E Shtunë, 31 Tetor 2026

Natë me blire dhe hakmarrje



Teuta DHIMARKO

Blirët!... Oh, blirët!... Rruga kundërmonte nga parfumi i tyre. Shiu i kishte rrëzuar lulet e vogla të pemëve buzë rrugës, poshtë në trotuar. Ashtu, pranë njëra-tjetrës, ato kishin krijuar një si pushëtim ngjyrë qumshti. Gati eksitues. Në atë rrugicë të fundme të Bllokut, ato kishin mbetur ende të pashkelura. Ishin në pritje. Rrezatonin ende. Endërronin me sa duket ndonjë kalimtar, që do të guxonte të shkelte ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme.
“Oh... sikur...” Parfumi i saj i sillte ndërmend pushëtimin e blirëve dhe duart e tij...“Oh... sikur... duart e tij...”
Dora e tij nuk rezistoi dot më. Zbriti me dhimbje poshtë gjinjve, kaloi me nervozizëm butësinë e barkut të saj dhe pastaj mezi gjeti prehje te pushëtimi i blirëve.
“Ohh...” Më në fund. E la veten të lirë të rënkonte. Parfumi i saj seç kishte një gjë të ngjashme me aromën e atyre dreq blirëve. Kaq ditë pa asnjë lajm prej saj. E mbështeti edhe më pëllëmbën e dorës aty poshtë. Kaq ditë të gjata pa asnjë telefonatë prej saj. Gati e urrente atë çast. E urrente, por me një urrejtje ndryshe, që s’dinte ta shpjegonte. Dora e tij filloi të trazonte lehtë por ngjeshur pushëtimin e blirëve. Duhet t’i bënte diçka atij dreq pushëtimi, që kushedi pse ia merrte frymën dhe ia turbullonte shikimin. Por edhe nëse do ta bënte këtë, duhej të gjente një mënyrë... Një mënyrë të butë, gjithsesi. Dhe kjo i ngjante e pamundur.
Ajo filloi të dihaste. Me sa duket, kësaj radhe nuk e kishin arritur dot dhomën e gjumit. Ndërsa ngjisnin shkallët njëri pas tjetrit, Adriani ishte kthyer befas përballë saj, e kishte parë ngultazi në sy dhe e kishte shtyrë pas murit. “Pra, ti do të ikësh pas zgjedhjeve, kështu?!”, i shkrepi papritur në kokë. Ajo ishte trembur dhe ashtu, në gjysëm errësirrë, bëri t’i shmangej, por ai e ngjeshi me trup pas murit me forcë. Sytë e tij, që shkëlqenin ligësht, i kallën frikën për një çast, por duart, duart e tij kishin një siguri dhe egërsi të përmbajtur. Atje poshtë, mes pushëtimit, mollëzat e gishtave të tij ndeshën në diçka të butë. Ajo nisi të gulçonte. Ai u ngjesh edhe më pas saj dhe buzët e tij takuan të sajat. “Domethënë, do të ikësh! Kështu?”
Mollëzat e gishtave aty poshtë hasën në diçka të lëngshme. Të ishte vallë shiu i mbetur poshtë pushëtimit? Jo. Nuk mund të ishte shi. Mund të ishte shi, vetëm nëse mund të gjendej gjëkundi një shi i ngrohtë si ai. Gishtat e tij ndoqën rrugëtimin. Ajo deshi të lëvizte, por ai e kishte ndarë mendjen ta mbante të mbërthyer aty dhe t’ia merrte frymën pak e nga pak. Ajo rënkoi dhe u përpoq të çlirohej. Por lëvizi fare pak. Pulpa e saj e njomur nga djersa u mbërthye fort tek ijet e tij. Ashtu e shtrënguar pas trupit, i ngjau për një çast me një lutje. Sikur donte t’i thoshte: “Të lutem, të lutem mos u bëj i keq!” “Domethënë, ti... domethënë pas zgjedhjeve... ne të dy...?”
“Po! Pas zgjedhjeve... unë do të iki”, foli ajo dhe e pa drejt në sy. “Do të vijë edhe “ai” me ju?” Adriani s’mundi t’ja përmendtte emrin, por ajo e dinte mirë se për cilin bëhej fjalë. “Po, do të vijë edhe ai.” Timbri i zërit të saj dukej sikur plotësonte: “Ja ku ta thashë, meqë deshe patjetër ta dish!”
Ai e ngjeshi edhe më trupin pas saj, ndërsa gishtat e tij filluan të përshkonin atë honin e lagësht aty poshtë. D.m.th, ajo do të ikte! Do të ikte edhe ai! Epo, meqënëse ajo do të ikte, ai e vendosi aty për aty që të paktën të hakmerrej për këtë. Do t’ia bënte atë ikje sa më të dhimbshme që të ishte e mundur. Fundja, le të merrte edhe ajo me vete një copë dhimbje. Ai s’mund ta mbante të gjithën për vete. Kësaj radhe nuk e bënte dot.
