E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi priti sot Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Ali Babacan.

23 tetor 2008

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot në Pallatin e Brigadave një takim të përzemërt e miqësor me Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Ali Babacan dhe delegacionin zyrtar që e shoqëron.

Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona, duke falenderuar Turqinë për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme dhënë vendit tonë në proceset integruese në strukturat euro-atlantike. Kryetari i shtetit vlerësoi bashkëpunimin dhe ndihmesën e dhënë nga Turqia në fushën e mbrojtjes dhe shëndetësisë, duke evidentuar rëndësinë e mbështetjes politike nga ana e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Presidenti Topi vlerësoi gjithashtu pozicionin e qartë të Turqisë për njohjen e menjëhershme të shtetit të ri të Kosovës.

Kreu i shtetit vuri në dukje gjithashtu rritjen e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve tona dhe vlerësoi rritjen e shkëmbimeve tregtare çka ka bërë që Turqia të jetë një partner shumë i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar, si dhe siguroi se Shqipëria do të vazhdojë të mirëpresë investime të tjera në sektorë kyç si energjia, telekomunikacioni, turizmi, arsimi, shëndetësia, etj.

Nga ana e tij, Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Ali Babacan, shprehu kënaqësinë për takimin e ngrohtë dhe theksoi se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm Shqipërinë në të gjitha fushat me interes reciprok duke theksuar nevojën e rritjes së mëtejshme të investitorëve dhe pranisë së kompanive turke në vendin tonë.

Z. Babacan vlerësoi marrëdhëniet e gjithanshme mes dy vendeve tona dhe pasi vuri në dukje rolin moderator dhe të ekuilibruar të Shqipërisë si një faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon, nënvizoi mbështetjen e plotë të Turqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Europian.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›