E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË TAKIMIN KONSULTATIV ME ANËTARËT E GJYKATËS SË LARTË, ANËTARËT E KLD-së DHE PROKUROREN E PËRGJITHSHME.

20 nëntor 2008

Përshëndetje të gjithëve!

Kam kënaqësinë t’i drejtohem kësaj tryeze të nderuar, ku janë të pranishëm anëtarë të Gjykatës së Lartë, anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, zonja Prokurore e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë. Është një format i veçantë. E kam thënë edhe herë tjetër se këto tavolina janë tavolina pune, por ne kemi detyrim për të bërë transparencë me publikun. Kjo është arsyeja që në pjesën e parë të këtij takimi, për të përcjellë në mjedisin shoqëror shqiptar atë që ka qenë, është dhe besoj se do të mbetet preokupacioni i të gjithëve, vendosja e parametrave në standardet e një shteti demokratik, të shtetit të së drejtës, ku hallka të rëndësishme, të pazëvendësueshme, që janë bazamenti i funksionimit të së drejtës, janë padyshim për institucionet ku ju bëni pjesë, për institucionet kushtetuese, të cilat besoj në vizionin e gjithësecilit duke marrë në konsideratë standardet profesionale që ju përfaqësoni, linjat e filtrit ku ju keni kaluar; pra, presupozon njerëz mjaft cilësorë në krye të këtyre institucioneve. Kush më shumë se ju nuk do të ishte i involvuar, i interesuar, i angazhuar, i detyruar për të diskutuar për probleme kaq madhore, që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë.

Ky takim është organizuar me një ide të shprehur kohë më parë, por ne kemi rastin që këtë takim ta orientojmë duke pasur si pikë referimi Raport-Progresin e Komisionit Europian, i cili përveç të tjerash, diskuton edhe jep konsideratën edhe për sistemin e drejtësisë. Në raport, në mënyrë eksplicite thuhet që është bërë progres në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, por natyrisht, sikurse për të gjitha institucionet është e natyrshme, ka ende shumë për të bërë.

Ky është një vlerësim shumë realist, është një vlerësim profesional dhe është e kuptueshme që Shqipëria është çdo ditë në një proces, hap pas hapi; kuptohet nuk është proces revolucionar që, brenda një jave, ne përfundojmë në Bashkimin Evropian, është një proces gradual, por që duhet të jetë me hapa të shpejtë, një proces bashkëpunimi nga të gjitha institucionet për të demonstruar tek bota ku ne dëshirojmë dhe tentojmë të integrohemi, jemi një shtet demokratik, me një ndarje të qartë të pushteteve, me pushtete të balancuara, me pushtete që funksionojnë mbi bazën e dokumentit bazë themeltar, që është Kushtetuta për institucionet që garantojnë pikërisht të drejtat e individit. Kuptohet që, kur thuhet që ka dhe shumë për të bërë Raport-Progresi presupozon edhe në mënyrë të detajuar që ka ende defekte.

Askush nuk mund të kontestojë dëshirën e të gjithëve për të bërë reformë në sistemin e drejtësisë. Dikush apo shumëkush ka dëshirën që ta trajtojë në sensin politik; dikush apo shumëkush ka dëshirën ta trajtojë në planin profesional dhe është e kuptueshme që politika do të flasë kryesisht me terminologji politike, me vullnetin politik, ndërsa profesionistët do të flasin me detyrimin për të zbatuar vendimet politike me Kushtetutë, por do të diskutojnë do të debatojnë me sensin profesional. Ne kemi pasur rastin edhe herë të tjera të diskutojmë, pasi sikurse thashë, është një proces gradual, hap pas hapi, por ajo që vihet re dhe nënvizohet në Raport-Progresinështë që reforma në sistemin e drejtësisë ka nevojë të jetë vizionare, të jetë një reformë komplekse e konsultuar, të mos jetë sporadike, të mos jetë e kushtëzuar nga koniukturat e çastit, të cilat mund të jenë dhe politike, të mos e jetë e kushtëzuar as nga interesat lobiste apo individuale, por të jetë një reformë integrale. Reformë integrale që shkon në harmoni të plotë me vullnetet politike për t’u integruar në shoqërinë euroatlantike, por mbas vullnetit politik, merren vendimet politike ku rëndësi të jashtëzakonshme ka legjislativi, por rëndësi të jashtëzakonshme ka, gjithashtu, e tërë piramida e funksionimit të institucioneve në Shqipëri. Të gjitha institucionet i ngjajnë strukturave të një piramide, e cila kurrsesi nuk mund të qëndrojë në këmbë në rast se hallkat nuk janë lidhura me njëra-tjerën. Absolutisht do të ishte e papranueshme që struktura të veçanta, qofshin këto edhe në sistemin e drejtësisë, të tentojnë të operojnë në klimë të mbyllur, në korniza të mbyllura, duke parë vetëm atributet dhe të drejtat që i jep ligji dhe Kushtetuta për pjesën e tyre të aktivitetit. Unë mendoj qëështë koha që të shtojmë bashkëpunimin, të rrisim seriozitetin, të vlerësojmë njëri-tjetrin. Duket sikurështë ndarë në mënyrë formale kjo tavolinë që në një krahështë Gjykata e Lartë dhe nga krahu tjetër Këshilli i Lartë i Drejtësisë; mund të kishte qenë edhe mikse, ju të gjithë jeni gjyqtarë, madje gjyqtarë të nderuar, para se të jeni nëpër struktura të veçanta ju jeni me personalitetin dhe autoritetin e gjyqtarit, jeni shumë të kualifikuar, por mbi të gjitha, juve duhet të jetoni me sfidat e kohës. Sfidat e kohës janë që ne duhet të reflektojmë jo thjesht te Raport-Progresi, sepse ai është shumë i rëndësishëm për ne, por secili të bëjë detyrën e tij kushtetuese, mbi bazën e ndershmërisë, të forcimit të karakterit të tij individual e profesional, por patjetër, edhe në relacion me publikun. Duhet të bëhet ajo që nuk e kemi pasur shansin që ta shikojmë në retrospektivë. Kjo është arsyeja që, herë pas here, unë kam bërë apel. Apeli ka qenë: Aty ku diskutohet për çështje shumë të rëndësishme, për çështje që kanë të bëjnë, sidomos me drejtësinë, që janë marrëdhënie specifike, nuk janë diskutime të përgjithshme, që kanë të bëjnë me ecurinë e proceseve politike.

