E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe komuniteteve fetare në Shqipëri

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe komuniteteve fetare në Shqipëri. 

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm  drejtuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri, Kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Haxhi Ing. Selim Muça. Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Baba Dede Reshat Bardhi dhe Arqipeshkvi i Durrësit dhe Tiranës, Imzot Rrok Mirdita. Në ceremoni morën pjesë edhe Ministri i Turizmit Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango dhe Kryetari i Komitetit të Kulteve, Rasim Hasanaj. 

Kryeministri vlerësoi se kjo marrëveshje që firmoset sot mes qeverisë shqiptare dhe autoriteteve më të larta fetare në vend shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet midis shtetit shqiptar dhe besimeve fetare në Shqipëri.

“Nuk ka patur dhe nuk ka njollë më të zezë në tërë historinë tonë kombëtare se sa barbaria ateiste e imponuar”, u shpreh Kryeministri duke iu referuar ndalimit të besimit fetar gjatë regjimit diktatorial.
Kryeministri Berisha vlerësoi personalitetet fetare, të cilat me shpejtësi rivendosën traditën dhe gjënë më të çmuar që ka kombi shqiptar, tolerancën, harmoninë dhe bashkëpunimin fetar.

Në një kohë kur dallimet fetare kulturore ndjellin përplasje, vijoi Kryeministri, shqiptarët janë modeli se si ato ndjellin bashkëpunim, mirëkuptim dhe harmoni.
Marrëveshja e nënshkruar krijon lehtësira fiskale duke përjashtuar komunitetet fetare nga taksat dhe mundëson përshpejtimin e punës për rikthimin dhe kompensimin e pronave të tyre.

Gjithashtu marrëveshja parashikon hartimin e një ligji specifik për financimin e bashkësive fetare nga shteti duke u bazuar në përvojën europiane për mbështetjen e veprimtarive të bashkësive fetare.
Kryetari i Komitetit të Kulteve, Rasim Hasanaj duke falenderuar qeverinë për mbështetjen e vazhdueshme që u ka dhënë komuniteteve fetare në vend, ndëra theksoi se në projektligjin për fenë që do të përgatitet do të gjejnë pasqyrim edhe problemet që do të kenë bashkësitë dhe grupet e tjera fetare.

Z. Hasanaj tha se vetëm gjatë këtij viti qeveria ka akorduar 2 milionë dollarë për resturimin e objekteve të kultit pa llogaritur investimet për infrastrukturën rrugore që çon në objektet e kultit dhe sidomos në vendet e pelegrinazhit. 
Përfaqësuesit e komuniteteve fetare shprehën falenderimet e tyre ndaj qeverisë për ndihmën që u ka dhënë atyre gjatë gjithë kësaj kohe.

Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh: 

Marrëveshja që ne sot firmosim me autoritetet më të larta fetare të vendit shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet midis shtetit shqiptar dhe  besimeve fetare në Shqipëri. Por nuk mund të mos theksoj se kjo marrëveshje në vetvete mbart detyrimin madhor të këtij shteti për t`u paraqitur një ndjesë të thellë, një falje të gjithë atyre klerikëve shqiptarë, besimtarëve shqiptarë që për besimin tek Zoti, tek e vërteta u flijuan, u sakrifikuan, por qëndruan të pamposhtuar, pasuruan altarin e martirëve të këtij kombi, me vlera që ndrisin dhe do ndrisin përjetë. Është me vend për të paraqitur një ndjesë ndaj të gjithë besimtarëve shqiptarë që një regjim, që një shtet me një akt të paprecedent në këtë shkallë në histori, jo të kombit, por të Europës i privoi ata nga mundësia e shërbimit të fundit, i privoi ata nga mundësia e ndarjes nga familja dhe shoqëria me shërbimet që meritonin.

