INTERVISTA/Flet Bujar Brovina: Motoja e punës sonë “ndërtimi dhe zhvillimi i qytetit më moshën rinore”
Qyteti Studenti, aty ku vizioni dhe perspektiva e zhvillimit nuk njeh kufi
Ja puna e deritanishme në krye të Ndërmarrjes së Trajtimit të studentëve, projektet për të ardhmen, si dhe si është abuzuar nga paraardhësit me fondet buxhetore
Qyteti Studenti, vetëm gjatë tre viteve të fundit ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore pamjen dhe infrastrukturën. Përqendrimi i investimeve në infrastrukturën rrugore të qytezës, rikonstruksionin e godinave, shtimin e hapësirave të gjelbra dhe vendosja e rregullit dhe disiplinës së fortë, janë elementët që i atribuojnë Qytetit Studenti, perspektivën e zhvillimit dhe atë të modernizimit të plotë. Drejtori i Qytetit Studenti Bujar Brovina, gjatë një interviste ekskluzive për “55”-ën, konfirmon zotimin e tij, për të realizuar gjithçka të mundshme në dobi të komunitetit studentor. Sistemi kleptokratik, i qeverisjes së mëparshme kishte shtrirë duart gjithandej, dhe fondet kumbisnin, asnjë investim në dobi të studentëve, asnjë nismë për përmirësimin e kushteve të Qytetit Studenti si në infrastrukturë, kanalizime, ujësjellës, ndriçim etj”.
Zoti Brovina, gjithkush që viziton Qytetin Studenti, është i vetëdijshëm se ky vend i është nënshtruar ndryshimeve rrënjësore në infrastrukturë, përmirësimin e kushteve të godinave, gjelbërim etj. Ky zhvillim në pak vite, sa i dedikohet përkushtimit tuaj personal, për ti shërbyer komunitetit studentor?
Faktikisht, unë nuk dua ta quaj si përkushtim personal, por bashkë me stafin që punon këtu. Është e vërtetë që unë jam i përkushtuar dhe jam shumë kërkues në punë, por ama gjithë këtë përparim dhe zhvillim, ia dedikoj edhe stafit përbërës. Është një staf shumë i mirë, i përgatitur dhe gjithmonë i gatshëm për t’iu gjendur pranë çdo problemi që mund të hasin studentët dhe në tërësi Qyteti Studenti. Unë kam gjetur gjuhën e përbashkët me stafin tim, punët na ecin në drejtimin e duhur. Arritjet tona, janë bashkë me të gjithë stafin. Vizioni që kam unë për Qytetin Studenti e shpërthej dhe kam vendosmërinë time për të realizuar gjithçka të mundshme në dobi të komunitetit studentor. E përsëris, puna jonë është e përbashkët, është edhe e stafit. Jo vetëm unë, por kushdo që të jetë në krye të detyrës, patjetër që duhet të jetë kërkues, pjesa tjetër i takon stafit pastaj. Unë rri dhe 14 orë në punë, ç’është e vërteta, nga mëngjesi deri në 8-të të darkës, plus që vij edhe natën, sepse gjithmonë jam i përkushtuar në punë, gjithmonë bëj pjesën e atërorit sesa të titullarit. Ndoshta, nuk bëj gabim të them, por unë bëj pjesën e atërorit dhe jo të Drejtorit të QS-së.
Duke u fokusuar tek investimet, sa janë realizuar dhe ku janë përqendruar kryesisht?
