Flamuri i NATO-s, ngrihet në kryeministri

Flamuri i Aleancës është ngritur sot edhe në ambjentet e kryeministrisë gjatë një ceremonie të vecantë ku kanë marrë pjesë kryeministri Berisha, anëtarë të kabinetit si edhe pjesëtarë të forcave të armatosura. Ceremonia ka nisur me ngritjen e flamurit të NATO-s përkrah flamurit shqiptar shoqëruar nga himni kombëtar dhe ai i NATO-s. Më pas kryeministri Berisha ka përshëndetur anëtarësimin e Shqipërisë në aleancën më të fuqishëm politike dhe ushtarake në botë. Sipas Berishës ngritja e flamurit të NATO-s është një moment solem për Shqipërinë si një vend anëtar i saj. Një ditë më parë kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit shqiptar në selinë e NATO-s në Bruksel.