Kryeministri: Katër vitet që vijnë janë vendimtare për projektin tonë të dytë madhor të shekullit të 21-të, Shqipëria në Europë
Kryeministri Berisha zhvilloi sot paradite një takim me qytetarë të Kuçovës, në të cilin u shpreh:
“Të dashur qytetarë të Kuçovës,
ju përshëndes përzemërsisht, ju falënderoj për të gjithë mbështetjen dhe kontributin tuaj dhe ju ftoj të vazhdojmë së bashku ndryshimin e nisur. Të vazhdojmë së bashku punën tonë drejt të ardhmes europiane, drejt Kuçovës europiane, Shqipërisë europiane.
Në katër vite, me punën e përkushtimin tonë të gjithë së bashku ia dolëm që Kuçova dhe Shqipëria të jenë anëtarë të NATO-s.
Ne ia dolëm së bashku të dyfishojmë pensionet në fshat dhe t’i rrisim ato 50 deri në 70 përqind në qytet.
Ne ia dolëm që Shqipërisë t’i kthejmë emrin e mirë që meriton, ta bëjmë atë të përfillur nga mbarë bota.
Ne ia dolëm që në Shqipëri të vijë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ne ia dolëm që Shqipëria të anëtarësohet në NATO, të aplikojë si vend anëtar në Bashkimin Europian dhe të jetë e gatshme që, brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë, qytetarët shqiptarë të lëvizin të lirë në mbarë Europën.
Kuçova europiane, Shqipëria europiane do të thotë, para së gjithash, infrastrukturë moderne europiane në Kuçovë dhe në mbarë Shqipërinë. Këtu, ka nisur me shpejtësi rruga Kuçovë-Belsh-Cërrik, segment i rëndësishëm i boshtit të jugut, bosht që e shndërron Beratin dhe Kuçovën në një nyje jashtëzakonisht të rëndësishme të qarkullimit dhe transportit në vend.
Ne jemi sot këtu për t’u zotuar para jush se do të asfaltojmë çdo rrugë e rrugicë të këtij qyteti, komunave dhe rrethit tuaj, si dhe të mbarë Shqipërisë.
Qytetare dhe qytetarë të Kuçovës,
për Kuçovën europiane dhe Shqipërinë europiane, kusht vendimtar është që ju të gëzoni ato të drejta, kushtet dhe perspektivën që gëzojnë edhe qytetarët e vendeve anëtare të BE-së. Ndaj unë jam sot, këtu, për t’u zotuar para jush që katër vitet që vijnë pagat dhe pensionet tuaja e të mbarë shqiptarëve do të parakalojnë pagat e pensionet e 6 vendeve anëtare të BE-së. Qëllimi ynë është pensione e paga të larta për ju dhe mbarë shqiptarët.
Katër vitet që vijnë do të jenë vitet, në të cilat ne do të garantojmë ujin 24 orë në Kuçove e mbarë Shqipërinë.
Katër vitet që vijnë do të jenë vitet e punësimit masiv të shqiptarëve. Puna është një nga dy kushtet vendimtare të lumturisë së njeriut. Unë zotohem para jush se qeveria ime do të bëjë çdo përpjekje, deri sa edhe shqiptari i fundit të gjejë punë.
Këto katër vite, ne ia kemi dalë ta shndërrojmë Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet e huaja. Në këto katër vite, Shqipëria doli në vend të dytë në botë për klimën e biznesit. Vetëm 6 muajt e fundit, ne kemi firmosur 5 miliard euro investime në porte, hidrocentrale, parqe industriale, në të cilat do të punësohen edhe 160 mijë shqiptarë. Gjenerator kryesor i punësimit tuaj do të jetë biznesi.
Ne e kemi shndërruar Shqipërinë në vendin e taksave më të ulëta në Europë, në vendin me koston më të ulët të prodhimit në Europë. Unë ju garantoj se taksat e ulëta, konsolidimi i tyre do të mbeten linja kryesore e revolucionit tonë fiskal. Unë u bëj thirrje qeveritarëve vendorë të Kuçovës dhe të mbarë Shqipërisë të mos rëndojnë biznesin e vogël me taksa. Ata le të bëjnë projekte dhe për çdo nevojë që do të kenë për fonde, qeveria do t’ua financojë të gjitha, pa asnjë dallim partiak.
Për ne, Shqipëria evropiane, Kuçova europiane do të thotë që fëmijët tuaj të mësojnë në shkolla të standardeve europiane. Sot interneti është në çdo shkollë. Ne do ta shtrijmë moshën dixhitale në të gjithë vendin.
Qytetare e qytetarë të Kuçovës,
katër vitet që vijnë janë vite vendimtare për projektin tonë të dytë madhor të shekullit të 21-të, Shqipëria në Europë. Le të vazhdojmë së bashku rrugën. Unë ju bëj thirrje të bashkohemi, pavarësisht nga bindjet, për të vazhduar ndryshimin, për të vazhduar turravrapin tonë drejt horizontit të ri, Shqipërisë europiane. Në këtë rrugë, në këtë përpjekje, në këtë turravrap, për ne nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë të përjashtuar. Përkundrazi, ftesa jonë është të vazhdojmë së bashku, sepse të gjithë ne meritojmë Kuçovën europaine, Shqipërinë europiane.
Qytetare e qytetarë të Kuçovës,
zgjedhjet po afrojnë. Po afron fitorja e madhe fitorja e 22 marsit. Thirrja ime vëllazërorë për ju dhe të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, është që ta shndërroni këtë javë të fundit në javën e përgjegjësisë suaj maksimale qytetare, të merrni letërnjoftimet e reja, t’i merrni ato si dëshmi e identitetit, të njëjta me të gjitha vendet e zhvilluara në botë. Me letërnjoftimin e ri, qytetarët e Kuçovës dhe të mbarë Shqipërisë kanë me vete dokumentin më modern të identitetit në Europë. Merrni letërnjoftimet që të votojmë të gjithë dhe t’i shndërrojmë këto zgjedhje në festën e madhe të besimit tonë tek vetja, tek njeri-tjetri, tek Kuçova, tek Shqipëria, tek e ardhmja, tek Europa.
Në emrin tuaj, i bëj thirrje edhe një herë kryetarit të Partisë Socialiste: çlirohu nga kompleksi i humbjes, sepse edhe humbja, edhe fitorja për burrat janë. Eja dhe regjistrohu në listë, në përputhje me parimin më themelor të pluralizmit. Nuk mund të nisësh në betejë mbështetësit e tu dhe vetë t’ia mbathësh,. Kjo nuk pranohet. Dil në krye të listës. Unë jam gati të mbledh parlamentin, të ndryshoj ligjin, të krijoj të gjitha kushtet, ashtu si t’i duash, mjafton që ti të vendosesh në krye të listës së socialistëve.
Qytetare e qytetarë të Kuçovës,
28 qershori është ditë e madhe, por mbi të gjitha është dita e maturisë sonë qytetare, dita e maturisë sonë demokratike, dita e tolerancës sonë, e kulturës sonë, e emancipimit dhe demokracisë. Prandaj, në çdo ditë të punojmë për fushatën më të qytetëruar, çdo ditë të punojmë për të bindur edhe qytetarin e fundit të bashkohet me ne, në rrugën e ndryshimit.
Rroftë Kuçova!
Rroftë Shqipëria!”
06/06/2009