FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË SAMITIN E SHTATË TË KRERËVE TË SHTETEVE TË EVROPËS JUGLINDORE.

4 qershor 2009
Cetinjë, Mal i Zi
I nderuar President i Republikës së Malit të Zi,
I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i UNESKO-s,
I nderuar Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës,
Të nderuar kolegë,
Zonja dhe Zotërinj,
Më lejoni fillimisht të pohoj kënaqësinë e veçantë për praninë në këtë Forum të sotëm që ka instaluar në mënyrë të pakthyeshme dhe në nivelet më të larta politike një traditë të mirëpritur të kulturës së dialogut, mes shteteve të rajonit, në drejtim të mbrojtjes dhe nxitjes së larmisë së trashëgimisë kulturore dhe të shpreh bindjen se takimi në qytetin historik dhe mikëpritës të Cetinjës do t’i shërbejë këtij qëllimi dhe interesave të vendeve dhe kombeve të rajonit tonë.
Shqipëria mendon se nisma e Drejtorit të Përgjithshëm të UNESKO-s, Koiçiro Macura, për takimet tona periodike, së cilës ju bashkuan organizata me rëndësi ndërkombëtare dhe rajonale, siç janë Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian, e vendosën, trashëgiminë materiale e shpirtërore të rajonit në zemër të axhendës së bashkëpunimit politik, duke krijuar një atmosferë të re të fqinjësisë së mirë e mirëkuptimit të ndërsjellë.
Është përgjegjësia jonë historike të pajtojmë të kaluarën me të tashmen dhe të jetojmë harmonikisht e në paqe me bashkëkohësinë tonë, duke larguar paragjykimet, stereotipet dhe keqkuptimet e çdo lloji ndërmjet popujve të rajonit, aty ku ato ekzistojnë ende. Këtë frymë kanë nevojë t’ju transmetojmë brezave të rinj, si një produkt, me karakter universal, të bashkëjetesës dhe si një garanci për një të ardhme më vitale të identitetit tonë kulturor.
Shqipëria dhe bota shqiptare, ngahera të prirura drejt vokacionit multikulturor, ka kontribuar në përpilimin e politikave të vendeve të UNESKO-s, Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, me synim zbutjen e ndikimeve negative që proceset e globalizimit dhe të shndërrimeve sociale mund të sillnin mbi qëndrueshmërinë e trashëgimisë fizike, natyrore, materiale dhe asaj që e konsiderojmë si një trashëgimi të gjallë, shpirtërore apo jomateriale. Kështu ne ishin nga të parët që e mbështetën adoptimin e Konventës së UNESKO-s për Mbrojtjen dhe Nxitjen e Shprehjeve kulturore, një instrument unik në duart e bashkësisë ndërkombëtare, për njohjen e specifikës së çdo produkti kulturor, por edhe individualitetit aq sa edhe unitetit të popujve, historive dhe kulturave të botës.
Shqipëria ka një strategji ambicioze të zhvillimit të turizmit kulturor, e cila si pjesë e pandarë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim e Integrim, vendos hallka strukturore ndërmjet mbi dy mijë monumenteve të saj historike, pasurisë muzeale, siteve kulturore e natyrore, praktikave dhe shprehjeve të ndryshme kulturore, nëpërmjet edukimit artistik, dialogut ndërkulturor dhe ekzistencës multikonfesionale.
Në korrik të vitit të kaluar, me regjistrimin e Beratit, qytetit të “një mbi një dritareve” në Listën e Trashëgimisë Botërore, Shqipëria realizoi krijimin e një Trekëndëshi të Artë të trashëgimisë, duke bërë të mundur, veç njohjes, evidentimin, mbrojtjen dhe mirëadministrimin e këtyre tre siteve të mrekullueshme, sipas standardeve gjerësisht të pranuara e që nxisin potencialet e turizmit kulturor.
Të nderuar kolegë,
Është vërtet një privilegj që, një rajon i vogël si yni u komunikon kulturave të tjera një trashëgimi mijëvjeçare, të gjithanshme e unikale. Por shtrirja e larmisë së kulturave, krahasimit të tyre dhe instalimit të një dialogu të vërtetë ndërkulturor kërkon nga ne pjesëmarrjen aktive në Aleancën e Qytetërimeve.