Këtu në Qytetin Studenti, më bën përshtypje se, duke u kthyer pak në histori, unë nuk e di se çfarë është bërë këtu. Dhe një gjë e tillë më bën shumë përshtypje. Të mos vesh dorë në Qytetin Studenti, është një krim, krim ndaj këtyre studentëve. E them ndaj studentëve, se është mega e dijes së këtij vendi. Aq më tepër që kjo është mega e demokracisë. Por, këtu evoluuan gjërat aq shumë shpejt, sa nuk i besohet askujt, këtu është sheshi demokracia dhe këtu është e ardhmja. Investimet tona kanë filluar nga dyer dhe dritare. Këtë e them me sinqeritetin më të madh, edhe dy godina të tjera janë dhe këtu përfundon komplet pajisja me dyer dhe dritare të reja. Mos harrojmë se jemi në vitin 2008 dhe këtu bëhet fjalë për dyer dhe dritare. Ne rikonstruktuam katër godina me kapacitet 1200 studentë, dy godina vajzash dhe dy godina djemsh, përkatësisht, 26-27 dhe 28-29, me dyer, dritare të reja dhe me akomodim të ri, me një vlerë që shkoi mbi 800 mijë euro. Perspektiva jonë në Qytetin Studenti, ka një vizion shumë të gjerë. Tani për tani, ajo që ka qenë gjithmonë një ngërç në këtë vend, ka qenë sistemi i kaldajës, e cila punon vetëm 40 %. Kaldaja është e viteve 80-të. Investimi për këtë është shumë i madh, ne si ndërmarrje sh.a, nuk e përballojmë dot. Por nëpërmjet një projekti kioto, një projekt italian, që do të financohet nga Komuniteti Evropian, gjithmonë në kuadrin e bashkëpunimit, kanë ardhur një grup inxhinierësh italianë, të cilët kanë parë kaldajat dhe projekti do të realizohet në Firence të Italisë. Kjo kaldajë, unë e kam përsëritur dhe e them edhe njëherë, do të jetë një nga kaldajat më të mëdha që vjen në Shqipëri. Këtu përfundon gjithçka, po punojmë aktualisht për kaldajën dhe internetin nëpër dhoma. Mbi të gjitha Qyteti Studenti ka akoma nevojë për punë. Në këto tre vjet, pothuajse e kemi nisur nga e para. Pra, të gjitha nuk arrihen dot në tre vjet. Çdo projekt, çdo investim ka etapën e saj. Por dua të shtoj se me punë arrihet gjithçka. Unë jam shumë realist, Qyteti Studenti po zhvillohet dita ditës. Në të gjithë hapësirën e kësaj qyteze sheh punonjës që rregullojnë dhe mirëmbajnë. Ne po ndërtojmë, politikat tona të investimeve përfshijnë një shumësi hapësirash. Po zhvillojmë infrastrukturën dhe do ta modernizojmë akoma më tej, ashtu siç i ka hije këtij vendi. Me pak fjalë, ne nuk do të ndalemi në punën tonë, për ndërtimin dhe zhvillimin e Qytetit Studenti.
Përsa u takon abuzimeve me fondet, që ju përmendët më lart....
Sigurisht. Para 2005-ës, Qyteti Studenti varej nga Ministria e Arsimit. Fondet që janë akorduar dhe janë marrë, unë nuk e di se ku kanë shkuar, ku kanë përfunduar, se në punë nuk janë vënë, kjo është shumë e dukshme. Kanë rikonstruktuar pjesërisht vetëm 4 konvikte, kryesisht, pajisje me dritare dhe asgjë tjetër. Më bën shumë përshtypje. Tani që ne jemi ndërmarrje sh.a, kemi vetëm një subvencion nga shteti, pjesën tjetër e mbulojmë vetë. Deri në 2005-ën, kur u mor vendimi i Gjykatës dhe u quajt ndërmarrje sh.a, por lind pyetja se para 2005-ës, çfarë është bërë? Nuk dihet se ku kanë shkuar lekët e studentëve më përpara. E them pa pasion, unë jam Drejtor i Qytetit Studenti, për të gjithë studentët, pa linja politike.
Çfarë projektesh keni për shtimin e hapësirave të gjelbra?
Investimet tona për këtë vit përfshijnë rreth 50.000 m2 lulishte. Kësaj pune i kemi dhënë prioritet gjithmonë, dhe nuk jemi ndaluar asnjëherë në punën tonë për të shtuar hapësirat e gjelbra. Tek godinat e djemve në këtë moment, kemi mbjellë rreth 20 pemë dhe gjithë pjesën tjetër, nga godina 29 deri te 22 dhe 23-shi, do ta përfundojmë shumë shpejt. Po ndriçojmë të gjitha rrugicat dhe ambientet e jashtme rreth godinave, për arsye edhe të masave tona të sigurisë.
Keni ndonjë projekt për përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit, për Qytetin Studenti?