Sot politika, natyrisht, është një profesion i dashur për të gjithë shqiptarët. Për ata që janë në profesione të politikës, por edhe ata që e absorbojnë mesazhin politik, por kur diskutohet për çështje të drejtësisë, vërtet që do të diskutohet nga politika, do të diskutohet me qytetarët, sepse ata e kanë shqetësim, madje, shqetësim të jashtëzakonshëm. Ajo që është e papranueshmeështë që të mos flasim për zërat e rëndësishëm të sistemit të drejtësisë. Dikush nga ju, kur them nga ju, nga ata që sot janë në sistemin e drejtësisë, mund të bjeri në një lloj autosugjestioni që “ç’më duhet mua të përzihem dhe përplasem me çështje që mund të jenë të politikës”. E keni gabim. Ajo që është e papranueshme kur mbizotërues në një mjedis është diskutimi për drejtësinë, për ata që nuk janë juristë, atëherë kjo është dhimbje dhe duhet të jetë preokupacion për secilin nga ju. Kjo është arsyeja që ne kërkojmë që të vendosim ura të rëndësishme bashkëpunimi. Këtu nuk është çështja e një pozicion posesiv; këto i ka ndarë Kushtetuta dhe Kushtetuta është dokumenti themeltar dhe, në radhë ta parë, vlerësohet nga ju, që jeni profesionistë. Duhet të vlerësohet, por ju duhet të jepni garanci tek te gjithë. Ne themi që problemet në drejtësi janë evidente, por duhet të themi dhe të kemi kurajën të themi që ka pasur dhe progres. Ne kemi bërë të mundur që tavolinat dhe temat e drejtësisë sot të jenë tema të hapura. Asnjëherë nuk mund të themi që suksesi është i përfunduar. Ky është një sukses në progres. Ky është sensi dhe i emërtimit të asaj që jep Komisioni Europian, Progres-Raporti; pra, ka një raport për progresin. Shikohet performanca, shikohet progresi, nuk shikohen pozicionet statike. Këtu është edhe sistemi i drejtësisë, i cili bën progres, por ka ende shumë për të bërë. Përse është e nevojshme që ne të krijojmë një strategji afatgjatë, një klimë vizionare, shumë bashkëpunuese. Është shumë e rëndësishme, se drejtësia nuk mund të jetë një segment që funksionon në ajër. Drejtësi jepet për qytetarin ku drejtësia punon në të gjithë netuorkun. Punon me legjislativin, punon me ekzekutivin, punon me Institucionin e Presidentit, punon me të gjitha linjat: Këshilli i Lartë të Drejtësisë, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Shkallës së Parë, e Apelit; të gjitha me radhë janë pjesë e një sistemi ku qytetari duhet të shikojë seriozitetin e funksionimit të strukturave shtetërore, që shteti të jetë serioz; shteti të ketë një performancë harmonike kudo në të gjitha qelizat e tij dhe, tek e fundit, ju keni detyrime specifike.

Gjykata e Lartë ka pozicionin e vet suprem, por e ka të lidhur patjetër jo vetëm me kontrollin e vendimeve të gjykatave më të ulëta, por patjetër në të gjithë sistemin dhe në fytyrën e fizionominë e sistemit të drejtësisë.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë gjykon mbi gjyqtarët. Vendimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të apeluara nga gjyqtarët, ndaj të cilëve mund të merren masa, kalojnë te ju; pra kemi të bëjmë me një sistem enësh komunikimi ku të gjithë duhet të punojnë për të njëjtin qëllim, për rritjen e seriozitetit të fizionomisë së performancës së drejtësisë dhe për të dhënë drejtësi reale; dhe puna prapë nuk përfundon këtu, sepse ka shumë vendime të formës së prerë, vendime të Gjykatës së Lartë, të cilat nuk po ekzekutohen. Duket sikur me drejtësi qytetari apo subjekti mund të kalojë dhe vite me radhë në procese të stërmundimshme, që është pjesë e natyrës së drejtësisë, në fund merr një vendim dhe ai vendim rezulton thjesht në letër, sepse është i paekzekutuar. Këto janë të gjitha statistikat e azhornuara të ditëve të fundit ku, vetëm dy të pestat e vendimeve për ekzekutim, janë realizuar.