Shqipëria, në vigjilje të Forumit të Stambollit, miratoi Strategjinë e Dialogut Ndërkulturor, Planin dyvjeçar të Veprimit, si dhe ngriti Komitetin ndërdikasterial për implementimin e këtyre dokumentave themelorë.
Forumi për Dialogun Ndërfetar në Evropën Juglindore që u organizua në Tiranë më 16 janar të këtij viti, duke u prirur drejt instalimit të një dialogu të hapur e të sinqertë mbi trashëgiminë e gjithanshme ndërfetare të rajonit tonë, vendosi baza solide për identifikimin e praktikave pozitive e të mirëmenaxhimit të larmisë së besimeve dhe kulturave të ndryshme që e përbëjnë atë. Shqipëria, nëpërmjet historisë së saj dhe shembullit unik në këtë drejtim mbetet e angazhuar të nxitë harmoninë dhe të largojë paragjykimet, stereotipet dhe keqkuptimeve ndërkonfesionale në rajon e më gjerë.
Në këtë këndvështrim, Shqipëria mbështet propozimin për mbajtjen e Konferencës së Sarajevës gjatë vitit 2009, e cila do të synojë të dalë me një Strategji Rajonale për Dialogun Ndërkulturor ndërmjet vendeve të Europës Juglindore, në bashkëpunim me Sekretariatin e Aleancës së Qytetërimeve, agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe organizmat e tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë e rajonalë, ku vendi ynë aderon.
Ashtu edhe çdo nismë tjetër me karakter turistik apo kulturor rajonal nuk mund të lerë jashtë as ekzistencen e aspak kontributin po aq të çmuar të popullit të Kosovës dhe të këtij vendi sa të bukur aq edhe të lashtë në historinë e vjetër dhe aq të vyer në historinë e re të tolerancës dhe të bashkëjetesës etnike dhe atë të besimeve.
Duke marrë parasysh përgjegjësinë shumë të madhe që ka lidershipi i Kosovës në ruajtjen e trashëgimisë së paçmueshme kulturore dhe fetare në Kosovë, përgjegjësi të cilën, qeveria e Kosovës e ka me përkushtim të madh, përjashtimi i saj nga ky forum nuk i shërben interesit të përgjithshëm të rajonit. Kosova duhet të luajë me përgjegjësi një rol në këmbimet rajonale të politikave, ekonomisë, kulturës e sporteve. Është gjithashtu në interesin edhe të vendeve që akoma nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës të pranojnë angazhimin që qeveria e Kosovës do të ushtrojë në përgjegjësitë për ruajtjen e kulturës, në bashkëpunim me fqinjët.
Unë vlerësova shumë prononcimin e paraardhësve, prononcimin mjaft të rëndësishëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Terri Devis, i cili e konsideron shkëmbimin e kulturave si një element qytetar dhe pa paragjykime. Natyrisht, kështu duhet të jenë edhe raportet në rajonin tonë. Ne nuk mund të mbyllim sytë kur ka realitete të reja gjeopolitike në rajon. Unë besoj që lidershipi modern i rajonit tonë, i cili ka ditur të qëndrojë rreth tavolinave multilaterale për të diskutuar çështje shumë të rëndësishme të komunikimit dhe të realizojë politika, të cilat e kanë bërë rajonin ballkanik më të qetë, patjetër do të dijë të pranojë edhe realitete të tjera, sepse politika kurrsesi nuk mund të pengojë interlokutorët institucionalë që i shërbejnë kulturës së qytetërimit, përkundrazi, politika duhet t’i promovojë këta elementë shumë të rëndësishëm që ne po diskutojmë sot.
Republika e Kosovës përbën sot shembullin se si e ardhmja e bashkëjetesës së fëmijëve tanë sfidon të kaluarën, sado e dhimshme qoftë ajo, se si në rajonin tonë nuk ka vetëm një histori të shkuar por edhe një shpresë për një të ardhme të re të përbashkët ku të gjithë ne duhet të besojmë dhe ta mbështesim.
Shqipëria beson në këtë fryme dhe do ta mbështesë atë për t’i shërbyer me sinqeritet përmirësimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve ndëretnike e ndërshtetërore, në të gjithë rajonin tonë.
Ju falemnderit!