Kryeministri Berisha: Boshti i jugut, projekti infrastrukturor madhor i mandatit të dytë
Kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një takim me qytetarë të Beratit. Në fjalën e mbajtur në këtë takim, Kryeministri u shpreh:
“Qytetare dhe qytetarë të Beratit,
përshëndetje të përzemërta dhe mirënjohje të thellë ndaj jush, qytetarëve të këtij qyteti, për mbështetjen e fuqishme që i dhatë qeverisë sime, në këto katër vite. Ne takohemi sot, në këtë shesh, më krenar se asnjëherë më parë, krenarë sepse këto katër vite Beratin ia dolëm ta bëjmë të njohur në mbarë botën si trashëgimi, pasuri e madhe kulturore e njerëzimit. Merita është e juaja. Ju e sollët Beratin në shekuj e mijëvjeçar dhe ai u shpall një nga 200 qytetet më të pasura kulture të rruzullit tokësor.
Ne takohemi sot, në këtë shesh, si qytetarë të një qyteti dhe vendi anëtar të NATO-s, si qytetarë të një qyteti dhe vendi që ka aplikuar për anëtar të Bashkimit Europian, si qytetarë të një qyteti dhe një vendi që me reforma të thella ia doli në katër vite, ta vendosë Shqipërinë në krye të rritjes ekonomike europiane për dy vite me radhë, si qytetarë të një qyteti dhe vendi që ia doli me reforma dhe përpjekje të thella të nxjerrë Shqipërinë të dytën në botë për klimën e biznesit, ta nxjerrë atë më të mirën në Ballkan dhe në 10 më të mirët në botë në luftën kundër korrupsionit. Por, mbi të gjitha, ne takohemi sot, si qytetarë dhe qytetare të një qyteti dhe një vendi, në të cilin, gjatë 4 viteve, ia dolëm të dyfishojmë pensionet e 170 mijë burrave dhe grave të moshuar në fermat tona, të rrisim 50 deri më 70 përqind pensionet në qytetet tona. Së bashku, me këtë kurs reformash, ia dolëm të nxjerrim nga varfëria 400 mijë qytetarë shqiptare. Së bashku ia dolëm të krijojmë 80 mijë vende pune dhe ta shndërrojmë Shqipërinë në një nga vendet më të tërheqëse në botë për investimet e huaja.
Qytetare e qytetarë të Beratit,
në trashëgiminë tuaj kulturore, në identitetin tuaj shpirtëror, ju keni qenë dhe jeni europiane në të gjitha kohërat. Unë jam sot para jush për të shpallur projektin tim për Beratin, për Shqipërinë evropiane, në katër vitet që vijnë. Berati europian dhe Shqipëria europiane për mua dhe për ju do të thatë, para së gjithash, që ne, qytetaret e këtij vendi, të gëzojmë dhe të kemi kushte të njëjta ose përafërsisht të njëjta jo me një, por me disa vende anëtare të BE-së, do të thotë që beratasit dhe berataset në qytetin dhe e vendin e tyre të udhëtojnë në rrugë moderne, të kenë infrastrukturën që meritojnë. Ndaj jam sot, këtu, për t’u zotuar para jush se projekti i të gjitha projekteve infrastrukturore në katër viteve që vijnë është boshti i jugut. Në shekuj e mijëvjeçarë ju keni qenë kryeqendër e kësaj zone dhe në vitet që vijnë ju do të jeni një metropol i fuqishëm që lidhet me rrugë ultramoderne, me Tiranën, Sarandën dhe mbarë botën. Boshti i jugut është kryeprojekti i katër viteve që vijnë. Unë jam këtu për t’u zotuar se në këtë rreth vend do të asfaltojmë çdo rrugë për ju, kudo që ndodheni, nga Tomori në Shpirag dhe në të gjitha zonat e tjera.
Qytetare e qytetarë të Beratit,
Berati europian dhe Shqipëria europiane do të thotë që ju, qytetarët e këtij qyteti të bekuar, të keni punë, të punësoheni. Në katër vitet që vijnë, Shqipëria ka krijuar të gjitha potencialet edhe për 160 mijë vende të reja pune. Më datën 8 qershor, ne inaugurojmë fillimin e punimeve të veprës energjetike më të madhe ujore në Europë, kaskadën e Devollit dhe përgatitemi për kaskadën e Osumit, të Vjosës dhe qindra hidrocentraleve në vend. Por ky është vetëm njëri front i punësimit. Parqet industriale dhe nxitja e biznesit është dhe do të mbetet drejtimi ynë themelor. Ndaj jam këtu për t’u zotuar para jush se në qytetin e Beratin dhe në mbarë Shqipërinë, katër vitet që vijnë do të jenë vitet më të lulëzuara për biznesin. Unë ju bëj thirrje qeveritarëve vendorë në mbarë Shqipërinë të mbajnë larg duart nga biznesi i vogël, të mos e taksojnë atë. Për çdo nevojë të vijnë në qeveri. Qeveria, pa asnjë dallim partiak, do të financojë çdo projekt që ata do të hartojnë për të ndryshuar gjendjen e banorëve në qytetet e tyre. Për biznesin, forcën motore të vendit, asnjë qindarkë mbi 10 përqindëshin. 10 përqindëshi është taksa e të gjitha kohërave, të dhjetat është e librave të shenjtë, të dhjetat do të jetë taksa e të gjithë shqiptarëve.
