Konsumimi i panevojshëm opozitar
Gëzim Podgorica
Tani po ndodh çdo gjë shumë qetësisht dhe normalisht. Opozita u fut e heshtur por krenare në Parlament, zgjodhi me 100 % të votave kryetarin e grupit parlamentar, po zgjedh strukturat e tjera dhe me disa arsyetime, që deri pak kohë më parë konsideroheshin inkuizitive, po i jep të drejtën vetes për të qenë në vijimësi në sallën e Kuvendit. Pa u hapur kutitë sigurisht, pavarësisht se deri 8 muaj më parë ky kusht konsiderohej i panegociueshëm, pavarësisht se u sponsorizua të kthehej në kauzë dhe ideal demokratik! Për të qenë korrekt, kështu u deklarua nga kryetari i saj edhe dy net përpara 25 shkurtit, por dukej se edhe kjo ishte pjesë e mungesës së seriozitetit dhe e koherencës politike. Sigurisht që nuk kërkohet “burrëri” për të qëndruar pafundësisht besnik i vendimeve pa të ardhme, por kërkohet maturi dhe vizion në marrjen e vendimeve dhe në sjelljen politike të një force që pretendon të qeverisë vendin nesër. Kauza ndonëse tani po përpiqet të mbahet gjallë përmes deklaratash e përsëritjesh të bezdisshme të personazheve politikë që flasin njëlloj, mund të konsiderohet e paarritur. Por i paarritur dhe me një kosto shumë të lartë dhe pothuaj ineficent edhe investimi për të, përmes një bojkoti që zgjati në kufij të paarsyeshëm dhe që u kthye në një model politikbërje që i konsumoi shumë energji para së gjithash opozitës. Por jo vetëm asaj, edhe mjaft faktorëve të tjerë politikë të brendshëm si dhe atij ndërkombëtar, të cilit iu ridesh të kthente në temë qendrore situatën në Shqipëri. Proceset integruese të Shqipërisë kërkonin një tjetër vëmendje ndërkombëtare dhe aspak nevojën për të zgjidhur një sherrnajë që buronte më shumë se çdo gjë nga kriza politike, deri personale e një lidershipi që kish humbur zgjedhjet. Dhe ja ku jemi, në pikën zero ku do të artikulohet edhe disa kohë teza e hapjes së kutive që kërkon ta radikalizojë situatën, por kanë shterur forcat, argumentet, po edhe mbështetësit. Jemi aty ku aleatët perëndimorë shohin me një dyshim të rritur refraktaritetin e qëndrimeve të kryetarit të opozitës dhe kthimin në mungesën gjithnjë e më të madhe të lirive demokratike brenda saj. Jemi në pikën kur opozita për tetë muaj konsumoi jo pak nga vetja e saj, për të mos arritur asgjë, por vetëm për të vënë dyshime serioze në konstruktivitetin e vet dhe në aftësitë për t’u sjellë brenda standardeve që rrisin besim dhe jo që shkaktojnë frikë nga ardhja në pushtet.
Tetë muaj me radhë edhe opinion publik gati u dërmua psikologjikisht nga përsëritja e rëndomtë e një teze që vishej me mantel demokratik, por nuk kërkohej as brenda kufijve ligjorë dhe as brenda standardeve që duhet të dëshmojë një opozitë vizionare. Atij iu imponua të merrej e të dëgjonte vetëm për kutitë, kur në fakt duhej të ndodhte e kundërta: të merrej me një sërë problemesh jetësore dhe shumë më efikase. Reduktimi i opozitës te një temë që mund të jetë realisht bazike për demokracinë, por jo në kohën e masën e duhur dhe e pargumentuar, aq më shumë duke anashkaluar misionin e vërtetë që duhet të ketë një forcë politike opozitare, i humbi asaj seriozitetin politik dhe angazhoi shumë energji për të thyer kryeneçësinë e kontestuar nga shumë aktorë.
Tani që asnjë nga objektivat e deklaruar më parë nga PS nuk janë realizuar, përpos forcimit të pozitave aq të lëkundura të kryetarit pas mbarimit të zgjedhjeve, llogaritë politike dalin jo me pak humbje.
Me bojkotin e tejzgjatur, PS krijoi një krizë të brendshme, e cila do të ketë efekte të dukshme dhe nuk mund të mos merret në konsideratë. Rregullat e reja të funksionimit të grupit parlamentar nuk mund ta tejkalojnë këtë krizë, përkundrazi do ta thellojnë, pasi synimi është ngushtimi i lirive demokratike, gjë që do të rrisë tensionin e brendshëm. Blushi me shokë nuk mund të durojnë deri në limite të paarsyeshme zvetënimin e integritetit politik, që po vihet në pikëpyetje serioze, si nga mënyra se si do drejtohet grupi, ashtu edhe personazhet që do jenë në këtë hiearki.