Gishtat e tij lëvizën ngadalë, sikur të donin të mbanin mend çdo centimetër të saj. Diku poshtë u prehën në një vënd tejet të nxehtë, por nuk qëndruan dot gjatë dhe me nxit filluan të tërhiqen. Ishte një tërheqje e përkohshme. Ajo gulçoi përsëri, kësaj here më fort dhe iu këputën gjunjët. Dy trupat e tyre rrëshqitën në dysheme. Ai ndjeu krahët e saj ta shtrëngonin te shpatullat, ndërkohë që zbërthente pantallonat me të shpejtë. Pëllëmbët e duarve të saj e prekën ngjeshur dhe drithshëm, pa lënë t’i ikte asnjë pjesë e lëkurës. Pastaj ato zbritën poshtë në harkun e vitheve dhe e shtrënguan fort. Ai e vështroi me sy të çakërdisur në atë distancë të shkurtër. Në atë botë aq të vogël mes tyre dhe në sytë e saj që e vështronin ngultaz, dalloi shkëndija “hakmarrjeje” që ngjanin me të tijat për çudi.
Edhe ajo po hakmerret, mendoi vetëtimthi. Gishtërinjtë e saj e shtrënguan edhe më fort. Për çfarë po hakmerret ajo? Por nuk e zgjati atë çast. Flokët e saj të verdhë filluan të përpëliteshin mbi dysheme. Pothuajse me dhimbje. Me pas gjërat u ngatërruan edhe më keq. Sidomos për të. Kushedi pse, përpara syve të tij filluan të shfaqen pamje nga çarçafët e shkapalum (si kurvat) nëpër ballkonet e konvikteve me parullat kundër komunizmit, shkruar nxitimthi me bojë të kuqe. Ai arriti me mundim t’ia shqiste bluzën nga trupi dhe… Sa hap e mbyll sytë, nëpër dritaret e konvikteve u shfaqën vajzat e arteve me cicat e lëshuara përjashta. Duar njerëzish u ngritën drejt tyre në ajër. Të gjitha në sinkronë. Pastaj libra. Shumë libra që hidheshin nga taraca dhe dikush që i priste aty poshtë, i grumbullonte me qetësi dhe u vinte zjarrin.
“Shkolla jonë nuk shkëlqen! Ajo nuk ka shkëlqyer kurrë!” - Njëri nga drejtuesit e mitingut i drejtohej studentëve nga tribuna e improvizuar, ndërsa ata ia kthenin dora-dorës me brohoritje shpërthyese. - Ajo, - e merrte fjalën drejtuesi përsëri, me intonacione edhe më te larta, - ajo shkëlqen vetëm kur DIGJET!
Këtë herë studentët brohoritën edhe me fort dhe grumbulli tjetër i librave u ekzekutua menjëherë në flakë.
Adriani ishte shumë afër flakëve. Shikonte i mrekulluar librat që digjeshin dhe ndiente pareshtur përzhitjen e tyre në trup. Por ishte nj flakë ndryshe kjo. Ishte një zjarr që digjte dhe nuk e digjte atë vetë. Digjte e shkëlqente dhe vetëm sa ia gufmonte pareshtur gjoksin, me tepri, me një dëshirë regëtitëse. Dhe ishte tamam ajo tepria… ajo sikur mblidhej e mblidhej pas çdo regëtimi dhe ngjante se nga çasti në çast do t’i çante gjoksin dhe do të derdhej prej aty me vrull. Por gjoksi nuk po i çahej ende, ndërsa dëshira sa vinte e i rritej. Pastaj flakët edhe tymi ngjiteshin lart. Deri te ballkonet e kurvave që hargaliseshin ende aty me cicat përjashta…
“Qenka një punë e poshtër të dojë burri kështu!” Atij iu mor fryma. Tymi ngjitej madje deri në taracë, nga ku edne hidheshin libra të tjerë. O Zot! Sa shumë libra paskëshin qenë! Aty u bë aq nxehtë. Djersa e tij ishte shkrirë me të sajën nën ritmin e harbuar të hakmarrjes së tij. U bë shumë nxehtë. Truri nuk i punonte më. Në një çast të fundmë, iu bë sikur trupi i Albanës iu shkërmoq nën vete, sepse rënkimi i saj u duk i pashpresë. Rënkimi i saj dhe flokët e verdhë. Ai e shtrëngoi fort nën vete. Aq fort, sa i dhembi. Sikur të ishte gjëja e fundit që i kish mbetur në këtë botë. Ishte tamam atë çast, kur ndieu një krisje dhe një shpërthim të ëmbël në gjoks.

* * *
Ajo u largua e para. Veshi me të shpejte bluzën, pastaj rregulloi fundin dhe flokët e shprishura, pa thënë asnjë fjalë. Teksa vishej, nuk i hidhte syte nga ai. Po përse, vallë, nuk e shihte në sy? Edhe ai, per çudi, e vështronte shkarazi, sikur të kishte frikë se mos ajo… Ajo u nis shkallëve teposhtë pa e përshëndetur. Pa e kthyer kokën pas. Ai mbeti aty, i ulur te pragu sipër. Dera e dhomës së gjumit pas tij, ende pa u hapur. Ai e vështroi tek ikte pa u ngutur. U përpoq që t’i fliste, por nga fyti nuk i doli asnjë grimcë zëri e jo me fjalë. Kur zhurma e hapave të saj u pasua nga zhurma e mbytur dhe rënkuese e derës së jashtme poshtë, ai ndezi në gjysëmerrësirrë një cigare.
Atë natë, për herë të parë pas aq muajsh, hodhi një pikturë mbi telajo. Pikturoi pushëtimin. Pushëtimin e blirëve në rrugicën e fundme në lagjen e Bllokut. (Fragment)

10 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›