E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Kriza botërore, së shpejti në Shqipëri

Nga Genc Kondi
Sipas ekspertëve të FMN-së, Shqipëria, jo vetëm që nuk mund të mendohet se është e imunizuar nga kriza financiare që ka prekur pjesën tjetër të botës, por madje, ajo mund ta ndjejë atë shume shpejt. 

TIRANE-Ndryshe nga sa mendojnë shqiptarët, kriza financiare botërore mund të ndihet shpejt edhe në ekonominë e vendit tonë. Këtë nuk e kanë pohuar deri tani specialistët shqiptarë të sektorit ekonomiko-financiar dhe as institucionet qeveritare e ato bankare, duke filluar nga Banka e Shqipërisë. Por, një gjë të tillë e kanë pohuar, ditët e fundit të javës së kaluar, përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në një takim të zhvilluar me anëtarët e Komisionit parlamentar të Ekonomi-Financës. Takimi i kushtohej diskutimit të shifrave të propozuara nga qeveria, të Projektbuxhetit të Shtetit për vitin e ardhshëm. Ai është zhvilluar me dyer të mbyllura në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë.
Ndikimi
Sipas ekspertëve të FMN-së, për deklaratat e të cilëve Gazetën e informuan burime nga kjo organizatë, që nuk pranuan të identifikoheshin, Shqipëria, jo vetëm që nuk mund të mendohet se është e imunizuar nga kriza financiare që ka prekur pjesën tjetër të botës dhe që mendohet se do të zgjasë të paktën një vit, duke goditur edhe sektorë të tjerë të ekonomive të këtyre vendeve. Por, madje, ajo mund ta ndjejë atë shpejt. Së pari, kjo varet nga rreziqet që vijnë nga prania në Shqipëri e kapitalit të huaj financiar. Bankat, në masën 99%, kapitalet i kanë të huaja. Një krizë jashtë vendit do të transferonte pasojat edhe tek ne. Nga ana tjetër, edhe pa filluar kjo krizë, që nga fundi i vitit të kaluar është konstatuar se remitancat (prurjet valutore) të shqiptarëve, që punojnë e jetojnë jashtë vendit, kanë pësuar një ulje, për herë të parë në histori. Kjo mendohet se do të vazhdojë, sipas FMN-së, për shkak se këta shqiptarë do të preken nga kriza ose do të mendojnë që të ruajnë kursimet e tyre si një mjet rezervë për ditë të vështira në ato vende ku jetojnë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›