Fondet në total për MPPTT-në 2009, parashikohet të arrijnë në 61.55 miliardë lekë

Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit vazhdon të përfitojë pjesën më të madhe të fondeve të parashikuara për investime publike. Kështu ajo do të përfitoje 56.5 miliardë lekë ose 72 përqind të totalit të investimeve publike. Në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2009 parashikohet që 78.6 përqind e investimeve publike për këtë ministri të jenë investime me financim të brendshëm. Pjesa më e madhe e financimit të brendshëm rreth 11.2 miliardë lekë, ose 78 përqind do të shkojë në sektorin rrugor, ku është menduar të financohen një numër i konsiderueshëm projektesh për ndërtim rrugësh. Fondet në total për vitin 2009 për MPPTT-në parashikohen 61.55 miliardë lekë ose 5 përqind të PBB-së. Shpenzimet për mallra e shërbime për vitin 2009 janë në nivelin 2.26 miliardë lekë, duke pësuar një rritje prej 72.5 përqind në krahasim me buxhetin suplementar të vitit 2008. Sektori i infrastruktures rrugore zë pjesën më të madhe të financimit të brendshëm, rreth 51.072 miliardë, ose 92.6 përqind të totalit të financimeve të brendshme me projekte për ndërtim rrugësh.
Segmentet rrugore që do të ndërtohen nga buxheti i shtetit:
• segmenti rrugor Fier - Vlorë (Levan - Vlorë)
• segmenti rrugor Fier (Levan) - Tepelenë
• rruga Rrëshen - Kalimash
• rruga Kalimash - Rexhepaj
• rruga Shkodër - Hani i Hotit
• segmenti Milot - Rrëshen
• segmenti Konispol - Sarandë
Projektbuxheti 2009, investimet në ujitje e kullim llogariten në 900 milionë lekë
Investimet në sistemin e ujitjes dhe kullimit, në projektbuxhetin e vitit 2009 llogariten në rreth 900 milione leke, ku peshën më të madhe e zë financimi i objekteve “Mbrojtje nga Permbytjet”, “Objektet e Kullimit dhe “Hidrovore”, bënë të ditur burime nga MBUMK. Sipas burimeve nga kjo ministri, investime të konsiderueshme gjatë vitit 2009 janë parashikuar edhe për kategorinë e “Studim-projektimeve”dhe “Projektin e Menaxhimit të Burimeve Ujore”, ku padyshim rol kryesor do të luajnë dhe financimet nga donatorët e huaj si Banka Botërore, IFAD etj.
Nisin procedurat për kontratën e shërbimeve në portin e Durrësit
Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit (MPPTT) bën të ditur se kanë nisur procedurat e konkurimit publik për përzgjedhjen e operatorit të tretë Stevadore në Portin e Durrësit, ku do të marrin pjesë të gjithë operatorët ekonomikë të interesuar për fillimin e proçedurave të Konkurimit Publik për Kontratën e Shërbimeve të Ngarkimit dhe të Shkarkimit në Portin e Durrësit. Qëllimi i kontratës është ngarkimi dhe shkarkimi i anijeve dhe aktivitetet e lidhura me të si, stivimi, depozitimi, transportimi, etiketimi, lidhja, numërimi, pritja dhe lëvrimi i ngarkesave. Konkurimi do të zhvillohet me dy faza, ku faza e parë është parakualifkimi, ndërsa faza e dytë është dorëzimi dhe vlerësimi i ofertës/ propozimit.
9 milionë USD për rikonstruksionin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike
Drejtori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë,
(OSSH), për Vlorën dhe Fierin, Arqile Kume, tha se janë zbatuar dy projekte, me një vlerë të përgjithshme prej 9 milionë USD, të cilat janë financuar nga Banka Botërore dhe KESH, gjatë tre viteve të fundit, të cilat kanë përmirësuar situatën e furnizimit me energji të konsumatorëve. Sipas Kumes, ky është investimi më i rëndësishëm në harkun e 17 viteve të fundit, i realizuar në qytetin e Vlorës, në fushën e shpërndarjes së energjisë elektrike. Përmes tij, është mundësuar rindërtimi i rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, në parametrat 20 kv, që ofron standarde bashkëkohore në këtë drejtim. Ky rrjet, zëvendëson atë me parametra 6 kv, i cili ishte plotësisht i amortizuar dhe i papërshtatshëm për nevojat në rritje për energji elektrike në qytetin e Vlorës. Për rrjedhojë, janë ulur ndjeshëm edhe humbjet në rrjet, të cilat deri në fund të vitit pritet të shkojnë në nivelin 33 përqind. Shtrirja e këtij rrjeti, ka lehtësuar dukshëm edhe ngarkesën në pjesën tjetër të qytetit, ku, aktualisht, defektet janë në kuotat minimale të 10 viteve të fundit. Por, pavarësisht kësaj, projekti i mësipërm, pritet të vazhdojë, duke u shtrirë në të gjithë qytetin. Pjesë e tij, do të jenë zonat periferike të Vlorës, si ajo në afërsi të ish Pyllit të Sodës, ku rrjeti i shpërndarjes së energjisë, është i parametrave 6 kv.