Faktikisht ne kemi çuar një projekt grant për ujësjellësin në Qytetin Studenti. Shkalla e amortizimit të rrjetit aktual, është mbi 35 vjeçar. Fondi pothuajse është aprovuar nga ministria e Punëve Publike, mbeten vetëm 2-3 gjëra për tu plotësuar nga ana teknike dhe vitin tjetër fillon puna për ndërtimin e tij. Ky ishte fond grant i qeverisë shqiptare, për Qytetin Studenti. Në këtë drejtim, dua të shtoj gjithashtu se Qyteti Studenti, do të ketë edhe një depozitë më vete, pra nuk do të kemi më të njëjtën depozitë furnizimi me atë të popullatës. Realisht, projekti ka përfunduar nga ana jonë dhe shumë shpejt do të nisin punimet. E përsëris, kemi vetëm 2-3 gjëra të vogla teknike.
Sa është fondi i akorduar nga qeveria shqiptare për Qytetin Studenti?
Duke qenë se ne jemi një ndërmarrje sh.a, dhe kryesisht kemi të ardhurat tona të cilat i kthejmë në investime, megjithatë nuk na ka munguar mbështetja e qeverisë. Qeveria shqiptare ka akorduar për këtë vit, për Qytetin Studenti, më shumë se 700 000 euro. Me këtë fond të qeverisë, ne rikonstruktuam tërësisht 4 godina dhe bëmë lyerjen e gjitha godinave të Qytetit Studenti. Megjithatë, puna jonë nuk ndalet këtu. Ne do të vazhdojmë me të njëjtin përkushtim drejt investimeve dhe zhvillimit të kësaj qyteze studentore. Qeveria shqiptare po mendon për studentët
A ka ndërprerje të energjisë elektrike dhe të furnizimit me ujë?
Qeveria ka specifikuar si prioritet kryesor të sajin, furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike, Qytetin Studenti. Pra energjia elektrike është 24 orë në dispozicion të studentëve. Përsa i takon furnizimit me ujë, aktualisht kemi një orar, duke filluar në paradite, nga 7-9 dhe për 12-21, në pasdite. Kemi vënë këtë orar për arsyen e vetme, se pjesa dërrmuese e studentëve shkon nëpër auditore.
A vërehet një fluks në rritje nga viti në vit i studentëve për tu akomoduar në Qytetin Studenti?
Po. Fluksi në rritje i studentëve, u takon më tepër vajzave. Aq sa dua të theksoj se raporti vajza-djem, është 7/3. Kemi kërkesa në rritje nga vajzat, por nuk dua ta mohoj, se nuk mungojnë edhe ato të djemve. Kjo na ndikon për mirë, pasi është siguria në radhë të parë. Këtu ka një postë policie, marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Këtu ka edhe një minispital. Dhe prindërit tashmë, nuk i dërgojnë vajzat në banesa private, por po i akomodojnë në Qytetin Studenti. Do të shtoja dhe diçka tjetër. Ne jemi në hapat e parë tub ndërtimit të Departamentit. Çdo godinë do të ketë dy studentë dhe më pas do të zhvillohen zgjedhjet, për kryetarin, sekretarin dhe një për Marrëdhëniet me Jashtë. Për të gjitha problemet dhe shqetësimet e studentëve, kontaktet me mua janë dhe do të mbeten gjithmonë të hapura. Unë lidhje me studentët kam, numri i im i telefonit është i afishuar në të gjitha ambientet e Qytetit Studenti. Gjithashtu ka edhe një njoftim për rastet që do të konstatohet ryshfet nga ana e punonjësve. Sinqerisht, nuk ka pasur asnjë mesazh apo denoncim nga studentët, për një shqetësim të tillë. Mendoj se ky vit akademik po shkon shumë mirë. Edhe vetë studentët e kanë shprehur një mendim të tillë, në të gjitha intervistat apo prononcimet e shkurtra që kanë dhënë për media të ndryshme.
Si po shkon nisma për pajisjen e dhomave me sinjal interneti?
Për këtë ka ardhur një kompani amerikane dhe izraelite, të cilat kanë paraqitur projektet e tyre dhe këto projekte i kemi paraqitur në qeveri. Shumë shpejt edhe ky projekt do të marrë formën përfundimtare, do të fillojë instalimi i antenave. Do të jenë dy antena, që do të mbulojnë të gjithë hapësirën e Qytetit Studenti. Ky do të jetë një financim i qeverisë shqiptare. Realisht kanë ardhur plot firma të tjera, për ta bërë këtë, por këto firma që vijnë duan që kjo të paguhet nga studentët, por ne jemi të vendosur që t’ua japim studentëve falas. Qeveria shqiptare po mendon për studentët dhe ky internet do t’u jepet falas. Gjithashtu me këtë rast, dua të shpreh një mesazh drejtuar studentëve. Studentët, për sa kohë do të jenë në Qytetin Studenti, do të ndjehen si qytetarë të kësaj qyteze. Ne do të bëjmë gjithçka për të qenë pranë tyre, në shërbim të tyre.