Qytetare e qytetarë të Beratit,
për ju dhe të gjithë shqiptarët, Berati europian dhe Shqipëria europiane do të thotë që ju të keni ujë të pijshëm 24 orë. Mandatin e dytë mund ta quajmë edhe mandatin e ujit. Në mënyrë absolute, ne do të çojmë ujë, 24 orë, në të katër anët e vendit. Para katër vitesh ju deklaruam se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike nga fundi i viti 2007 e tutje dhe sot, ne vijmë tek ju me ballin lart dhe me fjalën e mbajtur. Kjo, jo se nuk kishte një çmimin, se vetëm vitin e kaluar ne kemi importuar 210 milion euro energji, por unë ju jap fjalën se edhe 500 milion po të duhen, ne do t’i importojmë dhe ju nuk do të keni kurrë mungese energjie. Ju nuk mund të kenë mungesë furnizimi me ujë në një vend që Zoti e ka bekuar të notojë në ujëra në të gjitha anët. Ndaj ne do të çojmë ujin në çdo shtëpi dhe familje shqiptare. Ky është zotimi ynë për ju.
Qytetare dhe qytetarë të Beratit,
standard europian do të thotë që ju të paguheni si paguhen qytetarët në vendet europiane. Unë kërkoj mirëkuptimin tuaj dhe nuk mund të them se në katër vite, ne do të arrijmë të paguhemi si në Gjermani, Francë apo Britani, por unë ju jap fjalën se në katër vite, në këtë garë që kemi nisur, ne do të parakalojmë jo vetëm dy, por 6 vende anëtare të BE-së për pagat dhe pensionet. E kemi të pasur këtë vend të bekuar, ndaj dhe unë, në katër vitet që vijnë, do të vazhdoj rritjen e papërmbajtur të pagave dhe pensioneve, derisa ne, së bashku, të dalim para 6 vendeve anëtare të BE-së. Ne kemi vuajtur mjaft dhe nuk kemi përse të vuajmë më tepër.
Qytetare dhe qytetarë të Beratit,
Shqipëria europiane dhe Berati europian do të thotë që ju, burrat dhe gratë e Beratit dhe gjithë Shqipërisë, djemtë dhe vajzat e Beratit dhe gjithë Shqipërisë, të cilët për shekuj e mijëvjeçarë mbajtët në shpirt dëshminë e identitetit europian, të lëvizni të lirë në mbarë Europën, brenda 12 muajve të mandatit të parë.
Tek vija në Berat, pata kënaqësinë të kaloja nëpërmjet hyrjes së re të qytetit. Unë dua t’ju garantoj ju dhe kryetarin tuaj të bashkisë, pavarësisht se është i një force tjetër politike, se do të financojmë çdo projekt për ju, në rrugë, rrugica dhe gjithçka që duhet për ju. I premtuam rrugën dhe e bëmë, i premtuam urën dhe e inauguruam atë, do të bëjmë bulevardin tjetër dhe do t’i japim Beratit fizionominë që mbartet në shpirtin tuaj.
Qytetare dhe qytetarë të Beratit,
së shpejti, ju do të keni universitetin tuaj, që do të ketë mbështetjen maksimale të qeverisë, në mënyrë që ai të shndërrohet në një epiqendër të madhe të dijes, shkencës dhe studimit.
Në katër vite, ju garantoj se horizonti që do të kapim është ende larg pamjes së syve tanë.
Unë sot, kam një thirrje vëllazërore për çdo qytetar dhe qytetare të këtij qyteti, pavarësisht nga bindjet politike, të shkoni e të merrni letërnjoftimet e reja, pasi ato janë dëshmitë më modernë të identitetit tuaj. Ju me ato barazoheni me çdo qytetar të kontinentit, që ka sot dëshminë e identiteti më të avancuar. I merrni ato të shkoni në votime, sepse ne do t’i bëjmë këto votime festën më të madhe të demokracisë shqiptare, do të kthejmë lavdinë elektorale të vitit ’92.
Zemërthyer për çdo sukses të këtij vendit, këtij kombi dhe këtyre qytetarëve është Edi Rama, pasi nuk i bëri asnjë thirrje qytetarëve që të merrnin letërnjoftimet. Por bëri aktin tjetër më të turpshëm në historinë e pluralizmit europian dhe botëror, nuk vuri veten në krye të listës për t’i prirë partisë së tij në garën elektorale, vetëm e vetëm se e ka të sigurt disfatën. Por dinjiteti i burrit, i qytetarit kërkon betejë dhe jo kapitullim. Ata që kapitullojnë nuk kanë të ardhme në politikë, ndaj dhe i them zotit Rama se po të jap shansin e fundit, ke edhe 5 ditë afat, mblidh forcën dhe kurajën dhe u dil në krye socialistëve, sepse aty të duan ata, në qoftë se ndihesh kryetar i tyre. Do të mbledh parlamentin, do të ndryshoj ligjin, do të jap të drejtë të regjistrohesh qoftë edhe si kryetar bashkie. Dil mos turpëro vendin. Dil mos turpëro partinë tënde.
Qytetare dhe qytetarë të Beratit,
mbeten edhe 23 ditë nga dita e zgjedhjeve. Le t’i shndërrojmë këto 23 ditë në festën e ngadhënjimit të idealeve tona të lirisë, të sakrificave tona për liri, të besimit tonë tek e ardhmja, të besimit tonë tek njëri-tjetri, të besimit tonë tek Shqipëria.
Rroftë Berati! Rroftë Shqipëria! Rroftë fitorja!
Në 28 qershor votoni të gjithë Partinë Demokratike, votoni dhjetën. Dhjeta është numri më i merituar. Rrofshi ju! Rroftë Shqipëria!”
05/06/2009