Ujësjellësi i Vlorës, 22 pika për kontrollin e ujit të pijshëm
Ndërmarrja e ujësjellësit, e qytetit të Vlorës, ka përcaktuar 22 pika për monitorimin e ujit të pijshëm, për të garantuar parametrat e duhur të tij. Drejtori i ndërmarrjes së ujësjellësit, Viron Hyso, tha se, pikat e monitorimit, janë në të gjithë rrjetin e shpërndarjes së qytetit dhe në bazë të analizave, evidentojnë shkallën e pastërtisë së ujit. Kreu i ujësjellësit shton se, klorinimi i ujit të pijshëm kryhet çdo ditë, duke parandaluar ndotjet e mundshme të tij. Nga analizat e kryera, rezulton se uji, që përcillet përmes sistemit të shpërndarjes së qytetit, është i pijshëm dhe pa rreziqe të ndotjes. Pavarësisht dëmtimeve të rrjetit të ujësjellësit, në zona të caktuara, që vijnë si pasojë e shkallës së lartë të amortizimit, ndërmarrja ka marrë masat e duhura, për të parandaluar çdo situatë të papëlqyeshme. 22 pikat e monitorimit, janë pjesë e programit të masave, për të garantuar cilësinë e nevojshme të ujit dhe për të ruajtur parametrat e tij. Ujësjellësi i qytetit të Vlorës, me një histori 60-70 vjecare, ka një shkallë të lartë amortizimi. Ai është ndërtuar në vitet ’30-të, të shekullit të kaluar, nga një shoqëri italiane. Gjatë kësaj periudhe, ndërhyrjet e realizuara në të, kanë qenë të pjesshme dhe vetëm për riparimin e defekteve. Sipas një studimit të kryer nga një shoqëri angleze, në vitin 1995, sasia e ujit që hyn në rrjetin e ujësjellësit, mjafton për të furnizuar një qytet me rreth 1 milionë banorë, por, për shkak të dëmtimeve, humbjet janë të mëdha. Aktualisht, qyteti i Vlorës, furnizohet me ujë të pijshëm, mesatarisht 8 orë në ditë. Ndërkohë, para pak muajsh, ka nisur projekti më i madh në këtë fushë, ai i rikonstruksionit të plotë të ujësjellësit, që është një investim i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe asaj të Holandës, me një vlerë prej rreth 26 milionë eurosh. Me përfundimin e punimeve, brenda një periudhe 18 mujore, qyteti i Vlorës do të furnizohet pa ndërprerje me ujë të pijshëm, përgjatë 24 orëvëve.
Investime të reja në infrastrukturën e zonave rurale
Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) po financon një fond prej 400 milion lekë në infrastrukturën rrugore të komunave të ndryshme të rajonit të Korçës, bëri të ditur kryetari i Këshillit të Qarkut, Ilia Milo. Sipas tij, "është aprovuar fondi prej 400 milion lekësh për rrugët rurale dhe ato dytësorë në rajonin e Korcës". "Ky fond vjen nga buxheti i rishikuar për investime në infrastrukëturën rrugore për vitin 2008 dhe nga ana e njësive të qeverisjes vendore mbetet që të paraqiten për aprovim projektet për investime" tha Ilia Milo. Ai theksoi se ecuria e mirë e investimeve në inftrastrukturë ka bërë që të aprovohen fonde shtesë për sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve në zonat rurale të rajonit të Korçës. Projektet që njësitë e qeverisjes vendore i kanë të gatëshme për investime në infrastrukturë, duhet të paraqiten pranë Ministrisë së Brendëshme dhe Ministrisë së Financave, në mënyrë që brenda këtij viti të fillojë zbatimi i tyre. Një sërë rrugës rurale dhe dytësorë të rajonit të Korçës janë parashikuar të përmirësohen në infrastrukturën e tyre, në sajë të financimit me vlerë 400 milion lekë të dhëna si fond shtesë për këtë vit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
...