E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret ambasadoren e Francës, znj. Maryse Daviet, me rastin e përfundimit të mandatit

Kryeministri Berisha priti sot, në takim, ambasadoren e Francës në vendin tonë, zonjën Maryse Daviet, me rastin e përfundimit të mandatit.

Kryeministri  Berisha e falënderoi përzemërsisht ambasadoren Daviet për ndjenjat dhe dashurinë e saj për vendin dhe popullin tonë, si dhe për të gjithë mbështetjen dhe kontributin e saj për çuarjen përpara të marrëdhënieve bilaterale, të cilat, theksoi kryeministri, janë në nivelin më të lartë. Ai theksoi se ambasadorja Daviet ka qenë një mike e madhe e Shqipërisë. Kryeministri theksoi se Shqipëria, si një vend anëtar i Organizatës së Frankofonisë  është shumë e lidhur me vlerat e saj dhe vlerësoi rolin e ambasadores Daviet në ruajtjen dhe promovimin e këtyre vlerave në Shqipëri.

Ambasadorja Daviet e falënderoi Kryeministrin për vlerësimin për kontributin e saj, shprehu respektin e madhe për Shqipërinë dhe popullin shqiptar dhe theksoi se duke kryer detyrën si diplomate në interes të vendit të saj, ajo i kishte shërbyer gjithashtu forcimit të marrëdhënieve dypalëshe në çdo aspekt. Në këtë drejtim, ajo u ndal në një numër projektesh të përbashkëta që synojnë modernizimin në fusha të ndryshme të administratës, ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare. Ambasadorja Daviet theksoi se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është themelor për modernizimin e vendit dhe shoqërisë. Ajo i konsideroi shqiptarët e integruar në shoqëritë perëndimore, në mënyrë të veçantë në Francë, si përfaqësuesit më të mirë të Shqipërisë në botë.

Kryeministri  e siguroi ambasadoren se integrimi në Europë mbetet prioriteti kryesor dhe se ky integrim duhet të bazohet në respektimin e Kushtetutës, institucioneve dhe shtetit të së drejtës, si kushte themelore për një demokraci të qëndrueshme.

Pas takimit, Kryeministri shtroi një drekë për nder të ambasadores Daviet, në një nga rezidencat qeveritare.


29/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›