Është një rast për të kërkuar ndjesë për shkatërrimin dhe barbarinë që iu bë kryeveprave të trashëgimnisë fetare dhe kulturore të kombit që qëndronin realisht si margaritarë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe më gjerë me vlerat, lashtësinë, dëshminë, arkivin dhe gjithcka tjetër. Në të gjitha të drejtat që ka një njeri dhe që meriton t`i gëzojë, njëra është e drejta e të gjitha të drejtave, njëra është më privatja,më e pafajshmja, më themelorja, e drejta e besimit. 

Pra me këtë marrëveshje ne mbyllim një kapitull më të hidhurin, më të nxirin në historinë e këtij kombi. Nuk ka patur  dhe nuk ka njollë më të zezë në tërë historinë tonë kombëtare se sa barbaria ateiste e imponuar. Marrëveshja hap një kapitull të ri dhe këtu një meritë të madhe kanë këta burra të shquar, kanë bashkëpunëtorët e tyre, kanë dhe personalitete të mëdha shpirtërore që sot nuk janë dhe ne i nderojmë ato sot, si Haxhi Hafiz Sabri Koçi, imzot Fran Ilia e shumë të tjerë, të cilët në mundësinë e parë të krijuar iu përkushtuan rindërtimit të infrastrukturës shpirtërore të kombit me një vetëmohim, me një përkushtim të jashtëzakonshëm duke kaluar me qindra dhe mijëra vështirësi, ia dolën t`i rikthejnë kombit gurrat e mëdha të ushqimit shpirtëror të tij. Dhe jo vetëm kaq, por të rivendosin me shpejtësi traditën, gjënë më të çmuar që ka kombi shqiptar, tolerancën fetare, harmoninë dhe bashkëpunimin  fetar, në një kohë kur dallimet fetare kulturore ndjellin përplasje, shqiptarët janë modeli se si ato ndjellin bashkëpunim , mirëkuptim dhe harmoni. Ndaj marrëveshja është një  dokument historik dhe dua t`ju garantoj ju udhëheqësve më të lartë të besimeve të mëdha të kombit se do të bëjë çdo përpjekje për zbatimin e saj, për jetësimin e saj në interesin më të mirë të vendit dhe kombit.

Qeveria ka bërë përpjekje për restaurimin e institucioneve të kultit. Më të mëdha do të jenë ato. Ne do të restaurojmë, ne do t`ia rikthejmë kombit vlerat që u rrënuan. Isha në Berat dhe kam porositur që të rindërtohen të gjitha kishat e Mangalenit, xhamitë dhe teqetë. Ne do t`i rikthejmë vendit të gjitha vlerat e rrënuara, do t`i rindërtojmë ato, sot kemi 2 milionë, më shumë do të kemi nesër dhe më shumë do të vendosim. Me një projekt të infrastrukturës së bregut orientimi kryesor është rindërtimi i institucioneve të kultit.

Ka një moment shumë pozitiv në këtë marrëveshje. Marrëveshja detyron qeverinë të bëjë ligjin e financimit të besimeve fetare. Nuk përbën kjo cënim të sekularizmit, përkundrazi i jep fund një përjashtimi të pamerituar, sepse po të jetë çështja në rrafshin fiskal, aksionerë në këtë vend janë të gjithë qytetarët, të gjithë ata që paguajnë taksa. Pra me këtë ligj i jepet fund një përjashtimi të pamerituar dhe unë zotohem dhe do të kërkoj nga Kryetari i Komitetit të Kulteve, z. Hasanaj të krijojë grupin për të hartuar ligjin në mënyrë që komunitetet fetare të kenë të gjitha mundësitë e ushtrimit normal të veprimtarisë së tyre.

Dua ta mbyll këtë fjalë me bindjen më të thellë se kjo marrëveshje dhe jetësimi i saj fisnikëron, lartëson shumë shoqërinë dhe vendin tonë. Ndaj dhe më mbetet edhe njëherë të zotohem para jush dhe të gjithë besimtarëve shqiptarë se qeveria ime do të punojë me përkushtimin më të madh për jetësimin e saj. E konsideroj këtë një moment historik në përputhje me Kushtetutën, por kjo marrëveshje do të jetë kushtetuta e besimeve fetare. 
 


24/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›