FMN: Ekonomia globale të rritet më tepër se niveli i parashikuar
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) thotë se pas daljes nga recesioni, ekonomia globale duhet të rritet më tepër sesa niveli i parashikuar, dhe sipas ekspertëve ka mundësi të rritet me 4.2 përqind. Ekspertët e FMN-së thonë se rigjallërimi ekonomik do të çojë në rritjen e ndjeshme të ekonomisë së Kinës me 10 për qind. Shtetet e Bashkuara do të kenë një rritje më të ngadaltë prej 3.1 përqind, por më të shpejtë se Europa, prej një përqind. FMN-ja thotë se përpjekjet e qeverive për të nxitur ekonominë ishin të dobishme, por paralajmëron se rritja e deficitit mund të pengojë rritjen në të ardhmen. Autorët e raportit thonë se përpjekjet për stimulimin e ekonomisë që u bënë këtë vit duhet të vazhdojnë, por shumë vende duhet të shkurtojnë shpenzimet vitin e ardhshëm. Fondi Monetar Ndërkombëtar informon se për të ruajtur ritmin e rritjes ekonomike botërore, është e nevojshme që vendet me deficit të lartë tregtar, siç janë Shtetet e Bashkuara, të shkurtojnë kërkesën, ndërsa vende si Kina, me suficit tregtar të nxisin kërkesën e brendshme. Fondi Monetar Ndërkombëtar po bën gjithashtu thirrje për rregulla më funksionale për financat, përfshirë kërkesën për bankat që të kenë rezerva më të mëdha monetare për të mbuluar investimet e pasuksesshme.