E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në interpelancë, në Kuvend

Zonja Kryetare,

zonja deputete,

zotërinj deputetë,

të dashur qytetarë e qytetare të vendit,

Për mua është një rast i veçantë që, nëpërmjet kësaj interpelance, të njoh qytetarët shqiptarë se çfarë bëhet me pasuritë e këtij vendi. E bëj këtë, me një kënaqësi  të veçantë, jo se ne kemi arritur të përsosurën, por sepse me programin, përpjekjen tonë, ne jemi ata që i rishndërruam qytetarët shqiptarë në pronarë dhe vendosëm në pronësinë e tyre, Shqipërinë e tërë.

Në muret  e këtij parlamenti mund të lexohet  beteja dyjavore e vitit  1991, kur krahu i majtë  i asaj kohe donte me çdo kusht, t’u jepte fermerëve  shqiptarë tokën si argat.  Ajo ka qenë një beteje  e ashpër dhe e vendosur. Betejë në të cilën ideja  jonë, e frymëzuar nga parimet e Xhefersonit  mbi tokën, u bë realitet në ligj për  460 mijë familje, fermerë  shqiptarë.  Sigurisht, ne nuk ishin në pushtet, por, pas fitores plebishitare të vitit 1992, akti i parë më madhor i këtij krahu që qëndron sot, këtu, ishte  ndarja sipas ligjit, e tokës dhe shndërrimi në pronar të 460 mijë familjeve shqiptare, të cilat pothuajse për gjysmë shekulli punonin si skllevër të vërtetë, në një sistem të pashpirt antivlerash.

Historia është histori. Aty ishin themelet. Dhe është po kjo mazhorancë, e cila ka në arkivin e saj trashëgiminë më të shkëlqyer të vendosjes në dispozicion në pronësi të aseteve  të këtij vendi  dhe vlerave të tij, qytetarëve shqiptarë, pa dallime të asnjë lloji.  Është po kjo mazhorancë që vendin më hiperkolektiv të planetit e privatizoi dhe ia doli që një hark kohor të shkurtër  katërvjeçar, Prodhimi i Brendshëm Bruto në 80 përqind të  tij të ishte rezultat i supeve, mendjes, mundit dhe djersës së shqiptarëve të lirë, pronarë dhe sipërmarrës. Është kjo mazhorancë, e cila do ta sillte ekonominë shqiptare nga një ekonomi tërësisht të falimentuar, me një recension ndër më të thellët që shkonte minus 20 përqind, me një inflacion 3 shifror, me një deficit buxhetor katastrofal, me reformat e thella që ndërmerrte u dha shqiptarëve stabilitetin makro ekonomik, bëri të mundur që ata me punën, mundin dhe djersën e tyre të zhvillojnë pronat e tyre dhe t’i japin vendit një rritje dy shifrore. Është kjo mazhorancë që vendosi asaj kohe barrën fiskale më të ulët në Europë, zbatoi me përpikëri  të madhe atë që quhej  Regan Economics. Doktrina e Reganit u shndërrua  në platformën frymëzuese të mazhorancës. Doktrinë, e cila vendos në epiqendër të besimit dhe të të gjithave iniciativën e lirë të qytetarëve.  Doktrinë, e cila i thotë qeverisë ndërhyrjen më minimale në aktivitetet ekonomike të qytetarëve, i thotë qeverisë, mos harro se ti je problemi. Me këtë postulat të famshëm, Regani u ka dorëzuar të gjithë atyre që duan të qeverisin me transparencë dhe përgjegjësi, edhe çelësin e fitores  nga zgjedhjet në zgjedhje, sepse asnjë qeveri dhe qeveritar nuk mund të bëhet pjesë e zgjidhjes, pa pranuar përgjegjësinë që ka vetë në problemin e dhënë dhe dilni ju e i bini borive, sa të doni dhe ku të doni, se Berisha pohoi se qeveria  është problemi. Berisha pohon  dhe do të pohojë se qeveria  është problemi dhe mbi këtë bazë, Berisha do të bëjë gjithçka që t’i japë zgjidhje problemit dhe janë pikërisht këto zgjidhje, ato që të sjellin fitoret plebishitare të Berishës. Është pikërisht kjo zgjidhje, ajo që ka bërë që Berisha, edhe i ulur në opozitë, këtu, ishte në qeveri faktikisht. Jo në karriget e qeveritarëve, por në qeverinë morale të vendit, të cilën ju nuk pranoni ta merrni.

