E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djali: Babanë e vranë për tokat në Kashar

Eltion Kamberi, djali i Gani Kamberit, rrëfen për "Shekullin" dyshimet e tij mbi vdekjen e të atit, 6 muaj më parë

"Babanë e vranë për  konfliktin e pronësisë "

Kamberi: S'kishte arsye të vriste veten. U gjet i mbuluar, me pistoletën në dorën e djathtë dhe plumbin në të majtën

TIRANË- Më në fund, ia ka dalë të bindë prokurorinë për të hetuar vdekjen e të atit. Por për këtë, i janë dashur muaj të tërë të endet në të gjitha insitucionet e shtetit shqiptar, duke filluar që nga komisariati nr. 2 e deri tek Presidenti i Republikës. Bindja e plotë se i atinuk kishte asnjë motiv për të vrarë veten ka mjaftuar që Eltion Kamberi të mos lërë gur pa lëvizur, për të zbardhur misterin e vdekjes së të atit. E ndërsa familjarët e viktimës janë të bindur se 50- vjeçarin e kanë vrarë, duket se për organin e akuzës do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do të zbardhë ngjarjen. Për këtë arsye, prokuroria ka urdhëruar dy ditë më parë zhvarrosjen e kufomës, ndërkohë që Eltioni ka qenë prezent. Djali më i madh i familjes Kamberi rrëfen për gazetën "Shekulli" se si ka ndodhur ngjarja që ende ka mbetur mister për banorët e zonës si dhe deponimet që ka bërë babai i tij në prokurori, për abuzimet e krerëve të komunës me tokat në zonën e Kasharit.

Zoti Eltion, prokuroria ka zhvarrosur kufomën e babait tuaj, duke hetuar nga e para shkakun e vdekjes. Si arritët t'i bindnit?

Më në fund, pas shumë kohësh dhe shkresash që ne kemi dërguar,Prokuroria filloi të lëvizë. Unë kam bindjen e plotë se babai im nuk është vetëvrarë dhe për këtë ka dhe fakte, ndaj dhe tani pres që drejtësia të paktën të nxjerrë në pah autorët e vrasjes, sepse dihet që asgjë nuk do ta kthejë më atë në jetë. Por me vendosjen e drejtësisë në vend, im atë mund të prehet i qetë.

Në ç'fakte e bazoni dyshimin tuaj se Gani Kamberi nuk ka vrarë veten, por është ekzekutuar?

Im atë është gjendur i vdekur buzë liqenit. Kishte një plumb në kokë, që e kishtemarrë nga krahu i majtë. Ndërkohë që në dorë të djathtë kishte pistoletën. Trupi i tij është gjendur përmbys dhe i mbuluar, gjë që po të ketë vrarë veten, nuk ka sesi të mbulohej. Veç kësaj, banorët kanë dëgjuar dy të shtëna dhe ne asgjëkundi nuk kemi gjetur gëzhoja, edhe pse kemi kërkuar në të gjithë zonës. Im atë nuk kishte asnjë arsye që të vriste veten. Ndaj dhe unë jam i bindur që ai është vrarë, teksa po kthehej në shtëpi.

Pistoleta që iu gjend atij,ishte e juaja?

Jo. Ne kurrë nuk mbanim armë në shtëpi.

Po a keni patur konflikte me banorë të zones, meqënëse pretendoni se babai juaj është vrarë?

Jo. Absolutisht jo. Ne përveç konflikteve për pronën, nuk kemi pasur asnjë sherr tjetër në lagje apo edhe t'i kemi patur borxh njeriu. Im atë, së bashku me xhaxhanë ka qenë ndër të parët që ka bërë denoncim në prokurori për abuzimet me tokat tona. Sepse ne na rezultojnë se pronarë të tokës sonë të jenë disa persona që nuk janë banorë të Kasharit. Madje sipas këtyre dokumenteve që janë bërë, tashmë i bie që edheshtëpia jonë të jetë bërë në tokë të huaj, gjë që nuk është e vërtetë.

A e dini se kë denoncoi në polici babai juaj?

