E Shtunë, 31 Tetor 2026

E lë e dashura, studenti helmon veten

 

Një student i Informatikës nga Struga vetëhelmohet në apartamentin me qira në Tiranë, pas fejesës së të dashurës

Letra e lamtumirës: Iu kërkoj falje prindërve për dhimbjen që do t'iu shkaktoj, por s'mund të jetoj më

TIRANË- Fejesa e të dashurës ka çuar një student nga Maqedonia drejt vetëflijimit. Vullnet Diko, 19-vjeç, student i vitit të parë në Informatikëi ka dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar, në një apartament të marrë me qera në Tiranë. Shkak për këtë ngjarje dyshohet se është bërë gjendja depresive, pasi ka mësuar se e dashura e tij është fejuar pak ditë më parë. Studenti ka tentuar të përballojë ndarjen për disa ditë, por në orët e vona të mbrëmjes së të martës është dorëzuar, duke pirë një sasi helmi që i shkaktoi vdekjen e menjëhershme. Para se të kryente veprimin fatal, 19-vjeçari nga Struga i cili studionte në fakultetin e Tiranës ka shpjeguar motivin e vetëflijimit, duke lënë një dokument të shkruar në kompjuterin e tij "lap- top", në rreth tri faqe kompjuterike. Oficerët e policisë, të cilët kanë lexuar rreshtat e shkruara nga Vullneti në momentet e fundit të jetëssqarojnë se gjithçka ka ndodhur pasi e dashura e tij ishte fejuar në Strugë, ku edhe jeton. Burime nga policia thanë se kanë sekuestruar kompjuterin e studentit si dhe një kuti cilindrike me disa ilaçe, që u gjet pranë trupit të tij.

Vetëflijimi

Prej tetorit të vitit të kaluar, Vullnet Diko nga Struga jetonte në Tiranë në një banesë me qira në rrugën "Ali Demi", pasi ndiqte studimet e larta në degën e Informatikës. Mësohet se gjatë shkollës së mesme, ai ishte lidhur me një vajzë po nga Struga. Pavarësisht se 19-vjeçarit i doli e drejta e studimit në Tiranë, dy të rinjtë nuk e kanë ndërprerë lidhjen e tyre, gjë e cila ka zgjatur deri një javë më parë. Vullnet Diko ka mësuar se vajza që ai dashuronte ishte fejuar me një tjetër. Fejesa e të dashurës ka qenë një goditje e fortë emocionale për Dikon, i cili ka qëndruar i mbyllur në banesën e tij në Tiranë, ku jetonte i vetëm. Doza e dëshpërimit është rritur dy netë më parë, duke e çuar studentin drejt vetëflijimit. Por para se të kapërdinte helmin, 19-vjeçari ka lënë një letër lamtumire për prindërit e tij, duke iu kërkuar edhe falje atyre për dhimbjen që do t'iu shkaktonte. Pasi ka shkruar rreth tre faqe kompjuterike, Vullnet Diko ka pirë helmin dhe brenda pak minutash ka gjetur vdekjen. Ka qenë një fqinje e tij,e cila ka gjetur trupin e pa jetë të studentit. Ajo ka lajmëruar menjëherë policinë e cila mbërriti në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat e vetëflijimit.

Policia

"Ju kërkoj falje për dhimbjen që do t'ju shkaktoj, por jam shumë i mërzitur dhe nuk dua të jetoj më", -thuhej në letrën e lamtumirës që Vullnet Diko ua dedikonte prindërve. Më pas, ai ka sqaruar hollësisht motivin që e detyroi të vetëhelmohej. Efektivat e komisariatit të policisë nr.1, të cilët kanë në juridiksion zonën ku banonte studenti, mbërritën në banesën e tij për të bërë këqyrjen e provave. Policia nuk e ka pasur të vështirë të klasifikojë ngjarjen si vetëvrasje dhe të zbardhë motivin e saj, pasi 19-vjeçari nga Struga kishte sqaruar gjithçka me dorën e tij, para se të vdiste. Burime nga policia thanë se trupi i pa jetë i Dikos u transportua në morgun e spitalit për ekzaminime të mëtejshme, ndërsa në vendin e ngjarjes u administruan të gjitha provat. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale kompjuterin dhe një sasi ilaçesh që u gjetën pranë viktimës. Ndërkohë që të njëjtat burime policore thanë se pritet të merren në pyetje edhe familjarët e studentit, për të sqaruar me saktësi motivin që e detyroi atë t'i jepte fund jetës. Trupi i 19-vjeçarit është nisur dje drejt Strugës, ku do të zhvillohet edhe ceremonia mortore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›