Plan i ri masash për transportin publik
Nuk ka nevojë të bësh shumë komente për transportin publik në qytetin e Tiranës. çdokush që ka udhëtuar, qoftë edhe njëherë me autobus e di mirë që asnjë përcaktim tjetër nuk i shkon më shumë për shtat se fjala “copë-copë”. Ngado ta kapësh, lë për të dëshiruar. Vetë qytetarët ankohen çdo ditë dhe kërkojnë që situata të ndryshojë. Më në fund, bashkia e Tiranës ka vendosur ta ketë prioritetin kryesor. Gjatë një takimi me shoqatën e Transportit qytetas dhe operatorët e këtij shërbimi kreu i saj Edi Rama prezantoi planin e ri të masave për transportin urban. Ndonëse me tone të zbutura, Rama ngriti disa nga problematikat kryesore e nga ana tjetër pohoi se çmimi i biletës mbetet akoma i ulët, çka pengon në arritjen e standardeve. “Jemi të vetëdijshëm se për shkak të kostos që ka shërbimi, për shkak të politikës së një çmimi shumë të ulët, në raport me koston që ne kemi bërë, nuk është një fjalë goje që ne do arrijmë standardet evropiane”,tha Rama. Ai prezantoi 4 grupet e projekteve për transportin publik. Deri në vitin 2011 do të ndërhyhet për të përmirësuar infrastrukturën rrugore në mënyrë për të rritur eksesin e lëvizjes së mjeteve . Në shërbim të qytetarëve pritet të vendosen mjete të reja për çdo linjë (pjesa më e madhe e investimeve do të kryhen gjatë këtij vitit dhe vitit që vjen. Autobusët e rinj duhet të kenë domosdoshmërisht “kushtet e komfortit dhe aksesibilitetit të shërbimit”, ku bëjnë pjesë ajri i kondicionauar, hyrja e lehtë, platformë për njerëz me aftësi të kufizuar, sisteme kamerash,apo sisteme kontrolli të teknologjisë së lartë. Me këto investime të pritshme nga bashkia më në fund qytetarët e Tiranës do të mund të marrin një shërbim të denjë të transportit publik. Nga sa bëri me dije kryebashkiaku Rama, këtë muaj fillon nga puna “Projekti i Transportit Multimodal” i cili parashikon korsi të dedikuara të autobusëve, biçikletave dhe këmbësorëve në 23 rrugë të kryeqytetit. Një tjetër projekt është edhe ngritja e “Qendrës së Kontrollit dhe të Menaxhimit të Trafikut”, ku me sistemet e reja IT të menaxhimit të transportit publik, do t’i jepet prioritet transporti publik. Edhe kjo qendër pritet të përfundojë në vitin 2010.
Projektet 2010-2011
1-Infrastruktura rrugore:
Investimet që rrisin mundësinë e lëvizjes së mjeteve të Transportit Publik
2-Rruga-prioriteti në lëvizje
Projekti i Transportit Multimodal:
Korsitë të dedikuara të autobusëve, biçikletave për 23 rrugë të qytetit.
3-Menaxhimi i lëvizjes dhe Infomobiliteti
Ngritja e Qendrës së Kontrollit dhe të Menaxhimit të Trafikut,
Sisteme të reja IT të menaxhimit të transportit publik
4-Mjetet e Transportit Publik
Mjete të reja me kushtet e komfortit dhe aksesibilitetit të shërbimit