E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta, hiqet akciza për peshkimin

 

Vendimi i qeverisë, pas protestave të vazhdueshme të peshkatarëve në të gjithë vendin

Pas një shkëputjeje për shumë kohë nga skema e subvencionit, anijet e peshkimit do të mund që të marrin sërish naftë pa akcizë. Me anë të një vendimi, qeveria ka sanksionuar dhënien pa akcizë të naftës për këtë sektor. Ulja e çmimit të naftës për këtë sektor, pas heqjes së akcizës, do të jetë me 37 lekë për litër. Sipas Ministrisë së Financave, heqja e akcizës për anijet e peshkimit është realizuar për shkak të kostos së lartë që zinte në këtë sektor. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave rreth 70 për qind të kostos në sektorin e peshkimit e zinte karburanti, kur në vendin fqinj, Itali, kostoja shkon në rreth 37 për qind. Nafta e vendit mbetet edhe produkti kryesor që përdoret nga peshkarexhat, për shkak edhe të çmimit të leverdishëm që ajo mbart. Ende nuk dihet se sa do zgjasë kjo situatë pasi pritet që shumë shpejt, kompania "ARMO" të privatizohet. Madje, sipas një ligji të miratuar nga ana e qeverisë për cilësinë e karburanteve, pronari i ri i kompanisë "ARMO", do të duhet që të rinovojë teknologjinë tepër të "lodhur" për ta nxjerrë këtë produkt në treg. Kompania vendëse e naftës dhe gazit, "ARMO", arrin të mbulojë vetëm 25 për qind të kërkesës së tregut tonë. Kapaciteti prodhues i kompanisë sonë arrin në rreth 550 mijë tonë naftë bruto në vit. Gjatë kohëve të fundit, janë shtuar në mënyrë të ndjeshme debatet midis qeverisë dhe grupeve të interesit për naftën e subvencionuar. Pas një fushate të gjatë premtimesh për naftë pa akcizë, për sektorin e bujqësisë dhe atë të peshkimit, qeveria është dorëzuar duke mos arritur dot të menaxhojë këtë formë ndihme. Sipas burimeve zyrtare, janë vërejtur shkelje të mëdha gjatë përdorimit të naftës pa akcizë, që shpeshherë ka vazhduar që të shitet me çmimet e tregut të përdoruesit përfundimtar. Ky ishte edhe shkaku që nafta pa akcizë mungoi për kohë të gjatë edhe për sektorin e peshkimit. Ishte vetë ministri i Financave, Ridvan Bode, që për shumë herë radhazi lançoi një skemë subvencionimi sipas peshkut të zënë për anijet e peshkimit. Por kjo skemë u kundërshtuar ashpër nga peshkatarët, të cilët patën deklaruar se nuk kishte një lidhje të mirëfilltë midis orëve të dala në det dhe peshkut të zënë, pasi kjo ishte një gjueti dhe peshku mund të mungonte pavarësisht naftës së harxhuar në det.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›