Përveç kryetarit të komunës, që nuk pranonte të regjistronte pronën tonë, Alfred Sulaj një ndër personat e akuzuar ka qënë edheXhevahir Hyka. Ky ka qenë i vetmi njeri me të cilin babai im ka bërë sherr, madje është rrahur prej tij. Asaj kohe, ngjarja shkoi në polici dhe nuk e di sesi u mbyll. Por arsyeja pse babai është zënë me Xhevahirin ka qënë pikërisht çështja e pronësisë, pasi Xhevahiri i vodhi të gjithë dokumentet që babai kishte për tokën. Nuk kaloi as dy muaj nga kjo histori dhe babai im u gjet i vdekur nënjë vend të fshehur pas kodrave të Kasharit, teksa po kthehej nga puna në këmbë.

Pra këto janë personat që ju dyshoni se kanë vrarëbabai tuaj?

Përveç këtij problemi, babai im nuk ka patur as edhe një arsye tjetër për të vrarë veten, përkundrazi. Kjo është ajo që unë dyshoj, por nuk them se këto kanë shkrehur armën, mund të kenë vënë dhe njerëz me pagesë. Atë ditë që ka ndodhur ngjarja, në fshat është parë një djalë i imët me flokë të zeza, i panjohur në këto anë.

Po në prokurori,keni akuzuar ndokënd si autor të vrasjes?

Të njëjtin denoncim kam bërë në prokurori. Unë nuk kam vënë gishtin tek askush, por kam thënë dyshimet e mia se përveç Xhevahir Hykës dhe Alfred Sulës, nuk kemi asnjë person tjetër të dyshuar.

E vetmja gjë që kërkojmë është zbardhja e ngjarjes, pasi jemi të bindur që im atë nuk ka patur asnjë motiv për të vrarë veten. Presim që shteti të vërë drejtësinë në vend.

Ditët e fundit a ndihej i shqetësuar babai juaj dhe a keni patur ndonjë kërcënim?

Jo. Përveç atij sherrit, ku babait i është kërkuar të tërheqë denoncimin, asgjë tjetër. Edhe atë ditë që është nisur për në punë im atë ka qenë mëse normal. Qeshte me ne dhe nuk ka rrëfyer qoftë edhe shqetësimin më të vogël.

NGJARJA

Hetimet pas vdekjes  së Gani Kamberit

TIRANË- Më 14 tetor të vitit të kaluar, Gani Kamberi u gjet i vdekur në një afërsi të një pellgu uji, vetëm pak muaj pasi kishte denoncuar skandalin e abuzimeve me tokat në zonën e Kasharit. Viktima 50- vjeçare kishte marrë një plagë vdekjeprurëse në kokë, ndërkohë që banorët thonë se kanë dëgjuar dy të shtëna të armës. Megjithëse është klasifikuar si një vetëvrasje, fillimisht hetuesit kanë dyshuar se bëhej fjalë për një vrasje. Në sektorin e Antikrimit Ekonomik të policisë së Tiranës, por edhe në Prokurorinë e kryeqytetit, Gani Kaberiishte paraqitur dy herë me radhë. Ai është një nga banorët e parë të Kasharit që ka denoncuar abuzimin e titullarëve të komunës me tokat në këtë zonë. Pasi ka bërë denoncimin, 50-vjeçari, banor i zonës ka dhënë dëshmi për gjithçka kishte ndodhur me sipërfaqet e tokave në pronësi të tij, madje ka paraqitur edhe dokumente pranë grupit hetimor. Gani Kamberi ishte marrë në pyetje më 11 tetor 2007 nga grupi i hetimit, pra tre ditë para se të gjendej i vdekur, me një plumb në kokë. Madje një nga shkaqet kryesore pse mendohet se ai mund të jetë vetëvrarë është hetuar të ishte konflikti i ashpër, pa zgjidhje në të cilin ai ndodhej prej muajsh, me persona të tjerë lidhur me dy sipërfaqe toke në pronësi të tij. Fillimisht policia ka hetuar mundësinë e ndonjë hakmarrjeje, por më pas, raporti përfundimtar e klasifikoi ngjarjen si vetëvrasje. L.Çela