Mungesa e një platforme të qartë dhe të menduar e të konsultuar ligjërisht, bëri që opozita të mos dijë çfarë të kërkojë realisht nga maxhoranca aktuale. Ajo i artikuloi gabim kërkesat e saj për bazën ligjore të hapjes së kutive dhe tani u kujtua të dërgojë ligjin në parlament. Legjitimimi ligjor 8 muaj me vonesë tregoi se ajo ishte e papërgatitur edhe juridikisht për strategjinë që ndoqi tetë muaj me radhë dhe se strukturat e saj nuk funksiononin, por vetëm bindeshin pa fuqi reaguese ndaj kryetarit. Nëse brenda vetes ajo do ta tejkalojë këtë situatë, nuk dihet impakti që do të ketë te votuesit dhe pasuesit e shumtë që u inkandishuan me këtë tezë dhe iu garantua se kërkonin një të drejtë të ligjshme. E drejtë që tani del se do të ligjërohet përmes një propozimi që kanë dërguar në Parlament deputetët e sapo betuar socialist.
Duke e reduktuar aksionin politik dhe artikulimin e saj vetëm te hapja e kutive, opozita harroi pothuaj krejt misionin thelbësor që ka, duke mos u bërë për asnjë çast të vetëm alternativë qeverisëse dhe duke potencuar me forcë problemet e shumta që ka vendi. Ajo filloi të flasë edhe në emër të “popullit opozitar”, kur një term i tillë jo vetëm që nuk mund të ekzistojë politikisht, por mund të krijojë një ndarje që është shumë e rrezikshme për stabilitetin dhe marrëdhëniet midis njerëzve. Dhe këtë term fatkeqësisht e kanë “përvetësuar” gati të gjithë artikuluesit që lexojnë fjalimet e gatshme. Një pjesë prej tyre u angazhuan edhe në goditjen e paprinciptë ndaj Metës, duke përdorur një fjalor që në fakt dëshmonte nervozizmin politik të lidershipit politik të PS, pasi mllefi intaçor kalonte çdo standard etik. Mirëpo strategjia për të prodhuar konflikt politik e mediatik me Metën rezultoi e pasuksesshme, përveç se bëri që të përdoren deri në kufij ekstremë figura të panjohura, po edhe të vjetëruara të kësaj partie. Kjo bëri gjithashtu që të thellojë edhe më tej konfliktin midis PS dhe LSI-së dhe të minimizojë mundësitë të paktën e një komunikimi normal në një të ardhme të shpejtë. U investua ashtu si përpara zgjedhjeve që të prodhohet medoemos konflikt me Metën. Ky kthim i luftës në një pistë personale konsumoi jo pak moral brenda PS dhe dëshmoi se kërkesat për standarde demokratike vetëm visheshin me fjalë të shkruara bukur, pasi sjellja e komprometonte shumë shpejt moralin e dyshimtë. Me zgjatjen e bojkotit dhe fundin e tij pa dhënë argumente bindëse, përse e theu, aq më shumë pa një vendim të strukturave drejtuese të saj, PS vuri shumë pikëpyetje të mëdha vetes edhe përballë partnerëve ndërkombëtarë, të cilët do të jenë të detyruar të marrin me rezervë shantazhet politike që ajo përsërit pa kriter. Tërheqja nga qëndrimi refraktar që mbajti për tetë muaj opozita dhe rikthimi i saj në pikën e nisjes së 29 qershorit, pavarësisht tezave me frymë radikaliste që kërkojnë të mbajnë gjallë frymëzuesit aventurierë të bojkotit, nuk erdhi se ajo u moderua, por se rruga pa krye ku u fut nuk kishte asnjë mbështetës përtej kufirit të Shqipërisë dhe mbështetës që rrudhoseshin në numra brenda saj. Ky dorëzim i saj gati pa kushte, pavarësisht zërave se do të vazhdojë bojkoti dhe protestat, do të ketë një kosto shumë të lartë, pikësëpari në konsumimin e saj të panevojshëm. Ky konsumim do të ndjehet që te përkrahësit e kësaj partie, të cilëve po u shtyhet në vijimësi thirrja për t’u bashkuar në protesta. Nëse politika e arsyes dhe e racionalitetit do të vonojë, PS ka shumë pak gjasa të kthehet në protagonizmin dhe performancën e një partie moderne, konstruktive dhe alternative demokratike.