Sot është votuar në Bundestagun Gjerman në unison, nga të gjithë krahët, që qeveria gjermane të vendosë në ndihmë të vendeve në vështirësi 211 miliardë Euro, në fondin e Bashkimit Europian. E votoi edhe opozita, sepse do të jetë qeveria morale, kurse ju keni frikë nga vota juaj. Ju nuk votoni ligjet me 3/5 se mendoni se po i bëni nder  Sali Berishës, se harroni se ligjet nuk kanë lidhje me qeverinë, por ligjet janë interesi i çdo qytetari.

Zonja dhe zotërinj,

Ne nuk kemi asgjë më shumë të rëndësishme, sesa mëkëmbjen dhe prosperitetin e qytetarëve të këtij vendi. Më lejoni t’ju raportoj se nga viti 2005 deri në këtë vit, mazhoranca ka vendosur në fondin e pensioneve 56 miliardë lekë. Në tete vite, kemi vendosur në fondin e pensioneve 13 miliardë lekë. Ne e kemi gjetur fondin e pensioneve gjithsej 50 miliardë, sot është 106 miliardë. Pensionistët shqiptarë meritojnë  206 dhe më shumë. Një gjë kemi bërë, kemi treguar ndjeshmërinë, përkushtimin, dhembshurinë më të madhe të mundshme ndaj tyre dhe si  asnjë qeveri tjetër në Europë, kemi mbidyfishuar në një hark të shkurtër kohor, fondin e pensioneve.  Dhe këta nuk janë një e dy, por janë 520 mijë familje shqiptare.

Kjo qeveri, pikërisht duke vënë qytetarin të parin dhe interesat e tij ekonomike, si  interesa jetike, ka bërë që kjo administratë shtetërore, sot është 33 përqind më e vogël se në vitin 2005. Dua t’i informoj qytetarët shqiptarë se raporti  i fundit i Institutit Fraser dhe Bankës Botërore, fakton se administrata shqiptare grupohet në 10 administratat më të vogla të planetit. Kjo do të thotë se ka koston më minimale se çdo qeveri tjetër. Kjo qeveri është rreth katër herë më  e vogël, sesa qeveritë e vendeve për rreth. Në sajë të politikës së rrogave, nga 48 miliardë që shpenzonit ju, sot shpenzohen 67 miliardë dhe këtu përfshihen rreth 80 mijë familje të tjera shqiptare.

Me ardhjen tonë në pushtet, ne gjetëm rrogën minimale 100 dollarë. Mos harroni, të nderuar zotërinj, se sot pensioni minimal është 100 dollarë në qytet dhe do të bëhet së shpejti gjatë viteve që vijnë kaq edhe në fshat. Kurse rroga minimale është përcaktuar këtë vit 210 dollarë. Kjo politikë ka bërë që pasuritë enorme të këtij vendi të shkrihen dhe të shkojnë në drejtim të qytetarëve. Vetëm në vitin 2004, vendi pranonte gjithsej 300 mijë vizitorë e turistë. 3.5 milionë pranoi vitin e kaluar. Ku shkonin këta turistë? Shqipëria ka gjithsej 1000 hotele për t’i pritur, që nuk mjaftojnë as për ¼ e tyre. Që të gjithë shkojnë në familjet shqiptare, të cilave nuk u troket kurrë në derë taksidari. Por këto të ardhura ata i përdorin për të zgjeruar kapacitete e tyre mikpritëse, i përdorin për të arreduar shtëpitë e tyre. E vërteta është se studimi dëshmon se  në zonën turistike bregdetare, varfëria është në nivelet më të ulëta që mund të ekzistojë. A është kjo një shpërndarje e pasurisë kombëtare, apo jo?! Ultësira bregdetare përbën një nga zonat më të populluara të këtij vendi, por ka edhe një mbështetje të fuqishme nga tregu i ultësirës bregdetare.

