E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Kosova jashtë binarëve

LONDËR- Një dështim për Kosovën. Kështu e përshkruan gjendjen e tanishme monetare në Kosovë, ish-shefi i njësitit ekonomik të Zyrës Civile Ndërkombëtare, ICO, në Kosovë, Andrea Capussela, të botuar në të përditshmen britanike “The Guardian”. Sipas tij, Fondi Monetar Ndërkombëtar, të hënën, pritet të dalë publikisht për të treguar se programi me Kosovën ka dalë jashtë binarëve. Kjo do të jetë një ngjarje e rrallë, pasi që qeveritë rrallë ndodhë t’i shkelin përkushtimet e tyre ndaj FMN-së.

“Kosova kërkoi një program nga FMN për të forcuar kredibilitetin e saj si dhe për t’i plotësuar kushtet e lidhura me grantet e mëdha nga BE dhe nga Banka Botërore. Megjithatë, tani duket se edhe paratë edhe kredibiliteti ka rënë, dhe papërgjegjshmëria e qeverisë po e çon Kosovën drejt një krize fiskale”, thotë Capusella.

Capusella vazhdon të kritikojë, duke thënë se elita e paaftë dhe shpesh grabitqare në Kosovë është e lirë nga llogaridhënia: sistemi juridik është jofunksional dhe i nënshtrohet ndërhyrjeve politike, shoqëria civile është e dobët dhe zgjedhjet – të cilat rregullisht përcillen me mashtrime – tërheqin më pak se gjysmën e votuesve. Ndërkaq, duke krahasuar Kosovën, të dalë nga kthetrat e Serbisë, autori thekson se cilësia e demokracisë është më e mirë në Serbi sesa në Kosovë.

“Nëse përballet me krizë fiskale, Kosova do të kërkojë të ndihmohet nga donatorët. Kjo do ta shpërblente papërgjegjshmërinë, do ta mbronte qeverinë nga llogaridhënia ndaj qytetarëve të saj dhe do ta vononte për një kohë shumë të shkurtër krizën. Për fat të keq, donatorët mund të jenë të obliguar”, përfundon Capusella.
(m.a/kd/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›