E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në ceremoninë e inaugurimit të fabrikës së re të çimentos, në Lezhë

“Sot, ne inaugurojmë fillimin e punimeve për një investim me vlerë 250 milion euro, ndër më të mëdhatë në historinë e vendit, nga kompania “Fassa”-Berberi”, për ndërtimin këtu, në malin e Rrenzit, në Lezhë, të një fabrike çimentoje, me kapacitet prej 3 mijë ton në ditë. Kjo fabrikë, së bashku me fabrika të tjera të prodhimit të çimentos në vend, do të plotësojë nevojat në rritje për çimento në tregun vendas, si dhe për eksport.

Me këtë rast, dua t’i shpreh falënderimin zotërinjve Fassa dhe Berberi, për vendimin që kanë marrë për të investuar në këtë zonë, për të punësuar qytetarët e saj dhe për të krijuar mundësinë e fuqizimit të sektorit të ndërtimit, si motori i zhvillimit të vendit.

Qeveria ka bërë përpjekje të mëdha për krijimin e një klime miqësore për biznesin. Ajo ka vendosur barrën fiskale më të ulët në Europë, ka eliminuar dhe do të eliminojë një seri pengesash burokratike. Por dua të jem i sinqertë me ju. Ajo ka gjetur edhe një psikologji të trashëguar jo kaq mirëkuptuese ndaj investimeve dhe investitorëve. Ne duhet t’i themi problemet hapur, në mënyrë që t’i ndryshojmë ato. 3 vjet më parë, kur u ndesha me këtë psikologji, kjo ishte ajo çka më trishtoi më shumë, por mbeta i vendosur të bëj çdo përpjekje për ndryshimin e saj. Nuk ka vend në Europë e botë që të ketë nevojë më shumë për investime të huaja, sesa Shqipëria. Këto investime janë jetike për zhvillimin e vendit, ashtu siç është ajri për fluturimin e zogjve. Ndaj unë dua të falënderoj ata, qindra e mijëra punonjës të administratës, të qeverisë lokale, të cilët e shndërruan çështjen e investimeve në një çështje të parë të veprimtarisë së tyre. Një shembull i shkëlqyer në këtë drejtim është Lezha. Në sajë të krijimit të kësaj psikologjie miqësore ndaj investimeve, unë mund t’u them shqiptarëve se projektet që kanë filluar apo parashikohet të fillojnë punën në Lezhë i tejkalojnë 1 miliard euro. Ato përfshijnë edhe pionierin e tyre “Colacem”. E theksoj këtë, sepse pa këtë psikologji të qëndrimit miqësor, këto projekte nuk do të bëheshin të mundura. Ndaj ju ftoj të bëjmë përpjekje të përbashkëta për të lehtësuar me çdo kusht investimet vendase e të huaja.

Në industrinë e çimentos në Fushë Krujë e Lezhë deri tani janë investuar mbi 500 milion euro, si dhe 800 milion të tjera janë në parapërgatitje. Unë i dëgjoj me vëmendje të madhe të gjithë investitorët dhe i garantoj se zëri i tyre do të dëgjohet me seriozitet nga qeveria, por ju ftoj që bashkërisht t’u përmbahemi standardeve dhe të kërkojmë standardet më të mira. Paolo Fassa sjell këtu teknologjinë më të avancuar në këtë fushë. Ai vjen këtu për të respektuar standardet më të mira të BE-së, të cilat i respekton edhe në vendin tij dhe kudo që ndërton.

Ne jemi vend me pasuri minerare përrallore. Ne kemi kodra gëlqerore nga Fushë Kruja deri në Urën e Mesit, që janë pasuri e jashtëzakonshme për industrinë e materialeve të ndërtimit. Ne do t’i shfrytëzojmë ato me kriteret më të mira. Ne jemi një vend me depozita minerare gjigante dhe unë kam kërkuar që Shqipëria të anëtarësohet në grupin e 20 vendeve, nismë e Tony Blear, që bën shfrytëzimin më racional dhe transparent të pasurive minerare dhe miqësor ndaj komunitetit dhe mjedisit.

Ashtu si ajri, edhe investimet janë jetike për Shqipërinë dhe ne do t’i nxisim ato. Persistenca e këtyre zotërinjve më ka impresionuar shumë dhe jam përpjekur t’i ndihmoj. Këta kanë bërë një punë të shkëlqyer. Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të shkurtuar barrierat burokratike  ndaj investitorëve. Nuk janë shkresat e panumërta ato që japin siguri, por është serioziteti dhe zbatimi i ligjit, ajo çka përcakton sigurinë në çdo hap tonin.

Zoti ambasador,

3 vjet më parë, unë zhvillova një vizitë në Romë. Natyrisht, vizita ishte politike dhe gjatë saj, ne, me ndihmën e Institutit italian për Tregtinë e Jashtme, organizuam edhe një takim me investitorë italianë. Në atë takim, pozicioni ynë ishte jo i favorshëm, sepse qindra e mijëra investitorë italianë ishin larguar nga vendi im. Në atë takim, unë i garantova investitorët italianë se ajo kohë ka marrë fund dhe se unë do të bëja çdo përpjekje që ata të ktheheshin të investonin në Shqipëri e të regjistronin histori suksesi me investimet tyre këtu. Paolo Fassa është një nga ata që është kthyer, por janë edhe dhjetëra e qindra të tjerë. Ndaj të vazhdojmë bashkëpunimin, sepse kjo është mënyrë më e sigurt që marrëdhëniet e shkëlqyera politike, ekonomike, ushtarake, në fushën e arsimit dhe në të gjitha fushat të njohin horizonte të reja më të mëdha bashkëpunimi.

Ju faleminderit.”


24/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›