FMN: Me politikat e duhura, Shqipëria mund t’i bëjë ballë krizës
Nëse Shqipëria do të vazhdojë të ndërmarrë politikat e duhura, mund t’i bëjë ballë krizës ekonomike që ka prekur botën. Këshilla vjen nga misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar për qeverinë shqiptare, i cili vizitoi për rreth një javë Shqipërinë. Para largimit të misionit, FMN-ja ka dhënë një konferencë shtypi bashkë me ministrin e Financave, Ridvan Bode dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Në deklaratën e FMN-së u dhanë disa rekomandime për qeverinë shqiptare, që nëse do të ndiqen prej saj, ekonomia ende mund të ketë rritje. “Me ndërmarrjen e politikave të kërkuara, Shqipëria ende mund të arrijë rritje pozitive ekonomike, të ruajë inflacionin e ulët dhe të fillojë të korrigjojë disa nga zhbalancimet ekonomike që po shfaqen tani”, - thuhet në deklaratën e FMN-së. Nga ana tjetër, misioni tha se zhvillimet në ekonominë botërore do ndikojnë edhe Shqipërinë, megjithëse politikat e saj të shëndosha makroekonomike dhe strukturore në të kaluarën e vendosën atë në një pozicion më të mirë fillestar se shumë vende të tjera në rajon. Misioni konstatoi se eksportet janë frenuar, dërgesat e emigrantëve kanë filluar të bien dhe rritja e kreditimit po ngadalësohet, çka nga ana tjetër ngadalëson investimet. “Rritja e të ardhurave buxhetore po ngadalësohet në një kohë kur si financimi i brendshëm dhe i jashtëm për buxhetin po bëhet gjithnjë e më i kufizuar. Në këtë kuadër, tashmë është koha që të përshtaten politikat. Ndërsa regjimi i luhatjes së lirë të kursit të këmbimit deri më tani ka realizuar një pjesë të përshtatjes, është e domosdoshme që buxheti gjithashtu t’i përshtatet realitetit të ri”, - tha dje Bell. Ai theksoi se shpenzimet kontingjente nga realizimi i të ardhurave, përfshirë këtu dhe rritjen e pagave dhe të pensioneve duhet të kryhen vetëm nëse do të identifikohen masa kompensuese. Por në këtë pikë, Bell ka marrë garanci nga ministri Bode, i cili deklaroi se qeveria i ka marrë të gjitha masat dhe se do të rrisë pagat dhe pensionet, pasi ka një fond kontigjence prej 2 miliardë lekësh. FMN rekomandoi që të gjithë të ardhurat nga privatizimet strategjike duhet të përdoren për financimin normal të deficitit këtë vit. Për sa i përket sistemit bankar, shefi i FMN-së tha se në situatën aktuale shumë të trazuar të mjedisit financiar botëror, është e rëndësishme që Banka e Shqipërisë të vazhdojë me mbikëqyrjen e saj vigjilente dhe me monitorimin e shpeshtë të sektorit financiar, si dhe bashkëpunimin e mirëpritur dhe të ngushtë të saj me banka të tjera qendrore dhe agjenci mbikëqyrëse. “Sistemi bankar shqiptar, i cili është kryesisht i zotëruar nga të huajt, mbetet i mirëkapitalizuar dhe krahasimisht fitimprurës”, - tha Bell.
