E Hënë, 2 Nëntor 2026

FMN: Bravo për 2009, tani fillon kriza



Nertila Maho

Shqipëria duhet të ulë sa më shpejt deficitin, në mënyrë që të sigurojë stabilitet. FMN dhe Banka e Shqipërisë, duket se kanë qenë në unisong, në presionin që i bënë dje Qeverisë, për uljen e deficitit buxhetor. Në seminarin e djeshëm, me temë “Shqipëria – mbajtja e stabilitetit makroekonomik në një ambient të jashtëm sfidues”, Gerwin Bell, përfaqësuesi i FMN, tregoi se vërtet ekonomia shqiptare duhet vlerësuar për rritjen e saj pozitive gjatë vitit të kaluar të krizës globale, por tani do përballet me efektet reale të krizës. Sipas FMN, ulja e borxhit për financimin e deficiti, duhet të jetë kushti kryesor për arritjen e stabilitetit financiar. Por duket se marrëdhëniet mes Bodes dhe FMN, dje arritën një pikë të re bashkimi. Ministri i Financave, pasi pranoi se ulja e borxhit është një plan i Qeverisë, theksoi edhe një fjali të re bashkëpunimi me FMN. “Seminari i organizuar nga FMN, do të jetë një kontribut i ri në evidentimin e arritjeve të këtij bashkëpunimi gati 20-vjeçar dhe njëkohësisht do të hapë një epokë të re të bashkëpunimit tonë të ardhshëm në përballimin e sfidave të reja në horizont dhe rrethanat e reja të krijuara në tregjet ndërkombëtare”. Seminari i FMN-së dje shërbeu për të nxjerrë në pah shumë prej objektivave të Qeverisë, Fondit Monetar dhe Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që “deficiti” u kthye në një pikë që u prek në tre fjalimet e mbajtura. Gerwin Bell vuri në dukje se sfida kryesore e së ardhmes është vënia në vend e disbalancave që kanë ardhur si efekt i krizës. Duke ju referuar rritjes së borxhit publik në shumë vende, Bell tha se duhet të përputhen kërkesat e vendeve me deficit eksesiv me ato të vendeve që kanë suficite shumë të mëdha të llogarisë korrente. “Për Shqipërinë duhet të riformulojmë një rifinancim të veprimtarisë sonë te deficiti, për ta mbajtur të qëndrueshëm dhe po kështu duhet të veprohet me sektorët e tjerë financiarë përmes reformave sektoriale”, u shpreh ai. Më tej përfaqësuesi i FMN shtoi se është e nevojshme që të bëhet një ristrukturim i sektorëve të rinj dhe kërkesa duhet të kalohet nga sektori publik te sektori privat. Edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë fjalës së tij theksoi se fillimisht është e rëndësishme të punohet për të mos zgjeruar borxhin ekzistues dhe për ta shlyer atë me eficencën maksimale. “Strategjitë e daljes nga borxhi, që në vetvete përfshijnë edhe zëvendësimin e borxhit të vjetër të shtrenjtë me një borxh të ri më të lirë, janë shumë të rëndësishme dhe të mirëpritura. Në kushtet aktuale, kur rritja e mëtejshme e borxhit është një ngjarje me probabilitet të lartë ndodhjeje, politikat për të mbështetur ekonominë me shpenzime është e kufizuar nga pamundësia e ekonomisë për të gjeneruar rritje ekonomike”, u shpreh guvernatori. Në këtë kontekst, ai theksoi se për të ruajtur nivelin e borxhit dhe stabilitetin makro-financiar, duhet të mos abuzohet me shpenzimet. Në të njëjtin mendim duket se ka ecur edhe Ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili ka theksuar se do të synohet në ulje të borxhit publik. Duke ju referuar statistikave, ai u shpreh se në tre vite Qeveria ka rritur borxhin publik veç 5%, kur eurozona e ka rritur 22% dhe kjo sipas Bodes është dëshmi e qëndrueshmërisë makroekonomike afatgjatë që ka pasur Shqipëria.
“Ne do të këmbëngulim për ulje të borxhit publik, si një nga objektivat kryesore rreth të cilës do të sillen gjithë ndërhyrjet dhe aksionet makroekonomike në ekonominë shqiptare, edhe pse problemet që kanë të bëjnë me borxhin në kuadrin e zhvillimit ekonomik nuk e nxjerrin Shqipërinë si problematike”, u shpreh Bode. Duke theksuar nevojën e hartimit dhe zbatimit të një programi ambicioz, për një qëndrueshmëri afatgjatë makroekonomike të ekonomisë shqiptare, ministri ftoi gjithë institucionet që të ndjekin shembullin e FMN-së, duke inkurajuar për bashkëpunim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›