E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rrugën Gjinar – Elbasan, investim me vlerë 500 milionë lekë

Kryeministri Berisha inauguroi sot përfundimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Gjinar – Elbasan. Rruga, me gjatësi 21 kilometër, është investim i buxhetit të shtetit me vlerë 500 milionë lekë. Ky segment rrugor jo vetëm lehtëson lëvizjen për 15 mijë banorët e fermerët e komunave Shushicë dhe Gjinar, por do të sjellë një impakt edhe në zhvillimin e turizmit malor, bujqësisë dhe blegtorisë në të 7 fshatrat që përshkon.

Duke i uruar banorët për rrugën e re dhe duke i garantuar për mbështetjen e qeverisë, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari ju përshëndes përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë që ndaj me ju sot gëzimin e inaugurimit të kësaj rruge jetike për 15 mijë banorë të komunave Shushicë dhe Gjinar, një prej zonave më të rëndësishme turistike të qarkut të Elbasanit. Është një rrugë me gjatësi 21 kilometra dhe një investim prej rreth 500 milionë lekë. Unë, gjithashtu, dua t’ju përshëndes ju, grave dhe burrave punëtorë të kësaj zone që me punën tuaj, duke soditur shtëpitë dhe parcelat e tokës sheh se si ju me mund dhe djersë i keni qëndisur ato, frymëzoni çdo njeri. Jam i bindur se kjo rrugë do të shtojë vlerat e mundit dhe djersës tuaj. Kjo rrugë ju afron ju shumë me tregun e Elbasanit, por në një hark të shkurtër kohor, pas përfundimit të autostradës Tiranë – Elbasan dhe tunelit të Kërrabës, faktikisht ju afroheni me kryeqytetin mbi dy herë.

Unë jam këtu për t’ju garantuar ju se qeveria do të mbështesë çdo projekt të kryetarit të komunës tuaj, të këshillit të komunës tuaj dhe se kjo rrugë do të vazhdojë drejt Zavalinës dhe zonave të tjera. Ne do të bëjmë gjithçka që ju me punën tuaj, mundin e djersën tuaj, të jetoni sa më mirë. Ne në tërësi po largohemi nga një e shkuar që nuk e kemi merituar, por është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe shpresëdhënëse se ne mund të begatohemi aty ku jemi, se ne kemi të gjitha mundësitë për ta bërë më të begatë veten, familjen dhe vendin. Duke ardhur për këtu tek ju pashë se nga Elbasani e deri këtu keni mbjellë mijëra e mijëra rrënjë drurësh frutorë. Unë ju siguroj se mbjellja e drurëve frutorë është një nga aktet më të mençura, një nga vendimet më të mençura që ne mund të marrim për të siguruar shtimin e të ardhurave për çdo familje shqiptare. Ne kemi ndërmarrë dy projekte të mëdha, projektin e ullirit dhe projektin e arrorëve. Por fermerët le të mbjellin çdo dru tjetër frutorë që pëlqejnë dhe që mendojnë se në tokën e tyre prodhon më shumë. Vitin e ardhshëm në buxhet, në fondin që përcaktojmë për komunat, ne do ta ndajmë me ligj fondin që komunat duhet ta shpërndajnë për mbjelljen e ullinjve aty ku ulliri rritet, si dhe për mbjelljen e arrorëve, të cilat rriten në të katër anët e këtij vendi dhe që janë të cilësisë më të lartë.

Kryetarët e komunave dhe këshillat kanë në dorë që së bashku me ju të shndërrojnë komunat e tyre, fshatrat e komunave dhe vendin në tërësi në njërin prej kopshteve më të mëdha të Evropës. Ne po ecim dhe sot jemi të integruar në tregun evropian, por ne me Evropën nuk konkurrojmë dot me grurin, ndonëse edhe atë duhet ta prodhojmë, nuk konkurrojmë dot me misrin në fushat e pamata të saj, por ne mund të konkurrojmë me fruta, të cilët janë të shijeve më të mira. Me drurët frutorë ne do të mund të shumëfishojmë sipërfaqet e mbjella në këtë vend. Ne duhet të imagjinojmë të paimagjinueshmen dhe ju garantoj se do e realizojmë atë. E paimagjinueshmja është kur ne të zëvendësojmë çdo dru në trojet dhe tokat e fermerëve me dru frutorë, kur ne të zëvendësojmë çdo dru buzë rrugëve dhe përrenjve të territorit me arra, lajthi dhe dru të tjerë frutorë, kur ne të imagjinojmë që të mbjellim pyje frutore. Toka është e bekuar. Nuk ka tokë që të japë frute më të shijshme se toka shqiptare. Kjo është rruga me të cilën ne do të krijojmë pasuri kudo. Ne do të krijojmë pasuri në çdo pëllëmbë e në çdo metër katrorë të kësaj toke.