Pra, a shndërrohen apo jo në pasuri të qytetarëve pasuritë e këtij vendi?

Deri në vitin 2007, për 30 vite më radhë pas ndërtimit të hidrocentralit të fundit, ujërat e bollshme të këtij vendi derdheshin në detet e liqenet e tij. Sot, si në asnjë vend tjetër, ato po shndërrohen çdo ditë e më shumë në burime të rëndësishme energjetike . Po kështu rezulton nëse ju hedh një sy lejeve dhe licencave.

Të nderuar zotërinj,

Kjo qeveri është qeveri e bazuar në ligje dhe këtë e ka faktuar në mënyrë të përsëritur. Por nëse ju doni të vendosni kontratat që keni firmosur vetë, si hipotekë e kësaj qeverie, nuk është serioze. Ne kemi bërë një gjë, kemi respektuar kontratat, pavarësisht se kush i ka firmosur para nesh, pavarësisht se mund të kemi pasur vërejtjet tona të shumta. Por unë që jam sot, këtu, i detyruar, që për hir të dinjitetit të këtij vendi, të pranoj edhe borxhet antikushtetuese të Enver Hoxhës e Ramiz Alisë dhe t’i paguaj ato. Kur unë jam bërë President i këtij vendi, Banka e Shtetit ka pasur vetëm 4 milionë dollarë, - aty janë të dhënat që e tregojnë këtë gjë - dhe fondi i pensioneve ka qenë zero. Por borxhin e njoha, borxhit i qëndrova dhe borxhin e paguam. Ju kërkoni të grisni kontratat që i keni firmosur ju dhe këtë, ne nuk mund ta bëjmë, sepse ligji tregtar është ligj tregtar dhe ai nuk ka të bëjë me qeverinë, por ka të bëjë me të drejtat civile dhe tregtare të atyre që i firmosin, të cilat kanë vlerën e një të drejte kushtetuese, në rrafshin civil. Përse ju zotërinj kërkoni të plotësojmë këtë gjë? I merrni ato kontrata dhe i çoni në Gjykatë dhe i ndiqni ato, meqenëse ju duken të padrejta. Paditni veten tuaj dhe shihni sa do fitoni. Më thoni cilën kontratë ka firmosur me cen kjo qeveri? Mos i merrni gjërat nga bursa e shpifjeve, por i merrni nga të vërtetat.

Jeni përpjekur të përbaltni procesin e koncesioneve, që shndrit në historinë e koncesioneve në Europë dhe në botë, që, si asnjë vend tjetër, janë firmosur në një hark kohor  2-3 vjeçar kontrata për ndërtimin e 220 hidrocentraleve. Krijoni komision hetimor dhe i analizoni një për një ato, por i konfrontoni me ligjet, se ku janë shkelur. Mos mendoni se lufta për motive politike jep rezultat. U faktua kjo, pati një prag; 140 mijë vota më shumë në zgjedhjet e fundit. Jua kisha thënë më para, 17 deputetë më shumë, por ju kërkoj ndjesë se, pasi u përllogaritën votat nga ata që kanë shpërndarë mandatet në vitin 2009, rezulton diferenca 18 deputetë dhe  ju garantoj se do të shkojë në 30 deputetë po të vazhdoni të  sulmoni në këtë mënyrë, pa fakte dhe argumente. Ne gabojmë, kemi të meta, por nuk është e nevojshme kjo.


29/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›