Projektet që janë në proçes dhe që priten të realizohen vitin e ardhshëm
- Përmirësimi i rrjetit të ujësjellësit
- Vendosja e një sistemi të ri kaldaje, projekt që do të realizohet në Firence të Italisë. Me këtë projekt merr fund një nga shqetësimet më të mëdha të studentëve, ai i ngrohjes nëpër dhoma. Kaldaja, do të jetë një nga më të mëdhatë që vjen në Shqipëri.
- Rikonstruksioni dhe asfaltimi i të gjitha rrugëve të brendshme, lidhëse dhe ndërlidhëse të Qytetit Studenti. Qyteti Studenti, prej afro tre vjetësh po ndryshon infrastrukturën e brendshme, në sajë të një pune voluminoze dhe cilësore. Pothuajse të çdo cep të kësaj qyteze, ndonëse 3 apo 4 vite më parë studentëve u duhej të përballeshin me baltën dhe ujin nëpër këmbë sipas kushteve klimaterike, rrugicat tashmë janë të shtruara sipas një modeli të veçantë kryesisht me gurë lumi. Grumbullimi i të cilave nuk ka pasur ndonjë kosto të rëndë, përveç asaj për materialet e tjera tepër të domosdoshme. Puna, ende vazhdon deri në finalizimin e të gjitha rrugicave që lidhin godinat me njëra-tjetrën dhe me pjesët e tjera të Qytetit Studenti
- Pajisja e të gjitha godinave me lëndë të re materiale, nisur nga krevatët, komodinat, gardërobat, dyshekët dhe kuvertat, të cilat, siç edhe thekson drejtori Bujar Brovina, janë bazë materiale e vjetruar tashmë. Drejtori Brovina, premton një eliminim tërësor të pajisjeve të vjetra nëpër godina.
- Rikonstruksioni i dy godinave të tjera, të cilat janë të banuara nga djem
- Shtrimi i të gjitha godinave me pllaka
-Godinat e vajzave, do të përmirësohen edhe më ndjeshëm në infrastrukturën e brendshme dhe njëherazi njëra nga to, godina nr. 2, e cila më parë kishte shërbyer për djemtë, ndërsa tashmë është për vajza, do ti nënshtrohet një rikonstruksioni të brendshëm, duke u fokusuar kryesisht në pajisjen e dhomave me lavamane.
- Rikonstruksioni i kanalizimeve, që janë me një shkallë amortizimi disa vjeçare
-Ambientet sportive, që ndodhem vetëm pak metra larg zonës së Qytetit Studenti, sipas drejtorit Brovina, shumë shpejt do të vihen në dispozicion të studentëve, megjithëse aktualisht i takojnë rektoratit. Me ambientet sportive, Drejtoria e Qyteti Studenti, planifikon të ndërtojë fusha mini-futbolli, basketbolli, volejbolli etj, të cilat do të jenë në shërbim të studentëve vetëm me një tarifë minimale prej 50 lekësh.
-Lulishtet- Në Qytetin Studenti, llogariten mbi 110 mijë m2 hapësira të gjelbra me bar, hapësirë që do të shtohet edhe më tej. Vitin e ardhshëm parashikohet zgjerimi me rreth 50 mijë m2 i hapësirave të gjelbra me pemë, lule, ku nuk do të mungojë edhe ndriçimi.
Abuzimet me fondet gjatë qeverisjes së mëparshme
Drejtori i Qytetit Studenti, Bujar Brovina, me të drejtë shtron pyetjen dilematike, për të gjithë, se ku janë shpenzuar fondet gjatë 8 viteve, pasi në qytezën e studentëve nuk është vënë dorë, dhe pikëpyetja e madhe na ndjek gjithandej. Është viti 2008 dhe ende Qyteti Studenti, për fat të keq, gëzon një problematikë të tillë që duhej të ishte kapërcyer që para 8 viteve, në mënyrë që në ditët e sotme t’u kushtohej rëndësi projekteve madhore që do na çonin në rrugën e modernizimit drejt standardeve bashkëkohore. Kësisoj, sistemi kleptokratik, kishte shtrirë duart gjithandej, dhe fondet humbisnin, asnjë investim në dobi të studentëve, asnjë nismë për përmirësimin e kushteve të Qytetit Studenti si në infrastrukturë, kanalizime, ujësjellës, ndriçim etj.