Pjesa tjetër, tri të pestat, janë ekzaktësisht 8868 çështje. Skandaloze! 8868 çështje, çka do të thotë që moszbatimi i tyre, rrëzon autoritetin e shtetit, autoritetin e drejtësisë. Ju jeni angazhuar në një punë shumë komplekse, Qytetari ka pasur një marrëdhënie direkt e psikologjike me çështjen dhe nuk e gjen të zbatuar. E keqja nuk qëndron këtu, sepse mund të ketë interesa midis individëve; kuptohet që e kanë shumë të vështirë që të jenë pjesë e këtij zbatimi, por ka dhe struktura shtetërore ku njerëz me përgjegjësi të drejtpërdrejtë frenojnë zbatimin e ligjit. Me cilësinë e Kryetarit të Shtetit, pa diskutim, kam edhe informacione të tjera, që edhe mbas vendimeve të Gjykatës së Lartë, pas vendimeve të formës së prerë, njerëz që punojnë në administratë, vazhdojnë operacione mbas këtyre vendimeve për t’i dhënë zgjidhje administrative. Ku është sensi i shtetit këtu?

Ky është apel, për të gjithë, është apel për juve që jeni këtu, është apel për Prokurorinë e Përgjithshme. Është shumë e rëndësishme që performanca e sistemit të drejtësisë të arrijë deri aty, sa të japë drejtësi, por është akoma më e rëndësishme për ata që janë të detyruar për ta zbatuar; ndryshe ne futemi në një marrëdhënie shumë fiktive, futemi në një marrëdhënie virtuale, mendojmë se e kemi zgjidhur, por s’e kemi zgjidhur. Është e nevojshme që tavolina të tilla të jenë tavolina ku shkëmbehen mendime, ku flasin profesionistë, flasim me shqetësimin e përvojës së akumuluar. Secili nga ju ka me vite përvojë mbi supet e tij. Sot jemi në një moment të rëndësishëm kur drejtësia shqiptare kërkon të standardizohet jo thjesht me një paraqitje formale. Ajo duhet të standardizohet në të gjithë procesin e gjykimit, të standardizohet në procesin e vendimmarrjes, duhet të standardizohet në të gjithë procesin e komunikimit. Unë e di që ju debatoni, diskutoni mes jush. Debati i mbyllur i ngjan një katedre të mbyllur. Shumë prej jush ka bërë një jetë universitare, akademike. Akademikëve shpeshherë u duket sikur kanë kapur atë që mund të konsiderohet enigma më e madhe, por mbeten të mbyllur. Katedra e mbyllur universitare nuk vlen për askënd, në rast se ato dije nuk shpërndahen. Kjo është arsyeja që modelet e universiteteve të sotme, katedrat operojnë së bashku me mësimdhënien; pra, bëra këtë lloj paralelizmi për të thënë, ju po diskutoni, por ju duhet të dilni nga kornizat e mbyllura dhe të flisni me publikun. Të gjithëve ju vlerësojnë dhe askush nuk do të japë një konotacion sikur juve doni të përziheni me politikën. Merrni modelet e shteteve të përparua! Të gjithë gjykatësit me emër dalin në publik. Nuk bëjnë evazion as me kohën, as me të shprehurit, por atëherë kur duhet të dilet, duhet të dilet.

Unë, sinqerisht, ndihem i gëzuar që ne sot jemi të ulur në këtë tavolinë. Besoj që do të jenë tavolina të ngjashme që ju t’i përcaktoni, sepse kam parë te ju preokupacionin që të ushtroni, në mënyrë reciproke, besimin tek njëri-tjetri dhe pastaj mos të dalin episode që, nga mungesa e angazhimit, mungesa e motivimit nganjëherë edhe mungesa, ndonjëherë edhe e profesionalizmit, gjërat dalin të papjekura në mjedis. Kur dalin gjëra të papjekura në mjedis, ne e dimë do të thotë të injektosh në mjedis, i cili është shumë i thyeshëm, për sa i përket besimit tek drejtësia, i fusim pastaj në diskutime ku humbet edhe ai pak besim që është te sistemi i drejtësisë.

Ne duhet ta rrisim këtë besim, duhet ta rrisim këtë besim patjetër dhe jam i bindur që kur të vijë koha për të pasur një vlerësim tjetër për Raport- Progresin në vazhdim drejtësia do të dijë të flasë me progres, me ritme të reja dhe me arritje të reja.

Unë falënderoj median që ishte e pranishme. Pas kësaj, kjo tavolinë do të vazhdojë me komunikimin dhe me një diskutim pune për të parë arritjet, për të parë defektet dhe të gjitha skemat e terapisë për të shëruar defektet. Falemnderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›