtësinë ka profesionalizëm. Në këtë sens dhe me këtë lloj ndershmërie duhet të ecim të gjithë në mënyrë që gradualisht të heqim atë imazh negativ që kemi për drejtësinë dhe gradualisht të fitojmë betejën për të fituar besimin e qytetarëve. Se besimi tek qytetarët fitohet në komunikim, në transparencë dhe në vendimmarrje. Kjo është arsyeja që ne jemi sot këtu. Unë sikurse e thashë, përtej alternimit që mund të bëj në mbledhjet e KLD-së në Tiranë, ju paralajmëroj që takimi tjetër do të bëhet në qytetin e Vlorës.

Do të ecim me këtë filozofi, me këtë sens, me këtë ritëm. Do të kërkojmë marrëdhënie civile. Marrëdhënie civile janë marrëdhënie të qytetarit të botës demokratike dhe të përparuar. Këtë duhet ta kërkojmë tek gjithësecili. Duhet të fillojmë me një lloj predispozicioni personal, që gjërat të trajtohen në mënyrë civile, profesionale dhe me sensin e kohezionit për vendimmarrje ligjore dhe vendimmarrje në funksion të qytetarit. Unë ju uroj punë të mbarë në këtë seancë të rëndësishme sot dhe kemi sikurse e thashë disa pika. Unë do t’i anonçoj:

1. Shqyrtimin e propozimit të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës për emërimin e drejtorit të shkollës së Magjistraturës.
2. Procedimin disiplinor me kërkesë të Ministrit të Drejtësisë, ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, Murat Lleshi.
3. Vazhdimin e shqyrtimit të çështjes në lidhje me shkarkimin e gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Mirela Mishgjoni.

Dhe më pas disa pika të tjera:

1. Procedimin disiplinor me kërkesë të Ministrit të Drejtësisë ndaj gjyqtarit të Gjykatës të Apelit Ushtarak Tiranë, (të suprimuar) Shaqir Gradica.
2. Procedimin disiplinor me kërkesë të Ministrit të Drejtësisë ndaj gjyqtarit të Gjykatës të Apelit Ushtarak Tiranë, (të suprimuar) Ylli Minka.
3. Procedimin disiplinor me kërkesë të Ministrit të Drejtësisë ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Ushtarak Tiranë (të suprimuar) Naun Pejo.
4. Procedimin disiplinor me kërkesë të Ministrit të Drejtësisë ndaj gjyqtares të Gjykatës së Apelit Vlorë, Meme Rexho.
5. Procedimin disiplinor me kërkesë të Ministrit të Drejtësisë ndaj gjyqtarit Alaudin Malaj, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Për të ruajtur traditën, unë falënderoj përfaqësuesit e medias, të cilët në përfundim të mbledhjes së sotme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të kenë një komunikim nëpërmjet zëdhënësit të KLD-së.

Ju faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›