E Diel, 1 Nëntor 2026

Video-konferenca, fëmijët: Si abuzuan me ne në qendër

Tre të mitur dëshmuan dje mes ankthit dhe lotëve për dhunën seksuale në qendrën "His Children" të Broun

TIRANË- Ngashërime, lotë dhe frikë, mes tre fëmijëve që për katër orë radhazi dëshmuan skenat e dhunës seksuale në qendrën "His Children", të themeluar nga i pandehuri David Broun. Në shoqërinë e prindërve dhe psikologëve, fëmijët kanë dëshmuar nëpërmjet një video-konference gjithçka ndodhte në qendrën e mësipërme, duke akuzuar kryesisht Dino Christodoulou dhe Robin Arnold. Seanca gjyqësore u zhvillua në kujdes të plotë për të ruajtur anonimatin e fëmijëve, ku me ndihmën teknike të TVSH-së, iu ndryshua zëri dhe fytyra. Sipas burimeve pranë Gjykatës së Tiranës, është pranuar kërkesa e prokurorit për të marrë dëshminë e tre të miturve, ku në mesin e tyre ishte një vajzë 15 vjeçe dhe dy djem njëri 7 dhe tjetri 11 vjeç. "Gjatë dëshmisë së tyre, ata kanë konfirmuar dëshminë e dhënë para prokurorit të çështjes, Arben Dollapi, duke "fundosur" kështu tre të pandehurit e kësaj çështjeje",-pohuan dje burime nga gjykata. Mësohet gjithashtu setre të miturit, përveç abuzimeve me ta, kanë shpjeguar para gjykatës edhe për raste të tjera të ndodhura në qendrën e bamirësisë "Fëmijët e mi" nga të pandehurit.

***

"Shkak i mbajtjes së seancës gjyqësore me dyer të mbyllura ka qenë mosha e vogël e tre të miturve dhe ruajtja e identitetit të tyre. Njëkohësisht, arsyeja e marrjes në pyetje të tre të miturve me anë të video-konferencës ka qenë kërkesë e prokurorit që ata mos të trembeshin nga salla e gjyqit, nga i pandehuri, avokati, prokurori, gjyqtarët dhe punonjësit e policisë që ndodheshin në ruajtjen e të pandehurit",-thuhet nga burimet pranë gjykatës. Dëshmia më rrëqethëse ka qenë e djalit 7- vjeçar, i cili me lot në sy ka treguar abuzimet që kryenin të pandehurit ndaj tij, në orët e vona të natës. Ndërkohë, edhe dëshmia e vajzës tashmë 15- vjeçare ka qenë shumë bindëse, e cila me zë të dridhur dëshmoi tmerrin përjetuar nga drejtuesit e kësaj qendre bamirësie ndaj saj dhe fëmijëve të tjerë që ajo i kishte parë në orë dhe momente të ndryshme brenda shtëpisë që ndodhej nërrugën "Dervish Hekali", në banesën private nr.32, në kryeqytet.

***

Edhe dëshmia e djalit 11 vjeçar, sipas gjykatës, ka qenë rrëqethëse dhe shumë e frikshme për një fëmijë të moshës së tij, pasi ka treguar abuzimet që i pandehuri Robin Arnold kryente ndaj tij, duke mos përjashtuar edhe të pandehurin që ndodhej në sallën e gjyqit David Braun. "David më zhvishte dhe kryente veprime të turpshme në trupin tim",-ka thënë ai për gjykatën. Pas dëshmisë së tre të miturve, prokurori kërkoi nga gjykata ndërprerjen e seancës gjyqësore duke kërkuar shtyrjen e saj deri në javën tjetër për thirrjen e dëshmitarëve të tjerë në këtë proces gjyqësor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›