E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, seancë të jashtëzakonshme për Haradinaj

PRISHTINË- Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet sot ne një seancë plenare të jashtëzakonshme, me të vetmen pikë të rendit të ditës "Debatin parlamentar për rastin e ri-gjykimit të pjesshëm të Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj".

Kërkesa është shtruar nga deputeti Ahmet Isufi me mbështetjen e mbi 40 deputetëve. Dhoma e Apelit e Tribunalit të Hagës për Krime Lufte urdhëroi më 21 korrik të vitit të kaluar të ndalet në paraburgim Ramush Haradinaj dhe rigjykim për të dhe Lahi Brahimajn e Idriz Balajn. Bëhej e ditur se Dhoma e Apelit e Tribunalit të Hagës kishte shfuqizuar vendimet e mëparshme.

Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës më 9 mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës nga Tribunali i Hagës.

Më 9 qershor 2005, me vendim të Tribunalit të Hagës, Haradinaj është liruar nga paraburgimi deri para fillimit të gjykimit, ndërsa më 26 shkurt 2007 shkoi përsëri në Hagë për të qenë në procesin gjyqësor. Haradinaj, vitin e ri 2008 dhe festat e fundvitit i ka kaluar në familje në Kosovë, i liruar përkohësisht nga gjykata, dhe është rikthyer në Hagë më 4 janar.

Në gjyqin ndaj Haradinjat, të nisur më 5 mars 2007, janë zhvilluar rreth 120 ditë seanca, gjatë së cilave pala akuzuese ka sjellë në gjyq afër 80 dëshmitarë. Pala mbrojtëse ka konsideruar se prokuroria nuk ka dëshmuar në asnjë pikë akuzat. Prandaj mbrojtja e Haradinajt nuk e ka parë të arsyeshme të sjellë dëshmitarë në gjyq, duke besuar se pafajësia është siguruar nga dëshmitë e dëshmitarëve të palës së kundërt. Vendimi i mbrojtjes që mos të paraqitet me dëshmitarët e saj ka shkrurtuar procesin gjyqësor.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›