Protesta për 7501-shin, bllokohet rruga
VLORE - Zona e Ujit të Ftohtë është kthyer sërish dje në mollë sherri ndërmjet ndërtuesve dhe banorëve, të cilët e kanë përfituar pronën në sajë të ligjit 7501. Dhjetëra banorë, burra e gra shkuan në tokën prej 45 mijë m2 të rrethuar, duke u futur me forcë. Pas kësaj ata bllokuan për disa minuta qarkullimin në aksin nacional, duke krijuar radhë makinash. Në zonën e Kalasë, shumë pranë vilave qeveritare është dhënë një leje ndërtimi, e cila ka shkaktuar konflikt midis palëve. Nga njëra anë janë pronarët që e kanë përfituar këtë tokë me 7501-shin dhe nga ana tjetër janë personat që kanë përfituar lejen e ndërtimit. Por kjo tokë është edhe në proces gjyqësor pasi janë edhe pronarët e vjetër të cilët pretendojnë të marrin certifikatën e pronësisë. Pak ditë më parë ndërtuesit u përplasën me banorët. Ligji 7501 ka sjellë probleme në gjithë zonën e bregdetit, ku punonjës të ish NB-ve, nga Vlora në Orikum e më gjerë kanë përfituar prona. q.b