Ne kemi krijuar në vend klimën më të shkëlqyer të biznesit dhe kjo klimë ka bërë që Shqipëria të qëndrojë gjithë këto vite krize në krye të rritjes ekonomike në Evropë. Kjo klimë ka bërë të mundur që të ndërtojmë në një hark kohor 5 - 6 vjeçar mbi tetë mijë kilometra rrugë, njëra prej të cilave dhe rruga që inauguruam sot. Kjo klimë ka bërë të mundur që të dyfishojmë pensionet në fshatra, që të dyfishojmë rrogat, por prapë këto nuk mjaftojnë për të qenë aty ku e meritojmë. Ndaj dhe duhet të shohim çdo ditë se çfarë mund të bëjmë më shumë për begatimin tonë, për begatimin e familjeve tona. Ju jeni dëshmitarë se çfarë bumi turistik po përjeton vendi. Nga 300 mijë turistë dhe vizitorë që vitin në vitin 2004, vitin e kaluar ishin 3.5 milionë. Dhe ky është një burim i madh të ardhurash. Por jemi absolutisht vetëm në fillimet e këtij potenciali të jashtëzakonshëm. Ndaj dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për ta bërë çdo zonë të këtij vendi një zonë turistike. Ata që përfitojnë më shumë nga kjo, direkt pas pronarëve të lokaleve dhe hoteleve, janë fermerët. Në rast se vitin e kaluar u dyfishua numri i popullatës në Shqipëri për shkak të vizitorëve dhe turistëve, sigurisht që u dyfishua edhe i gjithë tregu për prodhimet tuaja.

Vëllezër e motra,

Ne kemi një projekt dhe ky projekt është:Shqipëria vend i zhvilluar. Ne persistojmë në këtë projekt dhe jemi të sigurt se së bashku, shumë shpejt, do të arrijmë këtë objektivë. Shqipëria vend i zhvilluar është kryevepra, është mrekullia më e madhe e jetës suaj, e jetës së burrave dhe grave në mbarë vendin, që djersinë, që punojnë nga mëngjesi deri në darkë për jetë më të mirë, për një Shqipëri më të mirë. Ne jemi të vendosur të flasim me vepra me ju. Ju, më shumë se për çdo gjë tjetër, keni nevojë për rrugë dhe ne po i ndërtojmë ato. Në qarkun e Elbasanit ne kemi ndërtuar 220 kilometra rrugë. Ju garantoj se dhe 400 kolimetra të tjera do të ndërtohen në të katër anët e këtij qarku. Do të përfundojmë autostradën Tiranë – Elbasan, Boshtin e Jugut dhe segmentin Berat - Elbasan, do të ndërtojmë një seri rrugësh rurale nga Gramshi deri në Stërblevë dhe skajet e tjera të këtij qarku. Ne do të rindërtojmë dhe ndërtojmë çdo shkollë, çdo qendër shëndetësore. Ne do të bëjmë gjithçka që aty ku ju jetoni të keni kushte të njëjta në infrastrukturë me lagjet e Elbasanit, të Tiranës dhe gjithë qyteteve të vendit. Ne do të bëjmë çdo gjë që mundi dhe djersa juaj të marrë vlerën më maksimale. Kjo është alternativa jonë.