 

Zhvarrimi i trupit të 50-vjeçarit u pasua me dyshimet për manipulimin e ngjarjes nga policia. Pritet autopsia

Vdekja e Kamberit, policia nën hetim

Grupi i prokurorisë sekuestron dosjen e arkivuar në komisariatin nr.2 për "vetëvrasjen" e denoncuesit të skandalit

TIRANË- Dyshimet për vrasjen e Gani Kamberit, denoncuesit të skandalit të tokave në Kashar kanë detyruar prokurorinë të fusë në rrethin e hetimit edhe policinë. Zhvarrimi i trupit të 50-vjeçarit është pasuar edhe me sekuestrimin e dosjes së arkivuar në polici, ku ngjarja është klasifikuar si vetëvrasje. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës, të cilët thanë për "Shekullin" se me sekuestrimin e dosjes së policisë, ku ndodhen të arkivuara procesverbali i këqyrjes së vendit të ngjarjes, procesverbali i këqyrjes së kufomës apo edhe ai i marrjes në pyetje të familjarëve dhe banorëve, janë bërë tashmë pjesë e fashikullit hetimor. E ndërsa hetuesit e çështjes janë duke shqyrtuar çdo element të kësaj dosjeje, përgjigjja e autopsisë pritet të zbardhë përfundimisht misterin e vdekjes së Gani Kamberit.

***

E ndërsa hetimi bazohet vetëm në dyshime, jashtë tyre nuk mbeten as punonjësit e policisë që janë marrë me vdekjen e Kamberit në fshatin Kashar të Tiranës. Sipas prokurorisë, dosja e hetimeve paraprake të policisë do të jetë pjesë e këtij hetimi, për të parë nëse janë kryer të gjitha veprimet e detyrueshme me ligj, apo nëse ka pasur manipulim të vendit të ngjarjes dhe provave të tjera. "Nga hetimet paraprake, ku janë marrë në pyetje familjarët dhe është këqyrur kufoma, ka rezultuar se ka dyshime të mjaftueshme për të cilat mund të themi se Gani Kamberi është vrarë dhe jo vetëvrarë. Në vendngjarje nuk është gjetur gëzhoja, trupi është gjetur përmbys, pistoleta është gjetur dhe sekuestruar në pellg, plaga e shkaktuar ngre dyshime të mëdha të një vrasjeje dhe jo vetëvrasje, pasi konstatohet se plaga e daljes së plumbit (që është më e madhe se ajo e hyrjes) ishte nga pjesa e përparme e kokës etj",-thuhet nga prokuroria, e cila ka ngritur dyshime të forta për një ekzekutim të pastër, për shkak të denoncimeve që Gani Kamberi kishte bërë në lidhje me vjedhjet e tokave të pronarëve në komunën e Kasharit nga drejtuesit e kësaj komune që nga vitit 2001-2007.

***

Gjithashtu, prokuroria dyshon se dosja e cilësuar nga policia si vetëvrasje është e manipuluar dhe me përfundimin e akt-ekspertimit mjeko-ligjor të trupit të viktimës pritet edhe zbardhja e të vërtetës së 14 tetorit të vitit 2007, ku u gjet i vdekur Gani Kamberi. Sipas këtyre burimeve, nëse konstatohet nga ekspertët mjeko-ligjorë se denoncuesi i skandalit të tokave në komunën e Kasharit është vrarë, do të ketë ndjekje penalepër drejtuesit e komisariatit nr.2 dhe inspektorët që kanë asistuar në këtë çështje. Ndërkohë, në dosjen e sekuestruar prej policisë thuhet se Kamberi ka vrarë veten në gjendje të dehur. Gjithashtu, në raportin e policisë thuhet se për të vërtetuar vetëvrasjen, ka edhe dëshmi të fëmijëve të atij fshatit të cilët kanë deklaruar para policisë edhe për mënyrën se si ka vrarë veten 50- vjeçari Kamberi, por familjarët e viktimës e kanë cilësuar këtë trillim të policisë. Sipas prokurorisë, raporti përfundimtar i ekspertëve mjeko-ligjorë nuk ka dalë ende, por pritet brenda kësaj jave të bëhet publik, duke i dhënë fund dilemave të ngritura për vdekjen e 50- vjeçarit Gani Kamberi.

