Kryesocialisti nuk ka nguruar që të keqpërdorë në Dibër sëmundjen e një fëmije
Politika e re e trillimeve nuk kursen askënd nga keqpërdorimi makabër që i bën Rama Tashmë nuk mjaftojnë incidentet fatkeqe për të prodhuar “politikë”. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama nuk kursen të vdekurit por as të gjallët në funksionit të të bërit politikë kundër shumicës aktuale. Kryesocialisti nuk ka nguruar që të keqpërdorë në Dibër sëmundjen e një fëmije për të atakuar qeverinë e drejtuar nga kryeministri Berisha Gjatë një takimit që ka zhvilluar në qytetin e Peshkopisë, i shoqëruar nga drejtues të lartë të kësaj partie si Gramoz Ruçi, Pandeli Majko, Mimi Kodheli, kryesocialisti i është referuar një adoleshenti të sëmurë që pati takuar në spitalin e këtij qytetit, duke e përgjithësuar më pas akuzat për nivelin aktual të sistemit shëndetësor. “Nga kjo sallë, dua t’i them Sali Berishës, se një djalë është duke luftuar me vdekjen në spitalin e Peshkopisë, në pritje të mjekut anestezist nga Tirana. Kjo është Shqipëria e Sali Berishës. Kjo është një Shqipëri që ne nuk e duam, duam një Shqipëri tjetër, ne duam një Shqipëri ku për çdo shqiptarë e shqiptare te ketë spitale, mjek, që analizat dhe ilaçet të jenë të garantuara, të ketë shpresë dhe jetë”, deklaroi ai. Ndërkaq duke folur për Dialogun me Shqipërinë Rama u shpreh se është një mësim i madh për të kuptuar sa e vështirë është jeta e njerëzve në gjithë vendin dhe mbi të gjitha për të kuptuar se sa e gabuar ka qenë dhe është politika e vjetër e së shkuarës, në një marrëdhënie jashtëzakonisht të gabuar, me premtime dhe gënjeshtra, e cilat duhet të marrin fund për t’i hapur rrugë një marrëdhënie të re, për të cilën nevojitet një bashkim i madh i shqiptarëve përtej kufijve të partive politike. ...