FMN: Papunësia me të njëjtin ritëm që prej vitit 2000 pavarësisht qeverive
Numri i njerëzve që zënë punë gjatë një viti në Shqipëri rritet në vlera të papërfillshme dhe në mënyrë krejtësisht të njëtrajtshme që prej vitit 2000 dhe nuk ka asnjë ndryshim, pavarësisht qeverive dhe politikave që ndiqen. Të dhëna të publikuara nga Banka Botërore dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar me burim CIA World Factbook tregojnë se niveli i papunësisë në Shqipëri vitin që shkoi ishte 13% dhe nga viti 2003 ky nivel kishte rënë me vetëm nga një pikë në vit. Në secilin vit niveli i papunësisë në Shqipëri, sipas këtyre të dhënave, bie me vetëm një pikë. Këto janë të dhëna, të cilat llogarisin në punë edhe 450 punonjës në sektorin bujqësor. Të dhënat thonë se realisht niveli i papunësisë në të vërtetë shkon në 30%, në rast se do të llogaritet realisht dhe do të merret parasysh fakti që në sektorin bujqësor numri i njerëzve të zënë me punë është llogaritur në mënyrë spekulative nga zyrat e informacionit të qeverisë shqiptare. Rritja ekonomike e Shqipërisë ka disa vite që është e konsiderueshme dhe në asnjë rast nuk ka rënë poshtë 6%, megjithatë numri i vendeve të punës rritet në mënyrë uniforme çdo vit. Pas vitit 2005 shpenzimet qeveritare për investime janë rritur me mbi dy herë dhe pavarësisht këtyre parave shumë të mëdha të përdorura në investime, përsëri numri i njerëzve që zënë punë rritet po me 1 pikë përqindjeje. Niveli i papunësisë në vitin 2003 në Shqipëri, sipas të dhënave të CIA World Factbook dhe atyre të Bankës Botërore dhe të FMN, ishte 17%. Në vitin 2004 ajo shkoi në 16% dhe kështu ka vazhduar duke rënë me vetëm një pikë, derisa për vitin që shkoi ishte 13%. Vitin e kaluar qeveria ka raportuar një rritje ekonomike prej 9,9% dhe vlera e investimeve qeveritare ishte mbi 700 milionë dollarë e përsëri papunësia ra sa edhe vitet e kaluara me 1 pikë. Ekonomia shqiptare është duke u treguar e paaftë të përkthejë në rritje të vendeve të punës investimet dhe rritjen ekonomike. Duket se rritja ekonomike është e pavërtetë. Pavarësisht se cila qeveri ka drejtuar dhe pavarësisht nivelit të investimeve niveli i papunësisë në Shqipëri ndryshon në mënyrë të njëtrajtshme.