E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore, 4 milionë euro për administratën e pensioneve

TIRANË- Banka Botërore i jep Shqipërisë 4 milionë euro kredi, në kuadër të projektit të Shpërndarjes së Shërbimeve Sociale. Më këtë kredi do të ngrihet arkiva qendrore për të gjithë përfituesit dhe kontribuesit e skemës së pensioneve në vend.

Projekti në fjalë parashikon, gjithashtu, të rrisë cilësinë e shërbimeve të administratës së pensioneve, përmirësimin e këtij sistemi dhe zhvillimin e politikave të mira në lidhje me të.

"Fushat që do të financohen me anë të kësaj kredie, do të jenë: kryerja e reformës administrative në sistemin e pensioneve, krijimi i kapaciteteve për politikat e zhvillimit të pensioneve, si dhe edukimi i publikut mbi mënyrën se si funksionon ky sistem", - tha Nuamah, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me ministrin e Financave, Ridvan Bode.

Pjesë e projektit është edhe krijimi i një kuadri ligjor në fushën e përkujdesjes sociale, si dhe forcimi i kapaciteteve në nivelet e pushtetit qendror dhe atij vendor.


Projekti, në bashkëpunim në Bankën Botërore, ka filluar të zbatohet që në vitin 2002 dhe ka pasur si qëllim përmirësimin e mënyrës së jetesës së të varfërve, nëpërmjet rritjes së pjesëmarrjes në shërbimet e përkujdesit social dhe ndërgjegjësimin e tyre në lidhje me mënyrën e funksionimit të administratës së pensioneve në vend.

Që nga fillimi i zbatimit të projektit, në janar të vitit 2002, numërohen rreth 25 mijë përfitues në 43 qendra ditore, të cilëve u është shërbyer për përmirësimin e cilësisë së jetës.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›