BOX
Bode: Do rrisim pagat e pensionet, kemi fonde kontigjence për krizën
Ndonëse FMN ka rekomanduar që qeveria të jetë e kujdesshme ndaj shpenzimeve për shkak të krizës, ministri Bode ka siguruar se qeveria i ka marrë masat për të përballuar rritjen e pensioneve dhe pagave më datë 1 maj 2009. Ai bëri me dije se fondet e kontigjencës japin këtë garanci. “Qeveria do të vijojë të mbajë kontigjenca të mëdha në buxhetin e shtetit, për të përballuar rrisqe të mundshme, qoftë rriskun e të ardhurave, qoftë dhe rrisqe të tjera të mundshme që mund të vijnë nga presioni i krizës ndërkombëtare në sektorë të ndryshëm të ekonomisë”, - tha Bode. Ai shtoi se përveç shumës 20 miliardë lekë të reja, 2% të PBB-së që qeveria ka në kontigjenca, mendohet që të destinohet tërësisht për të garantuar stabilitetin në perspektivë dhe për të mënjanuar rrisqet e mundshme financiare dhe ekonomike, dhe të ardhurat që do të vijnë nga privatizimet, shuma e të cilave përllogaritet sipas shumave të kontraktuara, rreth 260 milionë euro dhe do të jemi këmbëngulës dhe të shpejtë në kontraktimin e kredisë që do të merret në tregun bankar ndërkombëtar, për ta bërë të mundur që të jetë disponibël në mes të muajit maj. “Qeveria mendon se përballë presioneve të krizës ndërkombëtare të mbajë një qëndrim proaktiv. Jo vetëm të mbajë kontigjenca të larta, të cilat shkojnë deri në rreth 5% të PBB-së, por të mund të përdorë pjesë të këtyre kontigjencave për të qenë aktivë në mbështetje të përpjekjeve për të mos u prekur nga kriza. Mendojmë që të veprohet në dy drejtime, së pari në nxitjen e kërkesës përmes politikës, tashmë të deklaruar, të rritjes së pagave dhe pensioneve dhe së dyti, përmes një mbështetjeje në anën e ofertës, uljes me rreth 5 pikë përqindjeje të kontributit shoqëror, taksës së punës që paguajnë kompanitë”, - tha Bode. Nga ana tjetër, ai garantoi se në vijimësi qeveria do të jetë në ndjekje dhe në konsulta të vazhdueshme me Fondin Monetar Ndërkombëtar, për të dëgjuar sugjerimet dhe këshillat e tyre dhe për të mundësuar një zhvillim stabël, të qëndrueshëm të ambientit ekonomik dhe makroekonomik shqiptar, si dhe për të mos lejuar që vendi të përfshihet nga turbulenca të krizës, të cilat do të kishin një kosto të lartë për të rikuperuar situatën edhe një herë në vend.
Ministri i Financave: Amnistia fiskale çliroi biznesin
Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi dje se amnistia fiskale ishte një masë që qeveria e mendoi shumë të dobishme, para së gjithash jo për të rritur të ardhurat në buxhet, por për të çliruar bizneset nga detyrime të prapambetura dhe me një kosto që vinte duke u rritur. Ministri bëri me dije se nga informacionet rezulton se ka pasur një numër jo të vogël kompanish, të cilat kanë aplikuar dhe kanë përfituar nga amnistia fiskale. Të dhënat përfundimtare do t’i bëjmë të njohura në vijimësi, kur të kemi dhe një evidencë, pasi procesi i përfitimit nga kjo masë vazhdon ende dhe sot. “Të gjithë ata që kanë pasur të drejtë ligjore për të përfituar nga amnistia fiskale, kanë përfituar. Të gjitha kompanitë që kanë qenë në procese gjyqësore, me kërkesën e tyre kanë pasur të drejtën për t’u tërhequr nga procesi gjyqësor dhe për të siguruar përfitimet që vinin nga ligji”, - deklaroi ministri Bode. Ai nënvizoi se ata që kanë menduar që do të sigurojnë një vendim gjyqësor në favor të tyre, është e drejta e tyre që të bëjnë zgjedhjen që dëshirojnë.
Fullani: Sistemi i sigurt, bankat garantojnë depozitat
Sistemi bankar në Shqipëri është i sigurt. Ai ka likuiditet dhe kapitalizim të mirë. Kështu ka deklaruar dje Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në konferencën me FMN-në. Fullani tha se vendimi i fundit i Kuvendit të Shqipërisë, i cili miratoi rritjen e vlerës së plotë të garantimit të depozitave në 2.5 milionë lekë, do të ndikojë në kthimin më të shpejtë të depozitave të tërhequra në sistemin bankar. Fullani tha dje se niveli aktual i sigurimit të depozitave, i ngjashëm me atë të vendeve evropiane, garanton plotësisht dhe përgjithmonë kursimet e shumicës dërrmuese të familjeve shqiptare. "Tashmë nuk ka arsye objektive që njerëzit të shqetësohen për sigurinë e kursimeve të tyre në banka. Sektori bankar shqiptar është vendi më i mirë, ku familjet tona duhet të vendosin dhe të rrisin vlerën e kursimeve të tyre", - deklaroi ai. Gjatë vitit në vazhdim, sipas tij, veprimtaria bankare pritet të jetë më pak fitimprurëse, si rezultat i rënies së kredisë dhe kostove në rritje për shtimin e depozitave dhe të fondeve rezervë për shkak të cilësisë së kredisë. Fullani tha se nëpërmjet një akti të veçantë rregullativ, Banka e Shqipërisë i ka kërkuar sektorit bankar të mos shpërndajë fitimin e vitit 2008 në formën e dividentit. Në këtë mënyrë, - tha ai, - kapitalizimi i veprimtarisë bankare forcohet më tej, duke ofruar një garanci më shumë për shëndetin financiar të sektorit bankar në vijim.