E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Frenohet ekonomia globale

Ekonomia botërore do të ngadalësohet ndjeshëm gjatë këtij viti dhe atij që do të pasojë, ndërkohë që do të jetë ekonomia amerikane ajo që do ta reflektojë më fort recesionin e krizës më të rëndë financiare të shënuar që prej më shumë se gjysmë shekulli. Fondi Monetar Ndërkombëtar, përmes një studimi të publikuar dje, bëri me dije se rritja do të frenohet për ekonomitë e të gjitha vendeve të globit dhe veçanërisht për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila është edhe epiqendra e krizës financiare.

"Ekonomia botërore po frenohet përpara tronditjes financiare më të rëndë që nga vitet tridhjetë", vëren raporti i FMN-së. Sipas ekspertëve të tij, ekonomia globale, e cila u rrit me 5 për qind gjatë vitit të shkuar, do të ngadalësohet në shifrën 3.9 për qind gjatë vitit në vazhdim. Parashikohet se do ngadalësohet edhe më shumë - vetëm në 3 për qind - gjatë vitit të ardhshëm, duke rënë në treguesit më të dobët që nga viti 2003. Në të shkuarën, FMN e konsideronte rritjen prej më pak se 3 përqindësh ekuivalent të recesionit global.

Përfundimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar u ndikuan nga ulja e normave të interesit të ndërmarra nga Rezerva Federale Amerikane dhe gjashtë banka të tjera qendrore, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e krizës amerikane në të gjitha vendet, duke shkaktuar një krizë ekonomike në nivel global. Sipas ekspertëve të FMN-së, kriza financiare, e cila shpërtheu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në gushtin e vitit 2007 dhe është përhapur tashmë me shpejtësi në shumë vende, hyri në një fazë edhe më të rrezikshme muajin e shkuar, duke tronditur rrezikshëm institucionet dhe tregjet financiare. Është përgjegjëse për shkaktimin e një orteku falimentimesh, shkrirjesh të detyruara dhe ndërhyrje qeveritare - siç është ajo e paprecedentë e ndërmarrë nga administrata "Bush" për mbështetjen e sistemit bankar amerikan me një paketë prej 700 miliardë dollarësh.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ekonomia, e cila u rrit me 2 për qind vitin e shkuar, llogaritet të ngadalësohet në 1.6 për qind gjatë vitit në vijim. Rritja do të ndalet virtualisht krejtësisht në vitin 2009, duke qenë se do shënohet një rritje minimale prej vetëm 0.1 përqindësh. Kjo do të përbëjë edhe treguesin më të ulët që nga viti 1991, kur vendi dilte me vështirësi nga recensioni.

"Me perspektivën e një recensioni gjithnjë e më të mundshëm, pyetjet kyç janë, sa e rëndë do të jetë rënia, kur do të nisë rimëkëmbja dhe sa e fortë do të jetë", vëren raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Shumë gjëra do të varen nga hapat që do marrë administrata amerikane për stabilizimin e tregjeve financiare, duke bërë që të çlirohet ngërçi i kredive. Një tjetër faktor i rëndësishëm është mënyra se si do reagojnë ndaj masave konsumatorët amerikanë, mpirja e të cilëve po dëmton ekonominë e vendit.

Sipas FMN-së, si dhe shumë specialistëve të tjerë, me shumë gjasa ekonomia amerikane do nisë të kontraktohet gjatë tre muajve të fundit të këtij viti dhe gjatë tre të parëve të vitit të ardhshëm, duke arritur tek ajo që përkufizohet si recension. Recensioni i fundit i ekonomisë amerikane është shënuar në vitin 2001.

Përmes raportit, Fondi vëren gjithashtu se, me gjithë përpjekjet për stabilizimin e tregjeve, "procesi i baraspeshimit të tregut financiar do të jetë i gjatë dhe i vështirë", duke nënvizuar se dhënia e kredive do mbesë nën ngërç edhe gjatë vitit 2009.

Më tej, në raport mësohet se rritja e Gjermanisë do ngadalësohet në 1.8 për qind gjatë këtij viti, nga 2.5 për qind e regjistruar në 2007-ën. Rritja në Francë do të zbresë në 0.8 për qind krahasuar me 2.2 për qind të regjistruar vitin e shkuar. Rritja britanike do të zbresë në 1 për qind, nga 3 për qind e regjistruar një vit më parë. Ekonomia kanadeze do rritet vetëm me 0.7 për qind gjatë këtij viti, në vend të mesatares 2.7 të vitit të shkuar. Edhe në Japoninë e largët, rritja do të zbresë në 0.7 për qind nga 2.1 për qind të një viti më parë.

Ekonomitë e Kinës dhe Indisë do të shënojnë rritje të qëndrueshme gjatë këtij viti, respektivisht 9.7 për qind dhe 7.9 për qind. Por, edhe nëse këto parashikime do të rezultonin të sakta, do mbeteshin më të ulëta se të dhënat e një viti më parë. Ekonomia ruse do të rritet me 7 për qind gjatë këtij viti, më pak se 8.1 për qind shënuar në vitin 2007.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›