Ne së bashku kemi arritur objektiva të mëdha, kemi realizuar ëndrra shekullore. Ëndrra e fundit e madhe ishte liberalizimi i vizave. Sot ju lëvizni të lirë në mbarë Evropën. Ju lëvizni të lirë, sepse qeveria me reformat e saj bëri gjithçka në mënyrë që ju të meritoni lëvizjen e lirë. Pagoi çdo çmim të nevojshëm dhe ia doli të realizojë liberalizimin e vizave. Por duhet të jemi të sinqertë, vizat u liberalizuan gjithashtu dhe për faktin, sepse ata që përdorin pushtetin për bllokimin e vendit nuk i bllokuan dot, ndonëse bënë fushatë të fuqishme kundra tyre, brenda dhe jashtë vendit. Unë dua t’ju shtroj një pyetje atyre që kanë votuar për ta, se sa e moralshme, sa e drejtë, sa e ndershme është përpjekja për të bllokuar lëvizjen tuaj të lirë dhe të mbarë shqiptarëve. Këtë nuk e ka bërë asnjë forcë politike në Evropë. Këtë e ka bërë vetëm lidershipi i Partisë Socialiste. Dhe e ka bërë, sepse disfatat e tij personale do me çdo kusht t’i shndërrojë në një të keqe për secilin prej jush. Si mund të pranohet vota kundër për çdo gjë? Vizat nuk ishin për Sali Berishën, sepse ai lëviz me pasaportë diplomatike. Vizat nuk ishin as për deputetët e Partisë Demokratike, sepse deputetët e Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste lëvizin. Vizat ishin për ju që robtoheshit për t’i marrë. Vizat ishin për qindra e mijëra nëna e baballarë që u përvëlohej shpirti për të takuar fëmijët e tyre, nipërit dhe mbesat e tyre në ekzil. Por vizat u morën. Erdhi problemi i tunelit të Elbasanit dhe autostradës Tiranë – Elbasan. I ftoni ata deputetët tuaj socialistë dhe i pyesni se me çfarë motivi e çfarë morali votuan kundër tunelit dhe autostradës? Cila është arsyeja njerëzore që mund të bënin një veprim i tillë? Cilëve nga qytetarët e kësaj krahine, të këtij rrethi, të Beratit, të Dumresë, të Korçës, të Leskovikut, të Ersekës, të Pogradecit u intereson mosndërtimi i autostradës Tiranë- Elbasan? Asnjërit prej tyre. Dhe pse duhej votuar kundër, sepse kjo do regjistrohej si një sukses i qeverisë Berisha.

Unë ju siguroj se pavarësisht nga këto qëndroj më i vendosur se kurrë të bëj gjithçka për ju, për interesat tuaja, duke patur vetëdijen e thellë se sado që të bëjmë ne për ju, ju bëni shumë herë më tepër për vete dhe këtë vend. Sikundër garantoj të gjithë zgjedhësit, elektoratin  e opozitës se kam patur dhe kam respektin më të palëkundur ndaj saj dhe asgjë s’do më lëkundë nga qëndrimi për të respektuar vendin dhe rolin e saj, por e vërteta është se rruga e zgjedhur është kryekëput rruga  e bllokimit.

Vëllezër, imagjinoni ju se çfarë propozon. Reforma elektorale, mirë se të vish, urdhëro zoti Rama të ulemi, të punojmë me konsensus. Kemi 52 rekomandime, t’i adresojmë ato një nga një, që të gjitha, pa asnjë hezitim. Ai kërkon rregullore parlamenti, të shkuarën, me të shkuarën, me të djeshmen, jo të shkuarën e largët, por edhe e djeshmja na duket e largët. Ne shohim përpara. Urdhëro të marrim rregulloren  e parlamentit evropian dhe në qoftë se rregullorja e këtij parlamenti ka qoftë edhe një nen që nuk përputhet me rregulloren e tempullit të demokracisë evropian, urdhëro ta ndryshojmë, por ai nuk i do këto. Këto i ka thjesht farsë. Njëlloj si në vjeshtën e vitit 2009. Ai i kërkon këto vetëm e vetëm që të shkojë drejt Kongresit dhe të marrë vendimet  e tij, vendime të cilat do i japin në 2013 disfatën më të thellë që ka njohur në tërë historinë e vet. Nuk do reformë zgjedhore, përkundrazi do me çdo kusht ta bllokojë atë, nuk do reformë të rregullores së parlamentit, përkundrazi do me çdo kusht ta bllokojë atë. Njeriu që ka shndërruar bllokimin në parzmore të tij dhe kujton se nuk e sheh kush. Të gjithë e shohin. Me bllokimin, zoti Rama ke shkuar nga disfata në disfatë. Je i bërë i famshëm në Shqipëri dhe në Evropë për disfatat e njëpasnjëshme që ke përjetuar nga e para, tek e fundit që ishte disfata personale. Në Tiranë qytetarët të ndëshkuan me 10 mijë e 907 vota më shumë për koalicionin e “Aleancës për qytetarin”. Duke parë veten në këto rrethana përpiqet me çdo kusht se si të dëmtojë interesin personal të secilit prej jush, të çdo shqiptari. Ju garantoj se interesi juaj më i madh është ligji dhe zbatimi i tij dhe kjo qeveri do të qëndrojë fuqishëm në zbatimin e çdo ligji të vendit. Interesi juaj jetik dhe i çdo qytetari është kushtetuta dhe zbatimi i saj. Ju garantoj se çdo qytetar në këtë vend, çdo zyrtar i këtij vendi do të qëndrojë nën ligjet  e saj.

Edhe njëherë ju përshëndes, ju uroj dhe ju garantoj se çdo projekt i kryetarit tuaj të komunës, këshillit tuaj do të mbështetet fuqishëm nga qeveria.”


30/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›