Berisha: Rruga e Arbrit shkurton distancën Shqipëri - Maqedoni
Bashkëpunimi ekonomik do të rritet dhe do të jetë më i frytshëm me ndërtimin e Rrugës së Arbrit, sepse kjo rrugë do të shkurtojë distancën mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Kështu është shprehur dje Kryeministri Berisha në pritjen që i bëri zotit Xhelal Bajrami, ministër i Punës së Maqedonisë. Duke e falënderuar për pritjen e ngrohtë, ministri Bajrami i përcolli Kryeministrit Berisha në këtë takim përshëndetjet e Kryeministrit maqedonas, Gruevski, si dhe të kryetarit të PDI-së, zotit Ali Ahmeti. Duke vlerësuar në mënyrë të veçantë rolin që Kryeministri Berisha ka luajtur në demokratizimin e jetës politike shqiptare, ministri i Punës së Maqedonisë, zoti Xhelal Bajrami, u shpreh se Shqipëria ka bërë hapa të admirueshëm përpara në zhvillimin politik e ekonomik, si dhe në rrugën e integrimit të saj perëndimor. Në kuadrin e bashkëpunimit mes dy vendeve, ministri Bajrami shprehu kënaqësinë që së bashku me homologët shqiptarë u iniciua krijimi i grupit të përbashkët të punës për hartimin e marrëveshjes ndërshtetërore të sigurimit shoqëror të punës.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha, duke uruar për nismën e mbarë të sigurimit, për mbrojtjen sociale të qytetarëve të dy vendeve i kërkoi ministrit Bajrami ti transmetonte Kryeministrit Gruevski dhe kryetarit të PDI-së, zotit Ali Ahmeti, vlerësimin për progresin e Maqedonisë, në demokratizimin e vendit, për organizimin zgjedhjeve të lira, si dhe në plotësimin e kushteve për integrimin euroatlantik të saj. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha shprehu besimin se këto arritje dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit janë rruga më e dobishme për qytetarët e shtetit fqinj. Shqipëria, - u shpreh Kryeministri Berisha, - do të jetë përherë një partner dashamirës për çdo marrëveshje dhe projekt me impakt të përbashkët që u shërben dy popujve, zhvillimit, paqes dhe stabilitetit në rajon.
Duke shprehur besimin për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, Kryeministri u shpreh se investime të rëndësishme në infrastrukturën rrugore, si ato në Rrugën e Arbrit, që shkurton ndjeshëm distancën mes Tiranës dhe Shkupit, apo në infrastrukturën hekurudhore, do të shërbejnë për të lehtësuar më tepër lëvizjen e qytetarëve në të dyja vendet. Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për nënshkrimin e marrëveshjeve të përbashkëta të bashkëpunimit, të cilat do tu shërbejnë komuniteteve të të dyja vendeve.