REAGIMI

Policia: Kemi dëshmitarë për vetëvrasjen

TIRANË- Të afërmit e Gani Kamberit dhe policia mbajnë pozicione të kundërta, sa i përket shkakut të vdekjes së 50-vjeçarit. E ndërsa djali i Kamberit denoncon policinë për manipulim provash, burime nga komisariati nr.2 bëjnë me dije për "Shekullin" se inspektorët e kësaj ngjarjeje nuk kanë asnjë dyshim për vetëvrasjen e 50-vjeçarit. "Ka pasur dëshmitarë okularë, gjatë momentit që Kamberi ka vrarë veten në gjendje të dehur",-bënë me dije dje burime nga ky komisariat, të habitur mbi zhvarrimin dhe hetimet për një vrasje të mundshme. Policia ka mbrojtur edhedje hetimet e kryera 6 muaj më parë, duke shtuar se në vendngjarje kanë qenë disa punonjës policie si dhe një prokuror, që kanë miratuar versionin e vetëvrasjes. Gjatë këtyre ditëve, prokuroria ka marrë edhe denoncimet e familjarëve të viktimës, të cilët janë të sigurt se vrasjen e të afërmit të tyre e kanë kryer persona që kishin qëllim vjedhjen pronave dhe tjetërsimit të tyre në Kashar. Mësohet se njëri nga deklaruesit, përveç denoncimit për këtë vrasje ka përshkruar edhe veshjen e personit që dyshohet se e ka ekzekutuar Kamberin me një plumb në kokë. "Ishte me flokë kaçurrela të fryrë, me pantallona të bardha dhe xhup xhins",-mësohet të jetë shprehur njëri nga denoncuesit e dosjes së vjedhjes së pronave në Kashar. F.V

Rreth 15 120 metra katrorë tokë u tjetërsuan në emër të një gruaje të panjohur në zonë

Kashar, si u falsifikua prona e Gani Kamberit

TIRANË- Megjithëse ishte ndër banorët më të vjetër të fshatit Kashar, Gani Kamberi zyrtarisht rezulton pa një pëllëmbë tokë. Banesa e tij figuron e regjistruar si ndërtim i paligjshëm, edhe pse themelet e saj janë ndërtuar mbi shtëpinë e vjetër të familjes Kamberi. E gjithë prona e kësaj familjeje, 15 120 metra katrorë figuron e regjistruar në emrin e Ç. Gjonajt. Në bazë të dokumenteve të firmosur nga përfaqësuesit e komunës së Kasharit kjo sipërfaqe toke, në vitin 2005 i ka kaluar në pronësi znj. Gjonaj, të cilës askush prej vendasve nuk e njehsi banore të kësaj zone. Firma që ka lëshuar kryetari i komunës së Kasharit, Faik Fejzo, tashmë i arrestuar, ka bërë që Gjonaj të regjistrojë tokën e fituar në Zyrën e Regjitrimit të Pasurisë. Vetëm në verën e vitit 2006, në Kashar është folur hapur për abuzimet që kryenin krerët e komunës duke regjistruar si pronarë, persona të tjerë dhe më pas kryheshin aktet e shitjes. Fill në këtë kohë, i ndjeri Gani Kamberi ka denoncuar në polici abuzimetme pronën e tij. Për këtë arsye, ndërmjet tij dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor në Kashar ka patur edhe konflikte, ndërkohë që edhe banorë të tjerë të zonës fillojnë të ngrenë akuza për "vjedhjen" e pronave të tyre. Falë hetimeve disamujorë dhe denoncimeve të shumta nga banorë të Kasharit, në nëntor të vitit të kaluaru arrestuan tetë persona për abuzimet me qindra hektarë tokë në këtë zonë. Sipas prokurorisë, të pandehurit dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokës dhe kanë pajisur me vërtetim pronësie persona të ndryshëm, jo banorë të Komunës Kashar, kundrejt përfitimeve të paligjshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›