Drejtori Brovina, sjell në vëmendje një rast flagrant, një ryshfet apo mitmarrje e hapur i drejtuesve të Qytetit Studenti, në vitin 2004. “Qeveria gjermane, i fali Qytetit Studenti një makinë plehrash me vlerë 120 000 makra dhe një makinë tip skavator. Këta zotërinjtë nuk i morën, e refuzuan dhuratën e qeverisë gjermane, për të cilën nuk do të shpenzonin asgjë, dhe çfarë bënë, hapën një tender dhe i blenë dy mjetet e lart përmendura me një vlerë prej më shumë se 250 000 marka. Përveç kësaj, të dy mjetet ishin të përdorua dhe ne ende aktualisht, përballemi me probleme dhe me defekte teknike të tyre. Abuzimet nuk kanë të sosur gjatë qeverisjes socialiste. Punonjësit e Qytetit Studenti, ishin të gjithë partizanë të partisë dhe të afërm të ish-ministrit të Arsimit, Luan Memushi”, deklaroi Brovina. Përsa i takon një denoncimi të mundshëm, pas gjithë këtyre abuzimeve me fondet, drejtori Brovina pohon se nuk ka asnjë dokument që mund të përdoret si mundësi hetimi, pasi çdo gjë e shkruar është grisur me largimin e paraardhësit nga posti i Drejtorit të Qytetit Studenti. “Është shumë absurde dhe për të ardhur keq njëherazi, që në vitin 2008, ne të merremi me investimet në gjëra të vogla, si dritare, dyer, krevatë, dyshekë, në një kohë kur duhet të kishim të tjera plane dhe projekte në ecjen përpara dhe plotësimin e standardeve bashkëkohore në linjë paralele me aspiratat e vendit drejt integrimit në familjen e përbashkët evropiane”, vuri në dukje Brovina.
Rregulli dhe disiplina e fortë
Nëse në opinionin publik ishte përhapur ideja se në Qytetin Studenti ryshfeti dhe korrupsionin ishin evident dhe si fenomene tërësisht të pashmangshme, tashmë mund të themi me bindje të plotë se kjo mbetet në caqet e një gojëdhëne dhe ndoshta të një të shkuare që është karakterizuar me një seri problemesh, duke filluar kryesisht nga qeverisja qendrore. Sigurisht nuk mohohet ekzistenca e fenomeneve të tilla, por që drejtori Brovina, pohon me sigurinë më të madhe, se korrupsioni dhe ryshfeti janë luftuar deri në fund dhe nuk janë më pjesë shqetësuese për studentët. Në këtë aspekt, drejtori i Qytetit Studenti, ka vënë në dispozicion të të gjithë studentëve që banojnë aty, numrin e tij të telefonit, për të denoncuar çdo veprim të dyshimtë të punonjësve dhe administratorëve të qytezës studentore.
“Nata e Kaltër studentore”, në Qytetin Studenti
“Nata e Kaltër”, tani është kthyer në një traditë, të paktën këto tre vjet. Sipas drejtorit të Qytetit Studenti, çdo vit bëhet një koncert i madh, për hapjen e vitit të ri akademik, ku nuk ka munguar as prania e kryeministrit të vendit Sali Berisha. “Unë e pashë të udhës, që ta quajë “Nata e Kaltër”. E bëmë këtë për të vetmen arsye, duke filluar errësimi në orën 7-8 të darkës dhe duke gdhirë mëngjesi, pra ndarja e natës me ditën. Por mos harrojmë se ka edhe një pikësynim tjetër, të cilën unë nuk do ta hezitoj ta them, këtu është sheshi “Demokracia”, këtu i takon kjo lloj ngjyre që të quhet “Nata e Kaltër”, këtu ka erdhur gjithë Shqipëria, prandaj një nga pikësynimet e mia është kjo. Ky koncert zgjati deri në orët e para të mëngjesit. U financua nga një fondacion turk, “Dejs & Partners Consulting” dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Qytetit Studenti. Realisht pjesa dërrmuese e këngëtarëve që vijnë në Qytetin Studenti, nuk kërkojnë që të fitojnë, ata për studentët vijnë edhe pa pagesë”, tha Brovina.
...